Opinione

Albin Kurti ndodhet në mes të dy humbjeve

Autori: Gazeta inFokus 12:47 | 01 August 2022

Takimi i Albin Kurtit me Sekretarin e shtetit, A.Blinken, është më i rëndësishmi në karrierën e tij politike. Përjashto ndonjë takim eventual që mund ta ketë ketë me presidentin e SHBA-ve, por vetëm nëse plotësohen shumë kushte paraprake sa i përket dialogut, ai më nuk mund të ketë takime tjera më të rëndësishme se ky.

Shkruan: Afrim KASOLLI

Mirëpo, zakonisht evente të tilla e mbartin brenda tyre edhe mundësinë e shkëlqimit dhe rënies. Fitores dhe humbjes. Fitores momentale publike dhe humbjes afatgjatë politike. Me këtë takim Albin Kurti e ka fituar betejën momentale kundër opozitës, por siç duket, temat që janë diskutuar aty dhe detyrimet që i janë i caktuar shefit të qeverisë, do ta përcaktojnë rrugën e humbjes së tij politikë si lider. Ky është “misteri” i jetës politike. Ngritjet e reja shoqërohen me obligime, detyrime, interesa dhe varësi tjera.

Deri më tani i pari i qeverisë ka shënuar vetëm fitore në politikë, në kuptimin praktik të fjalës. Ka njohur vetëm ngritje. Është bërë kryeministër. Dhe e ka fituar një shumicë parlamentare që askush nuk e ka gëzuar deri më tani, e të cilën kurrë më nuk do ta ketë. Kurse, tash e tutje ai do përjetojë vetëm humbje. Sa zgjat procesi i gërryerjes së autoritetit të tij publik nuk mund të themi më siguri. Mirëpo, mënyra se si Albin Kurti do ta menaxhojë humbjen e tij politike, do t’i përcaktojë edhe zhvillimet e përgjithshme në vend.

Zbatimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe si dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese për pronat e Manastirit të Deçanit, duket ta kenë dominuar atë takim. Pavarësisht se të dy liderët shtetërorë më të kthyer në Prishtinë, në konferencën për shtyp, pohuan se tema e dytë vetëm është përmendur. Është iluzore të mendohet se Albin Kurti do ta fitonte këtë mirënjohje politike, që zakonisht e japin takime të tilla, vetëm sa për t’i përmendur shkarazi ato tema. Apo se qeveria e drejtuar nga ai do të mund ta nënshkruante marrëveshjen për grantet amerikane, vetëm pse Kosova në regjimin e tij paska bërë progres të hatashëm sa i përket avancimit të kritereve demokratike.
Në aso në takime mbyllura, kërkohet zbatimi i dy vendimeve të sipër cekura. Madje, flitet edhe për afatet e zbatimit të tyre. Çdo gjë tjetër është vetëm narracion për veshët e publikut, e për të blerë edhe pak kohë.

Kurse fatkeqësisht të dy obligimet e potencuara nuk janë interes i shtetit të Kosovës. Ai për Bashkësinë ishte pranuar si pjesë e papjekurisë politike të ish-liderëve politikë të vendit, por që si i tillë është interes shtetëror i Serbisë, kurse ky për pronat kontestuese, është pjesë e dhuratës që regjimi i Milosheviqit ia bërë Manastirit të Deçanit. Shprehje kjo e traditës shtetërore serbe të kolonizimit të Kosovës.

Pra, pas këtij takimi Albin Kurti ndodhet ndërmjet dy humbjeve, secila më e zymtore se tjetra. Ai ose duhet t’i jetësojë detyrimet që i janë caktuar, duke i braktisur për hir të pushtetit dy nga kauzat e tij kryesore, e që nuk janë interes shtetëror i Kosovës, ose të përcaktohet për moszbatim të tyre, por që ky vendim do ta vendoste atë në një pozicion antagonist me përfaqësuesit e SHBA-ve dhe që përsëri do të dilte i humbur nga proces. Madje ai tash nuk është vetëm përfaqësues i Lëvizjes Vetëvendosje, por i shtetit të Kosovës dhe në këtë mënyrë do ta vendoste edhe shtetin e Kosovës në një pozicion jo të favorshëm ndërkombëtar. Rruga që do ta zgjedh do t’ia përcaktojë humbjen atij. Mes tjetër nuk ka.

Është e kotë të shpresohet se Albin Kurti do të mund të ndërtonte një koalicion ndërkombëtar për ta shtuar presionin kundër Serbisë për ta njohur shtetin e Kosovës, sepse e dyta është vend demokratik edhe para autoritar dhe zgjatim i interesave të Rusisë në Ballkan. Me këto fraza nuk besoj se do të mund ta bind dikën tjetër, pos Vjosa Osmanit, një rebele pa asnjë kauzë politike dhe aleate momentale e tij.

Ai mund të dalë nga ky udhëkryq po ashtu edhe edhe nëse jep dorëheqje. Ia dorëzon mandatin popullit. I tregon atij se arsyet se pse qytetarët e votuan nuk mund t’i mbrojë për shkak te presioneve. Sepse, në mes tjerash ai është votuar për këto dy kauza.

Dikush mund të thotë se edhe me këtë skenar përsëri ato dy vendime nuk do të abrogoheshin. Sepse do të ketë të tjerë pas tij që do t’i implementonin ato. Kurse i pari i qeverisë vetëm sa do ta humbte pushtetin. Prandaj, cili është kuptimi i dorëheqjes? E vërtetë. Mirëpo, nëse Albin Kurti jep dorëheqje, sepse nuk dëshiron ta marrë përgjegjësi politike për këto vendime, të paktën do ta transmetonte mesazhin, që jo krejt klasa politike në vend u pajtua pa asnjë kundërshtim me vendime që datojnë që nga koha e Milosheqit, apo që i ofruan Serbisë pushtet shtesë, pa e siguruar pranimin si shtet prej saj. Ngase edhe po të zbatohej vendimi për Asociacionin, Serbia nuk do ta njoh Kosovës si shtet. Kurse, shumë ngjarje që ne i përkujtojmë në histori, i nderojmë ato, jo për shkak të fitoreve që prodhuan, por për shkak të mospajtimit dhe rezistencës që e ngjallen. E në këtë rast nuk po flas për mënyrën se si i pari i qeverisë e përdori këtë ndjenjë kolektive të mos pajtimit, por për mënyrën se si populli i Kosovës e pa angazhimin e tij politik.

Po ashtu, një gjë është e sigurt, nëse Albin Kurti nuk i zbaton ato vendime, aq më pak do të ketë guxim opozita e sotme që ta bëjë një gjë të tillë, nëse nesër e merr pushtetin si pasojë e dorëheqjes së kryeministrit. Madje edhe bashkësia ndërkombëtare do të detyrohet ta mendojë pak më ndryshe strategjinë e saj në raport me Kosovën kur nuk do të mund të gjejë partnerë brenda vendit për kompromise të vazhdueshme.

Në këtë kontekst, sot Albin Kurti nuk ka mundësi për shumë ekzibicione. Ose do ta keqpërdor besimin e publikut për ta mbajtur pushtetin, të cilin në fund pashmangshëm do ta humb, ashtu siç e humbën të tjerë para tij, ose do ta dorëzoj pushtetin, por të paktën të mbahet mend se u angazhua për të kundërshtuar vendime që binin ndesh me interesat e Kosovës, por të cilat e kishte të pamundur t’i mbronte. Ai duhet ta dijë se shoqëria kosovare i besojë atij sepse pat premtuar se do ta ndalonte logjikën e liderëve politikë sipas modelit të “hommo kompromis-usit”.

Të tjera