Lajme

Ankesa për tarifat, Termokos: Nuk ka ngritje të çmimit për ngrohje

Autori: Gazeta inFokus 22:09 | 24 December 2024

Shqetësimet dhe pretendimet se çmimi i faturave për ngrohje nga Termokosi për muajin tetor dhe nëntor është shtrenjtuar për rreth 30%, i ka kundërshtuar Ngrohtorja e Kryeqytetit. Nga TERMOKOS-i thonë se përkundrazi, në krahasim me vitin e kaluar, 70% e konsumatorëve kanë paguar njëjtë ose më lirë, dhe sipas tyre as pretendimet se faturimi po bëhet paushall nuk qëndron.

Prishtinasit i kanë shtuar shqetësimet për çmimin e faturimit të ngrohjes nga Termokosi.

Të përmbledhura në një reagim publik organizata CorrWatch i ka renditur kërkesat duke kërkuar transparencë dhe llogaridhënie nga Termokosi dhe ZRRE.

-Advertisement-

Vërejtjet janë këto: zbatim i tarifave të pamiratuara nga ZRRE, aplikim i tarifave paushall, si dhe kategorizim në konsum të përbashkët dhe kapacitet termik. Të gjitha këto lëvizja sipas kësaj organizate kanë shtrenjtim të papritur të faturave për rreth 30%.

Përgjigje për të gjitha këto pretendime ka dhënë Zëdhënësja e ngrohtores së Kryeqytetit.

“Nuk ka kurrfarë shtrenjtimi ne i kemi bërë publike këto fatura këto tarifa i ka bërë publike edhe ZRRE përmes një komunikimi direkt me media në faqen tonë në rrjetet sociale, nuk ka të bëjë aspak me shtrenjtimin e tarifave të energjisë elektrike”, ka thënë zëdhënësja Afërdita Uka.

Uka thotë se 70% e konsumatorëve kanë arritur të kursejnë në faturat e nëntorit ose të paguajnë aq sa vitin e kaluar. Sipas saj vetëm tek 30% e konsumatorëve është vërejtur faturë më e lartë, dhe kjo për shkak të konsumit të tyre e jo shtrenjtimit të çmimeve

Krahas përgjigjes së Zëdhënëses, ne kemi kërkuar një qëndrim edhe nga ZRRE, por të njëjtit nuk janë përgjigjur.

“Ka qenë e miratuar nga ZRRE-ja si metodologjia e faturimit, si tarifat, si ato ndarja nëpër ato vijat e metologjisë që është bërë faturimi, gjithçka edhe forma e faturës, gjithçka ka qenë e miratuar nga ZRRE”, ka shtuar Uka.

Uka këmbëngul se as me metër katrorë e as me regjistrues ose njehsor të ngrohjes, as nuk janë zbatuar faturat paushall e as nuk janë ngritur çmimet. Mbi gjysma e 30 mijë konsumatorëve tashmë janë pajisur me matës të ngrohjes. Prej tyre rreth 7 mijë po faturohen me matje, ndërsa muajve në vazhdim ky numër do të rritet.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Aeroporti “Adem Jashari” ka një kërkesë për udhëtarët që kanë humbur valixhet e tyre
-Advertisement-

Të tjera