Lajme

Amerikanët, britanikët e gjermanët demantojnë Sveçlën e Kurtin

Autori: Gazeta inFokus 16:22 | 30 June 2023

Tre aleatët kryesorë perëndimorë të Kosovës: ShBA-ja, Gjermania dhe Britania e Madhe e kanë hedhur poshtë deklaratën e ministrit Xhelal Sveçla për koordinim në vendimin për shpalljen terroriste të dy organizatave në veri.

Qeveria e Kosovës më 29 qershor i shpalli dy formacione ilegale serbe “Mbrojtjen Civile” dhe “Brigadën e Veriut” si organizata terroriste.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha gjatë arsyetimit të vendimit se këto dy organizata, që veprojnë në veri, paraqesin “kërcënim serioz dhe të drejtpërdrejtë për rendin kushtetues dhe sigurinë në Kosovë”.

-Advertisement-

Në konferencën për media menjëherë pas mbledhjes, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla deklaroi se “për këtë hap, ne jemi në koordinuar” me aleatët perëndimorë.

Vetëm pak orë më vonë, ministri Sveçla u përgënjeshtrua nga një komunikim për media i Departamentit Amerikan të Shtetit, ku thuhet se “Qeveria e Kosovës nuk është koordinuar me Uashington-in”.

“Vendimi i Qeverisë së Kosovës për të shpallur këto grupe si organizata terroriste nuk ka qenë i koordinuar me SHBA-të dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë”, thuhet tutje në reagimin e DASH-it.

Veç kësaj, bëhet e qartë se lëvizje të tilla nga Kosova do të duhej të bëheshin në koordinim.

“Ky vendim do të duhej të koordinohej me partnerët më të ngushtë ndërkombëtarë të Kosovës, përfshirë ata të cilët kanë përgjegjësinë primare për të siguruar stabilitetin e Kosovës”, tha edhe një zëdhënës i DASH-it për Radion Evropa e Lirë.

Ndërkaq, një ditë më vonë, deklarata e Sveçlës u demantua edhe nga dy aleatët e tjerë perëndimorë: Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar.

Ambasada e Gjermanisë në Kosovë tha sot se Qeveria e Kosovës nuk është koordinuar me Berlinin sa i përket shpalljes së “Mbrojtjes Civile” dhe “Brigadës së Veriut” organizata terroriste.

Në një përgjigje me shkrim për Paparacin të premten, Ambasada e Gjermanisë tha se vendimi për shpalljen e dy organizatave në veri si terroriste ishte veprim i pakoordinuar i qeverisë me Gjermaninë.

“Vendimi as nuk ishte i koordinuar me Gjermaninë dhe as Qeveria gjermane nuk ishte e njoftuar paraprakisht nga autoritetet kosovare për këtë veprim. Duke pasur parasysh krizën aktuale në komunat veriore, një koordinim i ngushtë me partnerët ndërkombëtarë do të kishte qenë i dobishëm”, tha një zëdhënës i ambasadës për Paparacin.

Zëdhënësi i Ambasadës së Gjermanisë tha se çdo vendim i këtij lloji duhet të respektojë “ligjet përkatëse dhe parimin e proporcionalitetit”.

Kryeministri Albin Kurti dhe ministri Sveçla nuk janë konsultuar për vendimin as me britanikët.

Në një përgjigje me shkrim për Paparacin të premten, Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar tha se qeveria “nuk ishte konsultuar” me Londrën për vendimin.

“Mbretëria e Bashkuar nuk ishte e konsultuar [për vendimin]”, tha shkurt për Paparacin një zëdhënës i Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë.

Sipas ligjit në Kosovë, kur organizatat shpallen terroriste, aktiviteti i tyre ndalohet menjëherë. Çdo aktivitet i mëtejmë i tyre do të bartte pasoja të rënda ligjore.

“Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut” numërojnë qindra pjesëtarë të tyre nga radhët e komunitetit serb.

Shpallja e tyre si organizata terroriste vjen në kohën kur tensionet në veri të Kosovës – të banuar me shumicë serbe – janë rritur.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova nderohet me tre Çmime prestigjioze për qëndrueshmëri
-Advertisement-

Të tjera