Lajme

“Anëtarësia e vërtetë do t’ua tregojë vendin”, përplasje e përjashtime në degën e LDK-së në Vushtrri

Autori: Gazeta inFokus 23:40 | 14 January 2022

Dega e LDK-së në Vushtrri ka njoftuar se i ka i ka shkarkuar nga të gjitha pozitat e tyre në strukturat e kësaj partie, Agron Përçukun, Alban Bajramin dhe Behar Durakun.

Sipas komunikatës, arsyeja është se të tre kanë dalë kundër vendimit të degës së LDK-së për interesa personale.

“Kryesia e degës së LDK-së në mbledhjen e sotme vendosi me votat e të gjithë anëtarëve të pranishëm, 12 sosh, largimin e Agron Perçuku, Alban Bajrami e Behar Duraku nga grupi i asamblistëve të LDK-së dhe shkarkimin e tyre nga të gjitha pozitat e tyre në strukturat e LDK-së, për shkak se asambleistët e lartë përmendur bashkuan votën e tyre me PDK-në, mbështetën zgjedhjen e Kryesuesit të Kuvendit dhe zgjedhjen e KPF-së, e në kundërshtim me vendimin e degës së LDK-së duke e dëmtuar rëndë LDK-në”, thuhet në komunikatën e tyre.

-Advertisement-

Madje në komunikatë thuhet se e kanë dëmtuar rëndë LDK-në me veprime tinëzare gjatë fushatës elektorale.

“z. Ferit Idrizi i PDK-së vazhdimisht në debate televizive deklaronte hapur e publikisht që ka mbështetjen e disa ‘aktivistëve’ të LDK. Tradhëtarët u vet demaskuan në këto dy mbledhje të Kuvendit të Komunës. Prandaj, për të gjithë aktivistët e devotshëm të LDK në Vushtrri tashmë është e qartë që këta tre persona për qëllime përfitimi personal e kanë tradhëtuar besimin e elektoratit dhe aktivistëve të LDK duke dëmtuar rëndë LDK-në, madje me veprimet tinëzare të tyre edhe gjatë fushatës elektorale duke ja dhuruar PDK-së fitoren e pamerituar në Vushtrri”, thuhet tutje në komunikatë.

Por, kjo gjë u demantua nga Agron Përçuku i cili thotë se vendimi për shkarkimin e tyre është në kundërshtim me Statutin e LDK-së. Sipas tij, në ditët në vijim, anëtarësia e LDK-së, do të ua tregoj vendin.

“Komunikata e degës së LDK-së në Vushtrri është shkruar pikërisht nga “sekserët” e Xhafer Tahirit që përmenden në atë shkresë. Avazin e territ sa ishte në udhëheqje të Komunës, Xhafer Tahiri me klikën e tij, po mundohen ta instalojnë në degën e LDK-së në Vushtrri, por e kanë të kot! Në ditët në vijim, anëtarësia e mirëfillët e LDK-së, do të ua tregoj vendin. Ne do të vazhdojmë me qenë pjesë e LDK-së deri sa nga LDK do ti ç’rrënjosim përfundimisht mbetjet e padëshiruara”, shkroi Përçuku në Facebook.

Përçuku thotë se ish-kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri e ka uzurpuar degën e LDK-së në Vushtri duke marrë vendime të kundërligjshme për ta dëmtuar LDK-në.

“Xhafer Tahiri me grupin e tij e ka uzurpuar degën e LDK-së në Vushtrri dhe me shantazhime ndaj një grupi të caktuar të anëtarëve të kryesisë, po merr vendime të kundërligjshme, për ta dëmtuar LDK-në sepse qëllimi i tij është pikërisht ky”, thuhet tutje në postimin e tij.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera