Lajme

Albin Kurti mund të arrestohet?

Autori: Gazeta inFokus 11:27 | 10 October 2017

Sot do të vazhdojë seanca ndaj katër deputetëve të Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, Donika Kadaj- Bujupi, Albulena Haxhiu dhe Faton Topalli, të cilët akuzohen për gazin lotsjellës në Kuvend të hedhur më 16 dhjetor të vitit 2015.

Në seancën e kaluar, kryetari i trupit gjykues, Beqir Kalludra, lëshoi urdhëresë për sjellje me detyrim të Kurtit e Kadaj-Bujupit.

Nëse Kurti refuzon të sillet me detyrim, ai mund edhe të arrestohet.

-Advertisement-

Lëshimi i kësaj urdhërese erdhi si pasojë e mungesës së këtyre dy të akuzuarve, derisa dy të akuzuarit e tjerë, Albulena Haxhiu e Faton Topalli ishin të pranishëm.

Në seancë të ftuar në cilësinë e dëshmitarëve ishin deputetët e koalicionit PAN, Blerta Deliu, Flora Brovina e Bekim Haxhiu, njëkohësisht edhe të dëmtuar në këtë proces gjyqësor.

Prokuroria pretendon se Deliu, Brovina e Haxhiu, kanë pësuar lëndime të lehta trupore nga gazi lotsjellës i aktivizuar në Kuvend nga kolegët e Vetëvendosjes.

Por, përveç mungesës së Kurtit e Kadaj- Bujupajt, në seancën e kaluar mungoi edhe deputetja Brovina, për të cilën po ashtu u lëshua urdhëresë për sjellje me detyrim.

Gjyqtari Beqir Kalludra kishte theksuar se të gjithë ishin ftuar në mënyrë të rregullt dhe sipas tij nuk e kanë arsyetuar mungesën.

Si pasojë e mungesës së të akuzuarve, seanca e radhës u caktua për ditën e nesërme, pra 10 tetor.

Katër deputetët e Vetëvendosjes akuzohen për përdorim të armës ose mjetit të rrezikshëm dhe pengim të personit zyrtar në kryerje të detyrës zyrtare.

Albin Kurti ka munguar edhe në seanca të tjera të këtij gjykimi, ndërsa gjyqtari Beqir Kalludra ndaj tij ka lëshuar fletarrestim, të cilin e kishte pezulluar në kohën e zgjedhjeve për shkak se Kurti ishte kandidat për kryeministër i Vetëvendosjes.

Edhe disa nga deputetët që ishin ftuar si dëshmitarë munguan në seancën e nëntorit të vitit që shkoi.

Kalludra ditën kur lëshoi urdhërarrest për Kurtin, gjobiti edhe kryetarin e Kuvendit Kadri Veselin dhe disa deputetë tjerë që nuk erdhën në seancën e 21 prillit të këtij viti, edhe pse sipas Kalludrës ishin ftuar që të dëshmonin.

Aktakuza ndaj deputetëve të Vetëvendosjes për hedhje të lotsjellësit u ngrit u ngrit më 16 dhjetor të vitit 2015. /Kallxo.com/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Vetëm edhe 4 ditë nga Bootcamp me Alan Greenberg, ish-Drejtorin për Edukim në Apple, Apliko Tani
-Advertisement-

Të tjera