Opinione

Analizë: Kosova dhe tmerri i natës (apo i “non-paper”-it)

Autori: Marc Weller 09:43 | 29 April 2021

Profesor Dr jur, Dr phil Marc Weller, MA, MALD, PhD, FCIArb

I frikësohemi më së shumti të panjohurës. Një zhurmë e papritur në terrin e natës mund të nxisë vegime përbindëshash dashakëqij në mendjet tona. Por, sapo të ndizet drita e shohim se nuk ishte asgjë më shumë pos një fluture që përplas krahët në xham.

Qarqet e politikës së jashtme në Kosovë janë mbërthyer nga një ndjesi jorehatie, nëse jo edhe nga vetë frika. Një element i panjohur është paraqitur, duke fshehur identitetin e vet. Fjala është për një “non-paper” të shkruar prej një dore të panjohur, që trajton dialogun e ardhshëm të normalizimit me Serbinë.

Si mund t’i frikësohesh një cope letre? Dhe, për më tepër, si mund diçka që nuk është as letër – një NON-letër – të nxisë aq tmerr?

Përgjigjja është se në diplomaci “non-paperët” kryejnë një rol të rëndësishëm. Ato ia mundësojnë palës në negociatë që ta vërë në lëvizje një ide që nuk i atribuohet askujt, madje as autorëve të saj. Është mënyrë e testimit të opsioneve dhe matjes së reagimeve të mundshme para lansimit më formal të tyre.

Këtë radhë “non-paperi” që duket të ketë nisur së qarkulluari befas trajton një çështje të interesit vital për Kosovën. Pretendon të përfaqësojë një nismë të përbashkët gjermano-franceze për rifillimin e procesit të dialogut të udhëhequr nga BE-ja, për normalizim raportesh mes Kosovës dhe Serbisë. Gjermania e mohon autorësinë. Ka thashetheme se dokumenti mund apo mund të mos ketë ardhur nga qarqet përreth presidentit francez, disi duke e turpëruar Ministrinë e tij të Jashtme.

Nëse dokumenti vjen nga diku tjetër, e jo Qeveria në Beograd, atëherë dukja e tij do të ishte njëmend shqetësuese. Arsyeja është e thjeshtë – duket sikur të ishte përgatitur nga kabineti i presidentit Aleksandar Vuçiq. Nëse kjo njëmend e përfaqëson qasjen e një prej sponzorizuesve kryesorë në procesin e dialogut, atëherë Kosova do të duhet të ketë kujdes. Natyrisht, dokumenti mund të mos jetë propozim serioz për pikat bazë të secilës negociatë midis Kosovës dhe Serbisë. Në vend të kësaj, mund të jetë synuar si mashtrim për ta nxitur të veprojë qeverinë e porsazgjedhur të kryeministrit Albin Kurti.

Kryeministri Kurti deklaroi bujshëm në shkurt, para se ta merrte pushtetin, se dialogu për normalizim ishte poshtë në listën e tij të prioriteteve. Në vend të kësaj, ai do të përqendrohej tek interesat e njerëzve që jetojnë në Kosovë, përfshirë popullsinë etnike serbe. Fushatës së Kosovës për ndjekjen e njohjes diplomatike nga ishulli i radhës në Paqësor mund t’i kishte ardhur fundi.

Ngjashëm, fiksimi i Kosovës me anëtarësimin në OKB dhe institucionet e tjera ndërkombëtare duhet të tejkalohet. Kosova ia ka dalë të ekzistojë për më shumë se një dekadë pa anëtarësim dhe këtë mund ta bëjë edhe më tutje, pa pasoja të dukshme negative edhe për një periudhë bukur të gjatë kohore.

Lartësimi i çështjes së njohjes nga Serbia apo shtetet e tjera – dhe nga institucionet ndërkombëtare – në çështje për jetë a vdekje nga politikanët e Kosovës, thjesht ua rrit ndikimin atyre që e kontrollojnë vendimin rreth njohjes dhe anëtarësimit.

Vetë mësymja e tepruar e Kosovës për atë që ia dhurojnë të tjerët e shton çmimin që duhet ta paguajë për rregullimin e ekzistencës së saj në arenën ndërkombëtare.

Marrë parasysh këtë, Kosova nuk duhet t’ia lejojë vetes të mbetet pasive. Në të kaluarën, autoritetet e Kosovës kanë pritur deri kur janë thirrur në Bruksel apo ndonjë vend tjetër negociatash. Atyre u është paraqitur një agjendë e finalizuar dhe shpesh me oferta që nuk mund t’i refuzonin shkaku i SHBA-së apo BE-së, pavarësisht se a ishte një gjë e tillë në interes të shtetit apo jo. Serbia nuk priste kurrë t’i qaseshin në këtë mënyrë. Ajo insistonte të kishte rol në formësimin e procesit të negociatave, formatit të bisedimeve, agjendës së çështjeve që do të diskutoheshin dhe renditjes së bisedimeve. Negociatorët në Bruksel e dinë këtë. Rrjedhimisht, ata trokasin në dyert e Vuçiqit qyshkur nisin t’i përgatisin bisedimet. Kosovës në të kaluarën kryesisht i janë paraqitur faktet e dakorduara nga të rriturit, duke i treguar ku të paraqitet dhe kur të bisedojë për atë që të tjerët kanë vendosur.

Kosova natyrisht se është e vetëdijshme që përpjekja e re për lansimin e dialogut për normalizim do të ndërmerret së shpejti, pavarësisht se a dëshiron një gjë e tillë apo jo. Presidenti Biden hodhi sinjale në fillim të javës, duke e shprehur mbështetjen e tij për përpjekjen e ripërtërirë të udhëhequr nga BE-ja. Prishtina duhet të sigurohet se këtë herë është në qarkun e atyre që e dizajnojnë procesin. Me fjalë të tjera, ajo duhet ta ushtrojë sovranitetin e saj, ashtu si të gjitha shtetet e tjera.

Kjo ka të bëjë jo vetëm me çështjet e procesit në negociata. “Non-paperi” i famshëm, pavarësisht se a është autentik apo jo, e shpërfaq domosdoshmërinë që Kosova t’i formësojë edhe pritjet midis organizatorëve të bisedimeve dhe partneres së saj negociatore – Serbisë – në aspektin e vetë substancës.

Dikur Kosova kalonte nëpër një proces të mundimshëm të negocimit të brendshëm midis partive të ndryshme politike, me qëllim që të arrihej ujdi për një platformë që shpaloste qëndrimet e saj në negociata në disa detaje. Kjo më pas mbështetej nga parlamenti. Qëllimi i kësaj manovre kishte të bënte më pak me formësimin e pritjeve jashtë Kosovës, e më shumë me arritjen e një konsensusi të brendshëm midis partive në pushtet dhe atyre opozitare. Ky konsensus do të bartej më pas në negociata nëpërmjet një ekipi uniteti që përfaqësonte të gjitha partitë, apo ato të gatshmet për t’iu bashkuar përpjekjes.

Kjo qasje në të kaluarën përgëzohej ndërkombëtarisht, pasi siguronte që secili rezultat i negociatave mund të ratifikohej nga parlamenti dhe të gëzonte mbështetje të gjerë në vend. Megjithëkëtë, herën e fundit, Gjykata Kushtetuese vendosi se caktimi i një delegacioni të unitetit nuk ishte i ligjshëm. Ajo gjeti se delegacioni i unitetit e zhvleftëson autoritetin e kryeministrit për udhëheqjen e qeverisë, e rrjedhimisht edhe negociatave. Një gjetje e tillë ishte disi e çuditshme, pasi që institucioni i Qeverisë në përgjithësi duhet të jetë në gjendje për delegimin e funksioneve tek organet vartëse të cilat mund t’i krijojë.

Tani me një qeveri që e ka shumicën në parlament, ky vendim do të jetë më i lehtë. Ai i jep kryeministrit dorë të lirë (varësisht nga konsultimet e mandatuara kushtetuese me presidentin) në formësimin e strategjisë së tij negociatore dhe udhëheqjen e procesit, i papenguar nga domosdoshmëria e vazhdueshme e ruajtjes së konsensusit midis akterëve të ndryshëm.

Nuk ka nevojë të përshkruhen përimtësisht qëndrimet e mundshme të Kosovës në negociata, përmes një platforme negociatore të miratuar nga parlamenti. Megjithatë, i domosdoshëm tani është zotimi për pikat bazë, të cilat duhet të kuptohen nga ata që përgatiten për negociata. Prandaj, do të ishte zgjuarsi dhe domosdoshmëri një përgjigje së paku joformale ndaj “non-paperit” të supozuar. Po qe se mbetet i pakundërshtuar, mendimi mund të zërë vend dhe të ofrojë bazë për negociata.

Pra, çfarë nuk është në rregull me dokumentin, përpos origjinës së tij të paqartë, të cilën duket se askush nuk është i gatshëm ta marrë përsipër tani? Së pari është qasja themelore, qasja bazë.

Dokumenti flet për Beogradin dhe Prishtinën si palë të dialogut, në pajtim me emërtimin e vjetër të procesit si “Dialogu Beograd-Prishtinë” nga BE-ja, që nga fillet e tij më 2011. Historia ka lëvizur që nga ajo kohë. Ndonëse do të ishte e paarsyeshme të pritej që Serbia ta pranojë Kosovën si shtet qysh në fillim të negociatave, ajo do të duhej tani ta pranojë se është duke negociuar me Kosovën, edhe nëse e konteston statusin e saj. Marrëveshja e Washingtonit e shtatorit të kaluar të paktën i emërton palët si Serbia [Beogradi] dhe Kosova [Prishtina].

Sidoqoftë “non-paperi” ka mbetur prapa edhe në disa gjëra të tjera. Ai nuk përmend as edhe nëpërmjet një fjale të vetme se Kosova tashmë ka kaluar me sukses negociata tejet përfshirëse gjatë procesit Ahtisaari dhe se i ka pranuar të gjitha koncesionet e dhimbshme që është dashur t’i bëjë për ta marrë shtetësinë. Tashmë e ka paguar çmimin për pavarësi dhe nuk mund të pritet t’ia nisë nga e para, duke i ofruar ndihmë të dytë Serbisë për çmimin që tashmë e ka fituar.

Në vend të kësaj, “non-paperi” u referohet çuditërisht Kartës së OSBE-së të Parisit dhe Aktit Final të Helsinkit, si standarde që duhen respektuar në një marrëveshje ligjërisht të obligueshme, që do të arrihej. Një gjë e tillë zakonisht kuptohet si një përmendje diskrete diplomatike e integritetit territorial të një shteti, në këtë rast pikëvështrimit të Beogradit se Kosova është pjesë e Serbisë.

Më i pazakontë, megjithatë, është kushti që zgjidhja të sigurohet në pajtim me “parimet udhëzuese të Grupit të Kontaktit për një zgjidhje të statusit të Kosovës më 2005”. Kjo dispozitë e shpërfill në tërësi faktin se që nga ajo kohë negociatat e Ahtisaarit u përmbyllën, Kosova e fitoi pavarësinë në pajtim të plotë me dokumentin e Ahtisaarit dhe se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e konfirmoi ligjshmërinë e deklaratës së saj të pavarësisë. Në të vërtetë, të gjithë anëtarët e Grupit të Kontaktit, përpos Federatës Ruse, tashmë e kanë pranuar Kosovën si shtet. Duket e pabesueshme që Kosova tani të kthehet për udhëzime rreth statusit të saj te pikëvështrimet që shprehu Grupi i Kontaktit më 2005.

“Non-paperi” nuk e paraqet fjalëpërfjalshëm njohjen e Kosovës nga Serbia si një prej rezultateve esenciale të procesit. Në vend të kësaj, i referohet “raportit të ri” ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Sidoqoftë, kërkon që “palët ta respektojnë njëra-tjetrën si shtete të pavarura, sovrane dhe të barabarta, brenda kufirit/kufijve të tyre ndërkombëtarë” dhe “ta respektojnë në pajtim me të drejtën ndërkombëtare, sovranitetin, integritetin territorial dhe pavarësinë e palës tjetër”. Kjo në të vërtetë paraqet njohje, ndonëse me emër tjetër. Për më tepër, “non-paperi” parasheh shkëmbimin e misioneve diplomatike në pajtim me Konventën e Vjenës për raportet diplomatike. Kjo në të vërtetë shkon përtej njohjes, përmes vendosjes së raporteve formale diplomatike ndërmjet dy shteteve, në pajtim me të drejtën ndërkombëtare.

Dokumenti po ashtu parasheh miratimin nga palët të ndryshimeve kushtetuese dhe legjislative, për ta siguruar zbatimin e marrëveshjes ligjërisht obliguese.

Me sa duket, kjo përfshin kushtin që Serbia të heqë dorë nga dispozitat kushtetuese për sovranitet mbi Kosovën. Megjithëkëtë, kushti për ndryshime kushtetuese duket se e prek edhe Kosovën, pasi që “non-paperi” parasheh ndryshime të numërta në organizimin e saj të brendshëm, që nuk mund të përshtaten me Kushtetutën aktuale të saj. Sa i përket anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare, “non-paperi” sugjeron që Serbia të mos e kundërshtojë më aplikimin e Kosovës për anëtarësim në institucionet ndërkombëtare, në të cilat është anëtare, posa të ratifikohet marrëveshja. Këtu mund të shtrohet pyetja nëse detyrimi për mospengesë, në vend të lehtësimit pro-aktiv apo të paktën mbështetjes së anëtarësimit, do të ishte i mjaftueshëm.

Në të vërtetë, Kosova do të mund të propozonte që çfarëdo marrëveshjeje e normalizimit të hynte në fuqi, vetëm pasi të arrihej anëtarësimi në OKB, e mbase edhe në institucione të tjera. Një gjë e tillë do të siguronte që Kosova të mos lihej, edhe një herë, ta paguante çmimin e një zgjidhjeje, dhe vetëm Serbia t’i merrte përfitimet. Për shembull, ka mundësi që Rusia, e cila mban të drejtën e vetos rreth kësaj çështjeje, mund ta pengojë anëtarësimin në OKB të Kosovës, edhe nëse Serbia nuk e kundërshton më (haptazi).

Pastaj është çështja e trazuar e Asociacionit të Komunave Serbe. Dokumenti e vë theksin te zotimi i Kosovës në Marrëveshjen e Brukselit më 2013, që parashihte se komunat pjesëmarrëse do ta kishin të drejtën të bashkëpunojnë në ushtrimin e kompetencave të tyre përmes një Bashkësie/Asociacioni kolektivisht. Ajo Bashkësi/Asociacion do të kishte “mbikëqyrje të plotë” të fushave të zhvillimit ekonomik, arsimit, shëndetësisë, planifikimit urban dhe rural”.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vënë kufizime të caktuara mbi zbatimin e kësaj dispozite, të cilën, pa dyshim, Kosova e pranoi lirshëm. Megjithatë, që nga atëherë, autoritetet e Kosovës kanë mbetur pezull, duke dështuar në zbatimin e zotimit të marrë përsipër, në pajtim me interpretimin prej tyre të Marrëveshjes së Brukselit më 2013 dhe interpretimin e ofruar prej Gjykatës Kushtetuese. Në vend se ta miratojnë versionin e tyre të këtij zotimi, kjo çështje tani po ngrihet vazhdimisht nga BE-ja dhe Beogradi, si shembull i dështimit të Prishtinës që t’i jetësojë obligimet e marra.

Për më keq, në vend të rregullimit të kësaj çështjeje përmes ligjeve të saja, “non-paperi” tani e bart atë në fushën e negociatave të ardhshme. Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian tashmë ka kërkuar që Kosova ta ndryshojë Kushtetutën e saj, për t’iu përshtatur një interpretimi më gjithëpërfshirës të zotimit për krijimin e Asociacionit të Komunave Serbe. Kjo rrezikon ta krijojë një shtresë të tretë të qeverisjes, apo qeverisjes paralele – në Kosovë – propozim që vazhdimisht është hedhur poshtë gjatë procesit të udhëhequr nga Ahtisaari.

Në të vërtetë, “non-paperi” shkon përtej propozimit të vetëm një shtrese të autoritetit në formën e Asociacionit të Komunave Serbe. Dokumenti pazakonshëm propozon krijimin e një distrikti autonom të Kosovës veriore, si njësi e vetme e vetëqeverisjes rajonale në Kosovë. Ky rajon do të ishte i madh. Do të përfshinte qytetet e Zveçanit dhe 35 fshatrave të tij, Leposaviqit dhe 72 fshatrave të tij, dhe Mitrovicës së Veriut e zonave të afërme kadastrale, ashtu si dhe Zubin-Potokut dhe 63 fshatrave të tij.

“Non-paperi” parasheh që ky rajon ta ketë asamblenë e zgjedhur dhe këshillin ekzekutiv që do ta administronte si njësi të vetme. Do të ushtronte kompetenca të gjëra të vetëqeverisjes, përtej fushëveprimit të juridiksionit të Qeverisë së Kosovës. Krahas një përfaqësuesi të Qeverisë së Kosovës dhe distriktit verior, do të kishte përfaqësim nga Serbia dhe BE-ja në këshillin ekzekutiv. Me fjalë të tjera, territori do t’i nënshtrohej qeverisjes së ndërkombëtarizuar me përfshirjen e drejtpërdrejtë të Qeverisë së Serbisë. Serbia, natyrisht, deri më tani i ka financuar dhe administruar strukturat paralele në Mitrovicën Veriore, duke inkurajuar popullsinë lokale që t’i kundërvihet secilës përshfaqje të autoritetit sovran të Kosovës në atë rajon. Dhe është parim i palëkundur që pas përvojave të saj gjatë luftës, Kosova nuk do të mund t’i kthehet kurrë ushtrimit të autoritetit nga Serbia në territorin e saj.

Një element tjetër i “non-paperit” ka të bëjë me Kishën Ortodokse Serbe. Sërish, letra propozon një shtresë të mëtejme të autoritetit të pavarur, duke gëzuar një “status të privilegjuar”. Kisha Ortodokse Serbe parashihet të funksionojë si “pjesë vetëqeverisëse” e sistemit politik dhe kushtetues të Kosovës, e qeverisur prej patriarkut të Kishës Ortodokse Serbe në Manastirin e Pejës. Një gjë e tillë i përafrohet vizionit të Beogradit për një status ekstraterritorial të lokaliteteve të ndryshme të Kishës Ortodokse Serbe, ngjashëm me rregullimet për malin Athos, por të shpërndara nëpër territorin e Kosovës.

Sërish, dokumenti nuk përmend fare faktin se Kisha Ortodokse Serbe, lokalitetet, strukturat dhe personeli i saj, tashmë gëzojnë mbrojtjen më të avancuar që mund të merret me mend, në pajtim me dispozitat e dokumentit të Ahtisaarit. Këto dispozita janë ngërthyer besnikërisht në legjislacionin e Kosovës. Këtu përfshihet sistemi i zonave nën mbrojtjen speciale përreth trashëgimisë ortodokse serbe.

Sfida ka të bëjë më pak me shtimin e shtresave të reja të mbrojtjes dhe ndarjen e këtyre lokaliteteve nga Kosova. Në vend të kësaj, çështja është se si autoritetet ortodokse serbe mund të inkurajohen butësisht dhe ngadalë, ta pranojnë se jetojnë dhe veprojnë (tërësisht të lira) në Kosovë. Në fund të fundit, ato do të duhet të punojnë me institucionet e Kosovës për ruajtjen e lokaliteteve të trashëgimisë dhe të siguruarit se ato do të lulëzojnë si pjesë e komuniteteve të tyre lokale, e jo të izoluara. Krahas domethënies së veçantë që kanë për komunitetin ortodoks serb, këto lokalitete janë njëkohësisht pjesë e trashëgimisë së Kosovës, popullsia e së cilës po tëhuajësohet gjithnjë e më shumë prej tyre.

Marrë në tërësi,”non-paperi” duhet t’i alarmojë autoritetet e Kosovës ndaj të menduarit që mund të shtyhet përpara prej akterëve të jashtëm të përfshirë në procesin e normalizimit. Në anën pozitive, dokumenti tregohet i drejtë duke i kërkuar Serbisë ta pranojë Kosovën si shtet. Ndonëse nuk e përdor termin “njohje”, ai përmbajtjesisht e parasheh atë, krahas vendosjes së raporteve diplomatike mbi bazën e së drejtës ndërkombëtare. Për më tepër, kushti që Serbia të heqë dorë nga pretendimi mbi Kosovën në Kushtetutën e saj të paktën është tregues i një gjëje të tillë.

Në anën negative, instrumenti pasqyron frymën dhe qëndrimet e imponimit paternalist. Ai shpërfill ekzistencën e Kosovës si shtet për më shumë se një dekadë, i njohur prej mbi 100 shteteve të tjera. Në vend të kësaj, pret që Kosova të paguajë sërish për privilegjin e shtetësisë. Më e rëndësishmja është që kjo ndërlidhet me shpërbërjen e shtetësisë së Kosovës në tri nivele. Së pari, do të kishte presion në përkrahje të një versioni të ekzagjeruar të Asociacionit të Komunave Serbe, duke e krijuar një shtresë të mëtejme të vetëqeverisjes, tejmase të larguar nga juridiksioni i Kosovës. Së dyti, do ta krijonte rajonin verior apo distriktin, si njësi të vetme nën administratën e saj, gati tërësisht të shkëputur nga juridiksioni i Kosovës. Ai do të vihej nën mbikëqyrjen e ndërkombëtarizuar me përfshirjen direkte nga Serbia. Në fund, do të kishte ndarje të mëtejme të Kosovës nga trashëgimia e saj ortodokse serbe.

Kjo qasje përfaqëson një qasje tërësisht të vjetruar të ndarjes etnike dhe shtresëzimit të autonomisë mbi autonomi. Një qasje e tillë ishte parë fillimisht pas konflikteve etnike të viteve nëntëdhjetë. Përgjithësisht besohet të ketë dështuar në jetësimin e pajtimit etnik dhe shteteve funksionale multietnike. Bosnja ofron shembullin më të mirë të këtij dështimi të nxitur ndërkombëtarisht.

Natyrisht, “non-paperi” mund të jetë njëlloj mashtrimi. Duket vështirë e besueshme të jetë vënë përpara, madje edhe si provë, me njëfarë synimi serioz. Por, ekzistenca e tij duhet ta bëjë Qeverinë e Kosovës që të formulojë një numër parimesh bazë, që do të njoftonin rreth qëndrimeve të saj në negociatat e ardhshme.

Qeveria me të drejtë nuk po ngutet për një kthim në negociata. Sidoqoftë, ajo duhet ta formësojë procesin dhe pritjet themelore për bisedimet, të cilat, dikur, do të ndodhin. Ajo duhet të njoftojë se nuk po negocion për statusin e Kosovës. Ajo fazë ka kaluar moti dhe shtetësia e Kosovës nuk është çështje. Kosova nuk është e gatshme të bëjë koncesione të reja, për ta marrë atë që tashmë e ka – shtetësinë. Si tregon edhe titulli i bisedimeve, Kosova në vend të kësaj është e gatshme të diskutojë në besim të mirë normalizimin e raporteve në interesin e përbashkët, reciprok të të dyja palëve./Koha.net/

(Marc Weller është profesor i së Drejtës Ndërkombëtare dhe Studimeve Ndërkombëtare Kushtetuese në Universitetin e Cambridgeit dhe autor i librit “Shtetësia e kontestuar: Beteja e Kosovës për Pavarësi”, Oxford University Press, 2009. Ka shërbyer si këshilltar për Kosovën në negociatat në Rambuje dhe ato të Ahtisaarit)

Të tjera