Lajme

Andin Hoti: Serbia po bën lojë me çështjen e të zhdukurve

Autori: Gazeta inFokus 14:22 | 05 January 2022

Kryetari i delegacionit të Kosovës për bisedime me Serbinë për çështjen e personave të zhdukur, Andin Hoti deklaroi se Bashkimi Evropian duhet të garantojë që çështja e personave të pagjetur të marrë epilog para një marrëveshjeje finale mes dy vendeve.

Ai deklaroi se Serbia po bën lojë me këtë çështje duke mos ofruar informacione të sakta për mbi 1600 persona të zhdukur.

Para fillimit të gërmimeve në lokacionet ku supozohet se ka varreza masive në Serbi, Hoti thotë se duhet të sigurohen imazhet satelitore. Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për të Pagjeturit, vlerëson se nuk duhet të përsëritet ajo çfarë ka ndodhur në Rudnicë dhe Kizhevak të Serbisë.

-Advertisement-

“Fatkeqësisht 2700 gërmime janë bërë deri më sot dhe janë 1600 persona të zhdukur. Çfarë do të thotë kjo është se sfidë të madhe kemi mungesën e informacionit të saktë. Mungesën e informacionit të duhur se ku mund të janë këta persona të zhdukur. Nuk flas vetëm për varreza masive apo individuale, por edhe për informacione të personave të tjerë që jo medoemos i kanë vrarë në luftë, i kanë marrë të gjallë. Ne kemi dëshmi të shumta që shumë persona janë marrë të gjallë prej Kosovës dhe nuk dihet më fati i tyre çfarë ka ndodhur deri më sot”, deklaroi Hoti.

Andin Hoti, i cili kërkon informacion edhe për babin e tij Ukshinin, thotë se nuk mund të ketë normalizim të marrëdhënieve, pa u ballafaquar Serbia me të kaluarën.

Sipas tij, adresa e vetme për këto krime është Beogradi, meqë shumë prej udhëheqësve gjatë kohës së luftës janë në pozitë edhe tani.

“Mungesa e informacionit të saktë, vjen si pasojë e lojës së Serbisë që edhe pas 22 vitesh të trajtohet çështja e personave të zhdukur me forcë në formë politike. Ata ende luajnë politikë me këtë çështje, ende nuk servojnë informacione të sakta për krimet që i kanë bërë, por mundohen që përmes disa dokumenteve false, ndonjëherë të manipuluara, të na japin informacione që rezultojnë natyrisht me jo gjetje. Serbia ende sot nuk e shprehet e gatshme të bashkëpunojë me ne dhe të ballafaqohet me të kaluarën”, shton ai.

Hoti thekson se gjatë vitit të kaluar ka pasur mbi 100 takime me ndërkombëtarët për të adresuar çështjen e personave të zhdukur. Në të gjitha ato takime, ai zotohet se ka kërkuar zbardhjen e fatit të personave të pagjetur dhe hapjen e të gjitha dokumentacioneve të luftës që posedon Serbia.

“Neve na duhet një presion më i madh dhe një bashkëpunim më i madh i faktorit ndërkombëtar. Sepse ne nuk kemi mundësi dhe trysni për presionin ndaj Serbisë. Ne këtë gjë e dimë. Është faktori ndërkombëtar, Bashkimi Evropian, ShBA-të, Britania e Madhe që janë mike të Kosovës që ato duhet të kthejnë fokusin më shumë dhe të rrisin presionin më shumë me kushtëzim ndaj Serbisë, në mënyrë që kjo çështje të ketë epilog”, deklaron më tej.

Në marrëveshjen e veçantë për personat e zhdukur, ai shton se Kosova nuk mund të jetë palë.

“Përveç kërkesës për dokumentacionet dhe arkivave të tyre, ne kemi kërkesën edhe ndaj Brukselit dhe Bashkimit Evropian që të jenë garantues. Ne e kemi provuar, janë 22 vjet, janë 16 vjet takime bilaterale me Serbinë dhe ne kemi provuar që ende janë 1600 persona të zhdukur dhe po e shohim rezultatin. Prandaj ne kërkojmë dhe është e nevojshme shumë që Brukseli të jetë garantues i takimeve tona me Serbinë. Brukseli duhet të garantojë për neve që çështja e personave të zhdukur para marrëveshjes përfundimtare duhet të marrë një epilog”, thekson ai.

Më tej, çështja e 300 mbetjeve mortore të paidentifikuara që ndodhën në morgun e Prishtinës, thotë se duhet të marrë fund këtë vit.

Kryetari i delegacionit të Kosovës për bisedime për të zhdukurit, Andin Hoti shprehet se pritet të fillojnë gërmimet në Shtavall të Serbisë dhe që kanë informacione edhe për shumë varreza të tjera masive.

Gjatë vitit të kaluar, familjarëve u janë dorëzuar për varrim, eshtrat e vetëm 25 personave. Në Kizhevak të Serbisë janë identifikuar mbetjet mortore të nëntë personave, shtatë të reja dhe dy ribashkim./KP/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Aeroporti “Adem Jashari” ka një kërkesë për udhëtarët që kanë humbur valixhet e tyre
-Advertisement-

Të tjera