Lajme

Amerika e kundërshtoi, PDK’ja s’e ka nijet të zmbrapset nga nisma për projektligjin për vlerat e UÇK’së

Autori: Gazeta inFokus 21:04 | 04 August 2020

Partia Demokratike e Kosovës nuk planifikon të zmbrapset nga nisma për ta çuar përpara projektligjin për vlerat e UÇK-së.

Për projektligjin që parasheh përcaktimin e obligimit institucional dhe qytetar për mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK-së, erdhën kundërshtime edhe nga Ambasada amerikane.

Kjo pasi siç shkroi ambasadori Philip Kosnett, një ligj i tillë nuk ishte formë e duhur për të treguar respekt ndaj UÇK-së.

-Advertisement-

Por, iniciuesi i kësaj nisme, Gazmend Bytyqi, thotë se ndonëse i respektojnë vlerësimet e ambasadorit amerikan, sipas tij, nuk ka arsye që ky ligj të tërhiqet, raporton KTV.

Për projektligjin, Bytyqi thotë se kanë dakordimin e të gjitha partive, dhe miratimi i tij do ta plotësonte tërësisht kornizën ligjore që ka të bëjë me vlerat e luftës.

Por kritika për përmbajtjen e këtij projektligji ka partia opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, dhe sipas Arbërie Nagavcit i njëjti ka nevojë për shumë ndërhyrje me qëllim që të përkrahet nga VV-ja.

Nagavci, po ashtu, ka bërë të ditur se projektligji do të dalë për diskutim të premten në Kuvend.

Kurse, shefi i Grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, pavarësisht përkrahjes që ekzekutivi i dha këtij ligji, tha se vetë nuk e përkrah atë, kurse qëndrimi i partisë së tij do të bëhet publik pasi të shqyrtohet kjo nismë në seancë.

Ndërkohë, ky projektligj ka marrë përkrahjen edhe nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, të cilët thonë se një nismë e tillë është vonuar.

Me kritikat që i janë bërë projektligjit për vlerat e UÇK-së, nuk janë pajtuar as nga Organizata e Veteranëve të Luftës, duke theksuar se i njëjti duhet të miratohet pavarësisht kostos së lartë dhe zërave kundërshtues.

Ndër të tjera, ky ligj mëton mbrojtjen institucionale të veteranëve të UÇK-së.

Neni 6 i këtij projektligji thotë se me rastin e ndaljes dhe arrestimit të veteranëve të UÇK-së, sipas fletarrestimeve ndërkombëtare të lëshuar nga Serbia, me motive politike, Qeveria e Republikës së Kosovës ndërmerr veprimet e nevojshme për mbrojtjen e veteranit.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera