Lajme

Analistët: LVV-në e LDK-në po i ndajnë hasmëritë e së kaluarës, mundësitë janë reale që PAN-i t’a formojë Qeverinë

Autori: Gazeta inFokus 19:06 | 13 January 2020

Kanë kaluar 100 ditë prej se vendi ka mbetur pa qeveri.

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, pavarësisht se zhvilluan shumë takime për të biseduar rreth arritjes së marrëveshjes së koalicionit, nuk mundën të arrijnë një marrëveshje përfundimtare.

Analisti politik, Arben Ahmeti në një prononcim për Periskopin i bën të dy partitë fajtore për mos arritjen e marrëveshjes për koalicion.

-Advertisement-

Madje, Ahmeti nuk e përjashton nga faji asnjë parti që është pjesë e Kuvendit të Kosovës.

‘’Që të dyja janë fajtore, bile prej përgjegjësisë së krijimit të institucioneve nuk mund të largohen as PDK e as AAK cilado parti që është në parlament. Me një logjikë të shëndoshë, secila parti që është në parlament do të duhej që funksionin e saj të parë ta kishte ndërtimin e institucioneve në vend që t’i jepet mundësi që të qeveriset. Mungesa e qeverisjes, shkakton shumë probleme qoftë në aspektin e sigurisë, zhvillimit ekonomik e çfarëdo aspekti e Kosova nuk ka kohë për të humbur. VV si parti e parë është dashtë më propozu më shumë skenarë për ndërtimin e qeverisë’’, tha Ahmeti.

Analisti i njohur thotë se dyshon se pozitat nuk janë ato të cilat po i ndajnë LVV-në e LDK-në për të mos arritur marrëveshje, pasiqë sipas tij, arsyeja e mosarritjes së koalicionit janë hasmëritë që këto dy parit kanë pasur në të kaluarën.

‘’Mungesa e një pozite ose pozitës tjetër, qoftë e kryeparlamentarit ose Ministrisë së Punëve të Brendshme është shkaktarja e mungesës së koalicionit. Po besoj që cilido post tjetër është tepër i parëndësishëm i interesit për me ndërtu koalicion. Po mendoj që të dy partitë nuk janë tregu të sinqerta, problemi i mos pasjes së koalicionit bjen ekskluzivisht si rezultat i hasmërive shumë më të gjata që i kanë këto dy parti. Posti i presidentit, i Kryetarit të Kuvendit apo ministrit të MPB-së, ka qenë arsyetim për mungesë koalicioni e jo shkaktari’’, tha analisti.

Gjatë ditës së sotme, ish-shefi i OSBE-së, William Walker dhe Ambasadori i SHBA-së, në Kosovë, Philip Kosnett kanë qenë për vizitë në selinë e LDK-së për tu informuar rreth bisedimeve për arritjen e marrëveshjes mes VV-së dhe LDK-së për koalicion.

Ahmeti duke komentuar vizitën e tyre, thotë se kësaj radhe vërehet një ndërhyrje më e zbehtë e faktorit ndërkombëtar në negociatat për koalicion.

Ai thekson se shumë më mirë është që çështjen e koalicionit ta lërë në ndërgjegjen e partive politike dhe që vetë populli ta sheh se në çfarë niveli është klasa politike.

‘’Jemi karshi një mungese të presionit klasik të faktorit ndërkombëtar siç ka ndodh në të kaluarën duke e pasë parasysh edhe nivelin e zyrtarëve që po e vizitojnë njërën ose tjetrën parti mos të harrojmë se deklaratat e ambasadorit Kosnett qofshin publike ose jo publike janë shumë më të matura. Kam përshtypjen përkundër që po e vuajmë mungesën e një qeverie. Ndoshta është më mirë që kështu të mos kemi ndërhyrje të fuqishme ndërkombëtare, të tregojmë sa e papërgjegjshme është klasa jonë politike. Se partitë tona janë grupe që luftojnë për interesa partiake e assesi të vendit’’, përfundon Arben Ahmeti.

Ndërsa, analisti Ramush Tahiri në një prononcim për Periskopin thotë se fajtore për mos formimin e qeverisë janë të dy partitë. Megjithatë, ai konsideron se kërkesa e LDK-së për ta pasur kryetarin e Kuvendit është e pavend dhe e konsideron fajtore për shtyrjen e formimit të qeverisë.

Tahiri i vë faj edhe presidentit të vendit Hashim Thaçi, i cili sipas tij do të duhej ta dominonte Albin Kurtin për kryeministër, meqë tashmë dihet se Kurti do të jetë kandidat.

‘’Nëse LDK e kërkon kryeparlamentarin, unë mendoj se është fajtore. Sepse kryetari i Kuvendit i takon partisë së parë dhe nuk mund të ketë marrëveshje, me Kushtetutë është paraparë vendimi i kryesisë. Kryesia e ruan balancin e zgjedhjeve dhe nuk zgjidhet me shumicë votash por me konsensus. Fajtor mund të jetë edhe presidenti që nuk e nominon Kurtin megjithëse ky i fundit ka thënë që është kryeministër i Kosovës’’, tha Tahiri.

Tutje, analisti thekson se edhe plani i Kurtit për të mos e dërguar letrën te Presidentit, shkakton vonesa.

‘’Albin Kurti si lider i partisë nuk po e çon letrën te Presidenti për me u nominu. Prej datës të nominimit Kurti i ka 15 ditë afat që ta formojë koalicionin. Bisedimet që po zhvillohen deri tash janë jo legale sepse janë pa mandat. Ende nuk është mandatu dhe nëse nuk mandatohet ai s’mundet me bë bisedime me kërkend, zyrtarisht s’mundet me zhvillu bisedime’’, tha ai.

Ndër tjera, thekson se për të gjetur një zgjidhje më të shpejtë dhe për t’i dhënë fund pritjeve për koalicion, Lidhja Demokratike e Kosovës duhet të lëshojë pe në kërkesat e saj.

‘’Pe duhet të lëshojë LDK nëse janë të vërteta lajmet se po kërkon kaq shumë. Sepse duhet të dallohen cila është partia e parë dhe cila e dytë. Për mendimin tim marrëveshja nuk duhet të jetë mbi Kushtetutën’’, theksoi Tahiri.

Tutje, analisti e sheh si plan B rikthimin e PAN-it.

Sipas tij, nëse VV dhe LDK nuk arrijnë të bëjnë marrëveshje për koalicion, atëherë në qeveri mund të vije partia e tretë apo e katërt e që i bie të jenë PDK dhe AAK.

‘’Nëse VV me LDK-në nuk arrijnë marrëveshje është mundësia që partia e tretë ose e katërt ta formojë qeverinë. Presidentit i takon që t’i mandatojë që vendin të mos e çojë në zgjedhje. Një parti e vetme nuk mundet me çu vendin në zgjedhje përpos nëse ka shumicë parlamentare dhe janë 61 vota. Dhe në këtë rast janë 63 me 57 dhe vendi s’ka asnjë arsye të shkojë në zgjedhje’’, përfundon Tahiri.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Prince Caffe pjesëmarrës në panairin “Gulfood Fair 2024” në Dubai

Të tjera