Lajme

Ankesat e qytetarëve për ndërprerje të rrymës, Rizvanolli thotë se po ndodh për shkak të mbingarkesës së sistemit

Autori: Gazeta inFokus 18:05 | 25 December 2024

Disa zona të Kosovës ditëve të fundit kanë mbetur për orë të tëra pa energji elektrike.

Ministria e Ekonomisë ka njoftuar se këto vështirësi nuk janë rezultat i mungesës së energjisë, por i mbingarkesës së sistemit elektro-energjetik.

“Me uljen e temperaturave dhe duke qenë në prag të fundvitit, konsumi i energjisë elektrike është rritur ndjeshëm në rajon dhe në disa vende evropiane. Aktualisht, rrjeti i shpërndarjes dhe transmisionit ka arritur kapacitetin maksimal të shfrytëzimit (mbi 1400 MW gjatë ditës dhe mbrëmjes).

-Advertisement-

Kjo mbingarkesë po rrezikon stabilitetin e sistemit dhe furnizimin e disa zonave, për shkak të prishjeve që shpesh ndodhin në mot të lig ose mungesës së kapaciteteve të lira alternative për furnizim. Në afat të shkurtër, këto probleme mund të adresohen vetëm duke ulur konsumin e energjisë elektrike dhe duke sanuar problemet teknike në terren”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Ekonomisë.

Ministria ka bërë të ditur se ekipet e KOSTT dhe KEDS janë duke punuar intensivisht për të riparuar defektet teknike dhe për të stabilizuar furnizimin me energji elektrike.

“Ndërkohë, ne dhe të gjithë akterët e sektorit të energjisë u bëjmë thirrje qytetarëve që të kontribuojnë në sigurinë e furnizimit duke racionalizuar konsumin e energjisë elektrike përgjatë kësaj jave kritike, dhe duke zhvendosur konsumin pas mesnatës në masën që është e mundshme. Ju faleminderit për bashkëpunimin në tejkalimin e kësaj situate”, përfundon njoftimi.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Ku mos mu HUTU me BLACK FRIDAY Artmotion
-Advertisement-

Të tjera