Lajme

Ambasadorja kroate: Taksa duhet të hiqet në mënyrë që të rifilloj dialogu Kosovë-Serbi

Autori: Gazeta inFokus 11:03 | 15 February 2020

Ambasadorja e Kroacisë në Kosovë, Danijela Barisiq ka thënë se po presin nga Qeveria e Kosovës, që të shpjegojnë në detaje se çfarë do të nënkuptoj reciprociteti me Serbinë, duke shtuar se pret një marrëveshje gjithëpërfshirëse mes Kosovës e Serbisë.

Barisiq u shpreh e bindur se qeveria nuk do të bëj diçka që do ta pengoj procesin e dialogut, duke përsëritur se Serbia duhet të ndalojë procesin e çnjohjes, ndërsa, taksa ndaj produkteve serbe dhe boshnjake duhet të hiqet, në mënyrë që të rifillojë ky dialog

Ambasadorja kroate në një intervistë për KosovaPress, flet për atë se a mund të arrihet një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, procesin e liberalizimit të vizave dhe pritjet që kanë nga qeveria e re e vendit.

-Advertisement-

“Siç tha kryeministri juaj tarifat do të revokohen ose parandalohen dhe atëherë ata do të prezantojnë reciprocitetin, kështu që ne si Bashkim Evropian thamë që ato taksa duhet të hiqen në mënyrë që, le të themi që të rifilloj dialogu me Serbinë por natyrisht që Serbia duhet të ndalojë procesin e çnjohjes…Ne jemi duke pritur nga qeveria juaj për të shpjeguar në detaje se çfarë do të thotë kjo, jam e sigurt se të gjitha gjërat që ata do të bëjnë, do jenë që ata të mundësojnë rifillimin e dialogut me Serbi dhe ata nuk do të bëjnë gjëra që do të pengojnë procesin”, thotë ajo.

Ambasadorja kroate thotë se presin që të ketë një marrëveshje gjithëpërfshirëse mes Prishtinës e Beogradit, por për t’u arritur kjo, ajo thotë se duhet të rifillojë dialogu.

“Siç thamë ne presim marrëveshje ligjërisht të detyrueshme dhe gjithëpërfshirëse, por për të arritur atë që ju duhet të uleni dhe të filloni të flisni dhe të rinisni dialogun, pra ky është fillimi”, thotë ajo.

Këtë vit Kroacia ka marrë kryesimin e presidencës së Bashkimit Evropian, e ambasadorja kroate Barisiq thotë se do të mundohen të përkrahin Kosovën në procesin e liberalizimit të vizave, por që potencon se Kosova duhet të ketë argumente që tregojnë se po luftohet krimi dhe korrupsioni.

Si Kroaci ajo thotë se e mbështesin liberalizimin e vizave për kosovarët.

“Ne si Kroaci e mbështesim liberalizimin e vizave për Kosovën, por si presidencë jemi ndërmjetës të ndershëm që do të thotë se ne jemi munduar, po mundoheshim dhe do të mundohemi. Mirëpo, puna jonë është të gjejmë një konsensus midis 27 vendeve anëtare kjo është arsyeja që ne po kërkojmë në rregull na prezantoni argumente tuaja që do të flasin në favor të përpjekjeve tuaja në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionin”, potencon ajo.

Barisi1 thotë se Kosova ka përmbushur të 95 kriteret për viza, por që deklaron se duhet të punohet në vazhdimësi dhe të argumentohet se po vazhdon lufta kundër krimit dhe korrupsionit.

“Siç e thatë ju keni përmbushur kriteret teknike ose 95 kritere që keni pasur dhe Komisioni Evropian tha që ju e bëtë punën tuaj, kështu thanë edhe Parlamenti Evropian, por në fund të fundit të gjitha vendimet në Bashkimin Evropian arrihen me konsensus, që do të thotë se të gjitha 27 shtetet anëtare që duhet të thonë po, në parim për liberalizimin e vizave ka diçka që duhet të bësh vazhdimisht, pra të mos e ndaloni luftimin e luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Kështu që do të ishte mirë nëse do të kemi argumentet që ju po vazhdoni atë luftë në mënyrë që t’i paraqisni ato argumentet tek disa vende që janë ngurruese që tua heqin vizat”, thotë ambasadorja kroate.

Kosova me 3 shkurt është bërë me qeveri të re, e pritjet e Kroacisë nga kjo qeveri janë që të përmbushen të gjitha premtimet e bëra gjatë fushatës zgjedhore, si sundimi i ligjit, përmirësimi i gjendjes në arsim, shëndetësi dhe ekonomi.

Ambasadorja kroate Danijela Barisiq, deklaron se sfidë për qeverinë e re është forcimi i sundimit të ligjit, por që sipas saj, vetëm sundimi i ligjit do të mundësojë që investitorët të vijnë në Kosovë.

Barisiq gjithashtu thotë se nga qeveria presin që të jetë efektive dhe shumë transparente.

“Ne përveç që presim një qeveri shumë efektive dhe shumë transparente dhe ata thonë se do të jenë kur ata shkuan në fushatë për votat dhe votuesit ju dhanë atyre një shans për të formuar një qeveri. Kështu që shpresoj që ata të përmbushin prioritetet e tyre siç thanë, ato prioritete janë sundimi i ligjit, demokratizimi, ekonomia, shëndetësia, arsimi dhe sigurisht bashkëpunimi rajonal…Si zakonisht sfidat janë në forcimin e sundimit të ligjit sepse sundimi i ligjit është thelbësor dhe nëse ju keni zbatuar dhe nëse e keni forcuar dhe unë do të thosha një sundim më të ashpër të ligjit, atëherë është më e lehtë të bësh çdo aspekt tjetër t ë jetës tuaj. Sepse për shembull nëse nuk keni sundim të mirë të ligjit atëherë nuk mund të prisni që investitorët të vijnë këtu sepse ata duan të dinë që gjyqësori dhe ligji janë të parashikueshëm dhe janë transparente kështu që gjithçka qëndron në thelb të sundimit të ligjit”, deklaron Barisiq.

E derisa në Kosovë të garantohet një shtet i drejtë për investitorët, shumë kosovarë viteve të fundit kanë shkuar në Kroaci për të punuar me viza pune. E vetëm vitin e kaluar në Kroaci kanë shkuar 10 mijë qytetarë të Kosovës.

Ambasadorja kroate thekson se në Kroaci vlerësohen punëtorët kosovarë, që sipas saj janë me shumë përvojë.

“Në vitin 2019, 10,000 qytetarë kosovarë shkuan në Kroaci me vizë me leje pune, kështu që do të thotë që n e me të vërtetë i vlerësojmë punëtorët tuaj, ata janë të mirë dhe me shumë përvojë dhe ne duam t’i kemi ata si punëtorët tanë në Kroaci. Gjithashtu kemi pakicën shqiptare në Kroaci, kështu që ndoshta kjo e bënë në një mënyrë më e lehtë për t’u përshtatur atje në Kroaci”, bënë të ditur ajo.

Ambasadorja e Kroacisë në Kosovë Danijela Barisiq, shprehet se bashkëpunimi mes Kosovës dhe Kroacisë është shumë i mirë, por që thotë se gjithmonë ka vend për përmirësime.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Prince Caffe zgjeron shtrirjen në rajon, arrin marrëveshje bashkëpunimi me zinxhirin kroat Plodine

Të tjera