Lajme

Analistët: PDK të shkojë në opozitë, LDK-në ta ndëshkojë elektorati

Autori: Gazeta inFokus 14:14 | 13 May 2017

Rrëzimi i koalicionit ka qenë diçka e pritshme. Partive u mbetet që të punojnë në programet e tyre, mirëpo, fatkeqësisht pritet që dhe në këtë fushatë të ketë përplasje, akuza, kundër akuza, sharje e fyerje, të cilat kanë filluar menjëherë pas prishjes së koalicionit, e me të cilat do të provohet që të merret vota e qytetarëve.

PDK duhet të shkojë në opozitë dhe se ky do të ishte lajm i mirë për vendin. Kështu pohojnë analist politikë, të cilët flasin pas situatës së krijuar me rrëzimin e Qeverisë dhe shkuarjes së vendit në zgjedhje.

Analisti Imer Mushkolaj, thotë për KosovaPress se duhet të shihen mundësi, qoftë të koalicioneve para zgjedhore ose pas zgjedhore, në mënyrë që të provohet që proceset të qohen tutje, me PDK-në, në opozitë.

-Advertisement-

“Partitë do të mendojnë për koalicione të ndryshme, në kuptimin e koalicioneve parazgjedhore ose paszgjedhore, mirëpo besoj se ato duhet të jenë të vetëdijshme se nëse dëshirojnë në të vërtetë të vijnë me ndryshim, atëherë është e nevojshme shumë që PDK të mbetët në opozitë. Edhe unë besoj se partitë duhet të shohin në këtë aspekt, sidomos partitë opozitare. Nuk po e them këtë se mund të kem ndonjë averzion ndaj një partie të caktuar, por njëmend mbas një dekade qeverisje, me shumë keq qeverisje brenda, është e dobishme për vet PDK-në, që të mbetet në opozitë. Në njëfarë forme të provoj një koalicion i ri që të qojë përpara proceset. Mustafa qysh në fillim të mandatit e ka pasur të qartë se nuk mund të bëjë gjë duke qenë në koalicion me PDK në, për shkak se e dimë që PDK, e ka të shtrirë rrjetin gjithandej nëpër institucione të Kosovës dhe Mustafa në njëfarë forme, vetëm i është përshtatur atij rrjeti. Ta zëmë aty ku ka pasur anëtarë të bordeve PDK-ja, edhe LDK-ja, i ka qu anëtarët e vet, po flas për militant partiak, kryesisht dhe në këtë mënyrë asnjë parti tjetër, që do të provojë të qeverisë me PDK-në, nuk do të ketë sukses për shkak se nuk është e mundur dhe besoj që partitë politike e kanë të qartë këtë gjë. Duhet të shihen mundësi të tjera, qoftë të koalicioneve parazgjedhore ose paszgjedhore, në mënyrë që të provohet që proceset të qohen tutje me PDK-në në opozitë”, tha ai.

Mushkolaj thotë se jo vetëm që PDK do të duhej të shkojë në opozitë, por edhe LDK-ja do të duhej të ndëshkohet nga elektorati, të cilin e tradhtoi, me hyrjen në koalicion me PDK-në. Ndërsa e quan të turpshëm fundin e koalicionit PDK-LDK.

“Leksioni që ka marrë LDK-ja nga PDK-ja, respektivisht përfundimi i turpshëm i qeverisjes, unë besoj se do të duhej t’iu shërbejë shumë mirë partive opozitare, në mënyrë që ta shohin se çfarë mund t’i gjejë, respektivisht, cili do të jetë epilogu i qeverisjes eventuale me PDK-në në të ardhmen. Besoj që ky është leksion i mirë dhe partitë politike duhet të shohin se si të veprojnë tutje. E kam fjalën duke filluar që nga VV, AAK, Nisma dhe partitë tjera jashtë parlamentare, duke e përfshirë AKR-në, Alternativen e kështu me radhë… Elektorati duhet ta ndëshkojë zotin Mustafa për shkak se nuk e ka mbajt premtimin, për shkak se përnjëmend e pat tradhtuar elektoratin e vet duke bërë koalicion me Kadri Veselin, me SHIK-un siç thoshte dhe me PDK- në dhe natyrisht për këtë duhet ndëshkuar. Tash kur e dëgjoj z.Mustafa dhe zyrtarët tjerë të LDK-së, duke thënë se neve na tradhtoi partneri i koalicionit. Është mirë që vetëm ta sjellë ndërmend se çfarë ka ndodhur para 3 vjetësh kur këta e kanë tradhtuar elektoratin e tyre, i cili i ka votuar që mos të bëjnë koalicion me PDK- në”, tha ai.

E si problem për PDK-në, Mushkolaj nuk e sheh PDK-në e Kadri Veselit, por vetë Isa Mustafën. Ndërsa thotë se grupi reformator brenda LDK-së, duhet ta krijojë masën më të madhe kritike, në mënyrë që të reagojë dhe LDK-së t’i jap një drejtim të ri, duke e hequr ato kthetrat e këtij grupi që e kanë kapur LDK-në tash e dy dekada e gjysmë.

Analisti tjetër, Driton Selmanaj, thotë se mënyra se si PDK zgjodhi të ikë nga koalicioni po vendos një standard të rrezikshëm në vend, si tradhtia dhe format prapa shpinës. Ai thotë se pritet të jetë garë interesante në mes të partive. Ndërsa uron që koalicioni LDK-PDK të mos përsëritet kurrë më.

“Tash me të rëndësishme e shoh çfarë do të ofrojnë partitë politike, çfarë programe, çfarë kuadro do të ofrojnë para zgjedhësve, sepse kanë dëshmuar që legjislatura e fundit ishte më tepër se e dobët. Kjo legjislaturë mbahet mend si legjislaturë e gazit dhe përfundoj… Ky koalicion PDK-LDK, uroj që të mos përsëritet asnjëherë në Kosovë, sepse doli të jetë i pafrytshëm, jo produktiv dhe i rrezikshëm për demokracinë dhe formën si vendosin me qeverisë njëra me tjetrën… Kemi me pas një garë interesante, sepse diferenca në mes të partive politike, rezultatet e tyre, nuk ka me qenë më e madhe. Jam i sigurt se katër partitë politike ose katër konjuktura të reja politike, varësisht si organizohen, diferenca mund të jetë 2-3 për qind prej njëra për tjetrës, dhe kjo e bën më interesante si garë dhe më interesante dhe si formë e koalicioneve që mund të ndërtohen pas zgjedhjeve”, tha ai.

Selmanaj thotë se do të ishte vlerë për vendin që PDK të shkojë në opozitë.

“Mendoj që do të ishte vlerë për këtë vend që partitë politike, e sidomos PDK do të ishte vlerë për këtë vend nëse del në opozitë. Do të ishte e shëndetshme për ta, për t’u marrë me veten dhe organizimin e tyre të brendshëm, do të ishte e shëndetshme për Kosovën për të ndërruar trendi i qeverisjes. Kushdo tjetër prej partive politike, çdo kombinatorikë tjetër do të ishte e pranueshme dhe shumë më produktive sesa PDK.  Mendoj që shkuarja e tyre në opozitë, do të ishte lajmi më i mirë dhe më i madh për Kosovën”, tha ai.

Ndërsa sa i përket LDK-së, Selmanaj thotë se mënyra se si u rrëzuar nga pushteti, mund të shërbejë si element i mobilizimit të brendshëm, në mes strukturave dhe elektoratit dhe se kjo ta përmirësojë atë humbjen e ndjeshme që e ka pasur kjo parti për shkak të hyrjes në koalicion krejtësisht të panatyrshëm me PDK-në.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Comodita në Las Vegas Market prezanton linjat e reja të dyshekëve për tregun amerikan

Të tjera