Lajme

Analistët e vlerësojnë angazhimin e Francës e Gjermanisë për dialog

Autori: Gazeta inFokus 08:00 | 09 September 2022

Sot në Kosovë pritet të vijnë për vizitë emisari i Gjermanisë dhe ai i Francës, bashkë me Emisarin Special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak. Kjo vizitë, nga njohësit e rrethanave politike në vend po e konsiderohet si përpjekje dhe presion për themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Emisari Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosove-Serbi, Miroslav Lajçak, i shoqëruar nga Jens Plotner, këshilltar i Jashtëm i kancelarit gjerman, Olaf Scholz, dhe Emanuel Bone, këshilltar i presidentit francez, Emanuel Macro, sot do të qëndrojnë në Kosovë.

Njohësit e rrethanave politike në vend e vlerësojnë të rëndësishëm angazhimin e Francës dhe Gjermanisë në dialog.

-Advertisement-

Dorajet Imeri këtë vizitë e sheh si përpjekje për vazhdimin e dialogut dhe si presion për themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Ardhjen e tyre më shumë e shoh si një përpjekje për të vijuar angazhimin e tyre për të gjetur sa më parë zgjidhje të pranueshme për palët dhe këtë momentumin e krijuar pas arritjes së disa marrëveshjeve të shfrytëzohet momenti edhe për vijuar me tej me procesin. Tash, çka ka mbetur është themelimi i asociacionit dhe kjo sigurisht që është pika më e ndjeshme, për shkak se themelimi i këtij asociacioni është jo kushtetues”, ka deklaruar Imeri për Radio Kosovën.

Ndërkaq, analisti Artan Muhaxheri konsideron se vizitat e tyre, por edhe liderëve të tjerë në këtë kohë, është presion për Qeverinë e Kosovës për themelimin e asociacionit.

“Për fat të keq asociacioni është bërë një lloj kriteri për vazhdimësinë kualitative të dialogut. Prandaj, bashkësia ndërkombëtare është duke i shumëfishuar përpjekjet për ta shndërruar këtë temë në aktualit dhe për të gjetur ndonjë mënyrë sa më efikase për të arritur një marrëveshje për sa i përket kësaj çështjeje”, është shprehur Muhaxheri për Radio Kosovën.

Ndërkohë, edhe presidenti slloven, Borut Pahor, gjatë qëndrimit në Prishtinë ku takoi krerët e lartë shtetërorë, tha se Asociacioni i komunave me shumicë serbe duhet të themelohet.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera