Lajme

Ambasada britanike kundër Naser Shalës

Autori: Gazeta inFokus 12:31 | 06 March 2019

Ambasada britanike në Kosovë shpreh keqardhje për vendimin e Kuvendit të Kosovës për të zgjedhur Naser Shalën drejtor të sekretariatit ekzekutiv të Agjencisë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës.

Përmes një reagimi, thuhet se projekti i Ambasadës britanike për mbështetje në rekrutime në sektorin publik dy herë ka mbështetur procesin e zgjedhjes së drejtorit të sekretariatit ekzekutiv të Agjencisë për Krahasim dhe Verifikim të Pronës.

Procesi i parë u anulua nga Kuvendi, ndërsa procesi i dytë i zhvilluar në mënyrë transparente dhe me meritokraci, identifikoi vetëm një kandidat që plotësonte kushtet.

-Advertisement-

“Raporti i rekrutimit, që u bë nga partneri që implementoi projektin, iu është shpërndarë të gjithë krerëve të grupeve parlamentare në Kuvendin e Kosovës. Fatkeqësisht, javën e kaluar, Kuvendi dështoi të përzgjidhte kandidatin e identifikuar që plotësonte kushtet dhe në vend të tij emëroi një kandidat që nuk është i përshtatshëm sipas vlerësimit profesional. Kjo është një shkelje e qartë e Memorandumit të Mirëkuptimit ndërmjet Ambasadës Britanike dhe Kuvendit të Kosovës. Është e drejtë e institucioneve të Kosovës që të emërojnë kandidatë nga lista e kandidatëve të cilët i plotësojnë kriteret”, thuhet në reagimin e Ambasadës.

Më tej thuhet se në këtë rast, në zgjedhjen kandidatit që nuk është konsideruar si i përshtatshëm, institucionet kanë treguar jo vetëm mungesë angazhimi në zbatimin e projektit të përbashkët, por gjithashtu, më e rëndësishmja, mungesa e përkushtimit ndaj mandatit dhe punës së Agjencisë për Krahasim dhe Verifikim të Pronës.

“Ky vendim na bën të dyshojmë nëse shumica parlamentare në Kuvendin e Kosovës ka vullnetin politik për të bërë emërime në bazë të meritokracisë. Si rezultat i këtij vendimi fatkeq, ambasadori britanik është dorëhequr nga pozicioni i tij si kryetar i bordit të Agjencisë për Krahasim dhe Verifikim të Pronës. Dorëheqja e tij iu është dërguar edhe përfaqësuesve specialë të BE-së. Ai falënderon udhëheqësin aktuale dhe stafin e Agjencisë për profesionalizmin dhe përkushtimin e palëkundur gjatë mandatit të tij në bord, dhe u kërkon atyre dhe organizatës çdo sukses në të ardhmen”, thuhet në reagim.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera