Analistët shqiptarë e serbë: Propozimi i Perëndimit “do ta nxirrte veriun nga kriza”
Autori: Gazeta inFokus 19:07 | 06 June 2023
Kërkesat e zyrtarëve perëndimorë për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës duhet të pranohen nga kryeministri i vendit, Albin Kurti, dhe nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në rast se nuk duan përshkallëzime të mëtejme, thonë njohësit e proceseve politike, Rrahman Paçarizi dhe Dushan Janjiq.
Tensionet në këtë pjesë të Kosovës, të banuar me shumicë serbe, janë rritur qysh më 26 maj, kur kryetarët shqiptarë të komunave Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, kanë marrë detyrën, përkundër rezistencës së popullatës lokale.
Komuniteti serb i ka bojkotuar zgjedhjet e 23 prillit, nga të cilat kanë dalë këta kryetarë.
Në një takim me Kurtin, mbrëmjen e së hënës në Prishtinë, i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, dhe i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, paraqitën tri kërkesa për të: qetësimin e situatës në veri, mbajtjen e zgjedhjeve të reja në komunat atje, si dhe kthimin në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
Lajçak tha se ky është një “propozim në emër të komunitetit ndërkombëtar”. Escobar tha se nuk ka parë kurrë “më shumë unitet brenda komunitetit transatlantik, SHBA-së dhe BE-së”, në lidhje me këto kërkesa.
Se a e kanë arritur ta bindin Kurtin për to, Lajçak tha se “nuk kemi arritur ende atje”.
Kurti: Vetëm sundimi i ligjit mund t’u hapë rrugë zgjedhjeve në veri
Qeveria e Kosovës tha përmes një komunikate për media se Kurti, në takim me diplomatët perëndimorë, ka theksuar se “rrugë përpara është ndalimi i menjëhershëm i sulmeve nga ekstremistët e dhunshëm dhe grupet kriminale ndaj organeve të sigurisë vendore dhe ndërkombëtare, si dhe gazetarëve”.
“Vetëm sundimi i ligjit mund t’u hapë rrugë zgjedhjeve të parakohshme, të lira, demokratike e të ndershme”, citohet të ketë thënë Kurti.
Autoritetet në Kosovë kanë fajësuar “bandat kriminale”, të dirigjuara nga Serbia, për trazirat në veri, të cilat kanë kulmuar në përleshje të dhunshme midis protestuesve dhe ushtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, më 29 maj në Zveçan.
Beogradi zyrtar, ndërkaq, ka hedhur fajin te Qeveria e Kosovës, duke thënë se qëllim i saj është dëbimi i serbëve nga pjesa veriore – edhe pse nuk ka paraqitur ndonjë provë për këto pretendime.
Qëndrim të ngjashëm me Kurtin shprehu edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila të martën priti në takim Lajçakun dhe Escobarin.
“Ndëshkimi i grupeve kriminale dhe individëve që përdorën dhunë ndaj policisë, gazetarëve, pjesëtarëve të KFOR-it, EULEX-it dhe qytetarëve, është rruga e vetme për stabilitet të qëndrueshëm dhe afatgjatë”, tha Osmani, sipas një komunikate të lëshuar nga zyra e saj.
Osmani shprehu, po ashtu, “përkushtimin e plotë që të punohet së bashku me partnerët ndërkombëtarë, në mënyrë që në veri të vendit të sundojë rendi e ligji dhe të ruhet sovraniteti i Republikës së Kosovës”.
Osmani tha se zgjedhjet e reja në komunat në veri të vendit mund të organizohen në përputhje me kornizën aktuale kushtetuese e ligjore dhe, në këtë kontekst, shtoi ajo, “duhet të sigurohet pjesëmarrje demokratike e qytetarëve” që jetojnë atje.
Lajçak dhe Escobar do të qëndrojnë sot edhe në Beograd.
Paçarizi: Kurti mund ta kapitalizojë momentin
Rrahman Paçarizi, profesor në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, thotë se bashkësia ndërkombëtare, që nga fillimi i krizës në veri të Kosovës, i ka bërë të qartë hapat që duhet të ndërmerren për uljen e tensioneve. Këta hapa, sipas tij, i ka formuluar më pas përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, i cili ka kërkuar nga Prishtina që të shpallë zgjedhje të reja në komunat në veri, ndërsa nga Beogradi të sigurojë pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës në këto zgjedhje.
Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve të Kosovës – dhe Beogradi zyrtar, i cili e kontrollon këtë parti, e kanë kushtëzuar pjesëmarrjen në zgjedhje me largimin e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga veriu i vendit dhe me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Paçarizi vlerëson se kryeministri Kurti duhet të heqë dorë nga veprimet e pakoordinuara me BE-në dhe SHBA-në, ndërsa Lista Serbe, sipas tij, duhet të heqë dorë nga“kushtet absurde”.
Asociacioni, sipas tij, nuk mund të formohet pa integrimin e serbëve në institucione – së paku pa pjesëmarrjen e tyre në zgjedhje.
Këmbëngulja e Listës Serbe tek Asociacioni tregon se Beogradi nuk e do vërtet formimin e tij, thotë Paçarizi.
“…prandaj, zotëri Kurti e ka këtu një kartë të sigurt për ta çuar përpara Marrëveshjen e Brukselit dhe atë të Ohrit [për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë], pasi që mungon gatishmëria e Beogradit. Mendoj që zotëri Kurti duhet ta kapitalizojë… në kuptimin që Beogradi të marrë përsipër barrën e përgjegjësisë për moszbatimin e marrëveshjes dhe jo që Kurti të shndërrohet në një problem dhe pengesë e identifikuar nga bashkësia ndërkombëtare”, thotë Paçarizi për Radion Evropa e Lirë.
Sipas tij, autoritetet e Kosovës dhe ato të Serbisë duhet t’i marrin seriozisht kërkesat e zyrtarëve perëndimorë dhe ta kuptojnë mirë situatën, e cila, mund të përkeqësohet edhe më tej. Një krizë e sigurisë, thotë Paçarizi, është e papranueshme për Perëndimin.
Janjiq: Paralajmërim i lajmeve të mira?
Dushan Janjiq, nga Forumi për Marrëdhënie Etnike në Beograd, thotë se përplasja e protestuesve serbë me pjesëtarët e KFOR-it, më 29 maj, ka prekur linjat e kuqe të NATO-s, por edhe të vendeve perëndimore në përgjithësi.
Për një gjë të tillë, sipas tij, është i vetëdijshëm edhe Beogradi zyrtar, por edhe Prishtina zyrtare. Prandaj, kërkesat e BE-së dhe SHBA-së, thotë Janjiq, nuk do të mund të refuzohen më nga palët.
“Pra, nuk shoh që Beogradi do të mund dhe nuk do të dëshirojë ta kundërshtojë këtë forcë (NATO-n). Por, para së gjithash, për arsye politike, nuk mendoj që Kurti do të vazhdojë kundërshtimin e tij. Për mendimin tij, më shumë ka të bëjë tash me devijimin e tij politik, sepse shumica e faktorëve politikë në Kosovë, e as Kurti, nuk janë për përplasje me NATO-n. Mendoj se kjo [vizitat dhe kërkesat e Lajçakut dhe Escobarit në Kosovë dhe Serbi] janë paralajmërim i lajmeve të mira të mundshme – qetësimit të situatës”, thotë Janjiq për Radion Evropa e Lirë.
Për momentin, sipas tij, maksimumi i asaj që mund të arrihet, është ulja në minimum e rrezikut për konflikt të armatosur, e sidomos sulmeve ndaj KFOR-it.
Qetësimi i situatës në veri dhe mbajtja e zgjedhjeve lokale në komunat veriore të Kosovës, sipas tij, janë rruga që i rikthen palët në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve. /REL/
Të tjera
-
Bedri Hamza takon profesorin e tij: Ato që i thotë, ka me i realizu, se ia njoh karakterin dhe mentalitetin
Kandidati për kryeministër nga radhët e PDK-së, Bedri Hamza, në rrjetet e tij...
-
Kush është fajtori kryesor për moskalimin e marrëveshjeve ndërkombëtare?
Ani pse pas një takimi të Albin Kurtit më kreun e PDK-së, u votuan disa marrë...
-
“Ka qenë i veçantë, një djalë i sjellshëm, i urtë, me të gjitha notat 5-she, ato që i premton edhe i realizon”, profesor Xhaferi vlerëson lart nxënësin e tij Bedri Hamzën
Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, ka takuar profesorin e tij,...
-
Bejta falënderon stafin e Komunës së Prishtinës për punën e palodhshme: Viti tjetër, edhe me më shumë suksese
Kandidatja për deputete nga LDK, Fiknete Bejta, ka publikuar disa fotografi n...
-
Pasaporta e Kosovës në mesin e 10 pasaportave të botës që kanë shënuar përmirësimin më të madh
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur se viti 2024 ka qenë viti...
-
Kërkohet ndihmë për 16-vjeçarin nga Istogu që vuan nga Leukemia, ka nevojë për shërim jashtë vendit!
Familja Dani nga Kërrnina e Istogut kërkon ndihmë për shërimin e djalit ! ...
-
Incidenti në Novi Sad, mijëra njerëz protestọjnë kundër regjimit të Vuçiqit
Studentët, të cilët prej javësh i kanë bllokuar fakultetet në Universitetin e...
-
Elezi: Mbi 58 mijë kërkesa për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka njoftuar...
-
Java nis me reshje bore – Parashikimi i motit për pesë ditët e ardhshme
Moti nga e hëna parashihet të jetë i ftohtë dhe me reshje të herëpashershme b...
-
NATO trajnon trupat ushtarake ukrainase në Lituani dhe Poloni
Ushtarët ukrainas janë trajnuar nga trupat e NATO-s që kur Rusia sulmoi Ukrai...
-
Mediat ndërkombëtare jehonë lajmit për mbylljen e TikTok në Shqipëri
Lajmi për mbylljen e TikTok në Shqipëri ka gjetur pasqyrim të gjerë në mediat...
-
Ndalohet një autobus në Merdare, në një valixhe kapet nga Dogana një armë me 50 fishekë
Dogana e Kosovës ka njoftuar se në pikën kufitare në Merdare gjatë kontrollit...