Lajme

Ambasada gjermane tregon për Infokus se sa kohë i duhet për ta trajtuar një vizë pune

Autori: Gazeta inFokus 19:00 | 04 August 2021

Që nga 1 korriku, Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë ka hapur mundësinë e aplikimit për caktimin e terminëve për personat që dëshirojnë të pajisen me vizë pune gjermane.

Në një përgjigje për Gazetën Infokus, Ambasada gjermane ka thënë se shqyrtimi i vizave dallon për secilin, pasi që në procedurën e shqyrtimit, si rregull, duhet të përfshihen autoritetet e brendshme gjermane.

“Kohëzgjatja e shqyrtimit të vizave dallon për secilin rast – pasi në procedurën e shqyrtimit, si rregull, duhet të përfshihen autoritetet e brendshme gjermane, në kohëzgjatjen e përpunimit të të cilave ambasada nuk mund të ndikojë”, kanë deklaruar nga ambasada.

-Advertisement-

Nga kjo ambasadë kanë thënë se ende nuk ka statistika të hollësishme se sa është numri i vizave të lëshuara për vitin 2021.

Gjithashtu në një përgjigje për Gazetën Infokus nga ambasada kanë pranuar se kanë pasur telashe me portalin e terminëve, kjo për arsye të aplikimit të madh në rang botëror dhe jo vetëm të aplikimeve nga Kosova.

“Është bërë fjalë për pengesa në sistemin e caktimit të terminëve në mbarë botën dhe shkaqet e problemit aktualisht janë duke u hulumtuar nga ekspertët e teknologjisë informative të Ministrisë së Jashtme Federale”, kanë deklaruar nga ambasada.

Në një hulumtim të Institutit GAP thuhet se për tri vjet janë shqyrtuar 83,570 aplikacione për viza punë në Ambasadën gjermane.

“Mes viteve 2016 dhe 2019, numri i përgjithshëm i kontratave të punës, dhe, kësisoj, numri i kërkesave të paraqitura në Agjencinë Federale të Punësimit të Gjermanisë (AFP) për shqyrtim u rrit. Numri i aplikacioneve kosovare (gjithsej 83,570 deri në fund të vitit 2019) u luhat, por përgjithësisht përbënte 30% të të gjitha aplikacioneve nga vendet e Ballkanit Perëndimor”, thuhet nga GAP.

Sipas Zyrës së Jashtme Federale Gjermane, Ambasada e Gjermanisë në Beograd lëshoi 2,024 viza, në Sarajevë 1,159 viza, në Prishtinë 792 dhe në Tiranë 778.

Vizat e punës shqyrtohen dhe lëshohen sipas Rregullores për Ballkanin Perëndimor, me qëllim që t’u jepet mundësia punëtorëve nga këto vende qasje më e lehtë në tregun gjerman të punës./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera