Fokus

Albin Kurti shkatërron fabrikën e gazit në Kosovë

Autori: Doresa Geci 14:34 | 17 May 2021

Asetet jo funksionale të termocentralit “Kosova A” pritet të shkatërrohen nga Qeveria e drejtuar nga Albin Kurti.

Kështu është planifikuar edhe në planin qeverisës, shkruan Gazeta Infokus.

“Do të zbatojmë masat ambientale në termocentralin “Kosova B” dhe do të dekomisionojmë asetet jo-funksionale të “Kosovës A””, thuhet në programin e Qeverisë.
Qeveria kështu synon që asetet që nuk janë të përdorshme të largohen nga Korporata Energjetike e Kosovës.

Por cilat janë asetet jo funksionale në “Kosova A”?

Korporata Energjetike e Kosovës dikur nuk prodhonte vetëm energji elektrike.

Për rreth 20 vite “Kosova A” përmes thëngjillit prodhonte edhe gaz, shkruan Gazeta Infokus

Prodhimi i kësaj lëndë nis në vitin 1970, ku në KEK u finalizua përmes projektit gjerman për gazifikim.

Nga Obiliqi u furnizuan me gaz ndërmarrja Ferinokeli në Drenas si dhe disa ndërmarrja tjera gjithandej Kosovës.

Madje nga Obiliqi sasi të konsiderueshme të gazit edhe u eksportuan.

Në vitin 1988 prodhimi i gazit në këtë termoncental u ndal dhunshëm për shkaqe poltike.

Por tani vendi ku ishte impianti i gazifikimi të thëngjillit është shndërruar në një zonë të braktisur e tejet ndotëse.

Të njëjtin fat e kishte edhe reparti ku bëhej prodhimi i plehrave artificial dhe ngrohjes industriale.

Tash e disa dekada impianti i gazifikimit, ngrohtorja industriale dhe ai i prodhimit të plehrave artificiale që janë në lokacionin e zonës industriale “Kosova A” janë mbyllur.
Por shkatërrimi i këtyre reparteve nuk do të thotë që “Kosova A” do të mbyllet krejtësisht.

Zëdhënësi i KEK-ut, Skender Bucolli ka sqaruar për Gazetën Infokus se mbyllja e këtyre reparteve nuk do të ndikoj në prodhimin e energjisë elektrike.

“Me lejoni të ju njoftoi se asetet jo funksionale të TC “Kosovës A” janë: Seperimet Kimike, Gasifikimi dhe Ngrohtorja. Ndërsa ju bëjmë me dije se këto asete nuk kanë të bëjnë fare me operimin normal të TC “Kosova A”. Pra dekomisionimi i këtyre aseteve jo funksionale nuk nënkupton mbylljen e këtij termocentrali”, ka thënë Bucolli.

Gazeta Infokus ka dërguar pyetje edhe në Ministrin e Ekonomisë, mirëpo që nga dita e mërkurë nuk ka marrë ndonjë përgjigje se si e ka planifikuar Qeveria dekomosinimin e asteve jo funksionale.

Dekomosionimi i asteve jo funksionale ishte planifikuar edhe nga drejtues të qeverive të kaluara në Kosovë.

Për shkak të vjetërsisë së astateve termocentrali “Kosova A” është paraparë që të mbyllet, por një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur.

Kërkesat për mbyllje të aseteve jofunksionale por edhe termocentralit kish ardhur kryesisht nga ambientalistët për shkak të ndotjes së madhe të mjedisit. Por në vitet e fundit në termocentralet e KEK janë bërë miliona euro investime në mënyrë që të reduktohet ndotja./Gazeta Infokus/

Të tjera