Lajme

Albin Kurti thotë që Thaçi po i bën trysni të paparë Gjykatës Kushtetuese

Autori: Gazeta inFokus 15:14 | 20 May 2020

Kryeministri Kurti në një deklaratë që e ka shkruar në profilin e tij në Facebook, ka thënë që Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, po i bën trysni të paparë Gjykatës Kushtetuese.

Kurti, ka thënë që vendimi i tij për dekretimin e Avdullah Hotit për të formuar Qeverinë e re ka kaluar partinë fituese dhe ka mandatuar një që nuk është as në mesin e 10 më të votuarve të zgjedhjeve të fundit, shkruan gazeta inFokus.

“Gjykata Kushtetuese duket se është nën trysni të paparë nga veprimet e Presidentit. Dekreti i tij kapërceu partinë fituese dhe mandatoi atë që nuk ishte as në mesin e dhjetë më të votuarve në zgjedhjet e 6 tetorit! Teksa diskutimi që duhet të bëjmë është për datën më të përshtatshme për zgjedhje. Sepse rasti i tanishëm as formalisht e as materialisht nuk është i ndryshëm prej viteve 2010 dhe 2017: binte qeveria e shkohej në zgjedhje, pra respektohej procedura ashtu si e parasheh shprehimisht Kushtetuta. Në anën tjetër, Presidenti shpalli se 20 ditë është afati që duhet të ketë partia fituese për të çuar emër, pra, nga letra e parë me 2 prill deri te tryeza konsultative me 22 prill. Presidenti në Republikën e Kosovës është politikisht joaktiv. Ai nuk përzgjedh kandidatët e as nuk përcakton afatet, por veçse pranon propozimet. Presidenti simbolik, meqë vuan këtë fakt, don ta kthejë Republikën në simbolike. Me sjelljet e tij ilegale synon ta reduktojë shtetin në institucion paralel ndërsa Kushtetutën në udhëzim të tij administrativ”, ka shkruar Kurti./Gazeta inFokus/

 

Të tjera