Lajme

Albin Kurti: Kosova është edhe Atdheu i hebrenjve

Autori: Gazeta inFokus 11:30 | 16 September 2020

Kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti ishte i ftuar në shënimin festiv të vitit të ri hebraik, Rosh Hashanah.

I ftuar nga Kryerabinati i Shqipërisë, Kurti mori pjesë në këtë ceremoni që u mbajt të martën, shkruan Gazeta Infokus.

E në fjalën e tij, Kurti tha që Kosova është edhe Atdheu i hebrenjve.

-Advertisement-

“I nderuar Krye Rabin i Shqipërisë, Kosova është edhe Atdheu i hebrenjve si Z. Demiri e Shkodra, të cilët flasin shqip si ne, por edhe i hebrenjve nga komunitete gjuhësore të tjera. Ata këtu kanë po aq të drejta sa unë dhe sa cilido tjetër. E ju jeni udhëheqësi i tyre shpirtëror, prandaj ndihuni në Kosovë si në vendin tuaj.

Edhe një herë, urime për Rosh Hashanah, qoftë vit i begatë e i bekuar e i ëmbël për gjithë hebrenjtë nëpër botë, e për shtetin e Izraelit”, ka thënë Kurti.

Ndërsa, në fjalin e tij përshëndetëse, kreu i VV-së, ka thënë që Rosh Hashanah është përkujtim i krijimit të njerëzve të parë, histori kjo që përkujton se të gjithë janë pjesë e të njëjtës familje njerëzore, shkruan Gazeta Infokus.

“Më lejoni t’ju shpreh qysh në fillim urimet e mia, dhe të subjektit që unë përfaqësoj, të partisë më të madhe e më të votuar në Kosovë, Lëvizjes VETËVENDOSJE!, për vitin e ri hebraik, Rosh Hashanah, të cilin ju do ta festoni sivjet në datën 18 shtator. Fatkeqësisht, unë nuk di hebraisht, mirëpo kam lexuar se një nga urimet që ju e bëni për këtë festë është “Qoftë viti i ri një vit i ëmbël, për të gjithë”. Është e vërtetë, pas një viti me kaq sfida, shëndetësore e ekonomike, për shkak të pandemisë, e gjithë bota ka nevojë për një vit më të ëmbël. Dhe ne, në këtë festë të hebrenjve, me gjithë zemër dëshirojmë mbarësi për bashkëkombasit tanë shqiptaro-hebrenj të Kosovës e të Shqipërisë, por edhe për gjithë hebrenjtë në botë, e sidomos për vendin e Izraelit, i cili së fundmi u shpreh për njohjen e Kosovës. Njohja shtetërore mes Izraelit e Kosovës do të jetë vetëm hapi i radhës në historinë e miqësisë dhe respektit mes popullit shqiptar dhe atij izraelit. Gjatë luftës së dytë botërore, shumëkush i kujton ndihmat që shqiptarët i dhanë hebrejve, por edhe gjatë e pas luftës në Kosovë, Izraeli dhe shumë hebrej nga vende të tjera kanë mirëpritur refugjatët tanë, kanë dërguar ndihma humanitare e ekonomike, dhe janë angazhuar politikisht për drejtësi. E shkuara na mëson të bashkëpunojmë për paqe e ta ruajmë njerëzinë përballë çdo dhune që na kërcënohet.

Rosh Hashanah, kam lexuar se është përkujtimi i krijimit të njerëzve të parë, Adamit dhe Evës. Kjo histori na përkujton besimin se, të gjithë ne jemi pjesë të së njëjtës familje njerëzore, me prejardhje të njëjtë. Racat e kombet, gjuhët e kulturat, nuk duhet të na bëjnë ta harrojmë këtë. Andaj le të lidhemi miqësisht me njëri-tjetrin. Sigurisht, Kosova duket e vogël dhe e varfër, e nuk mund t’i ofrojë shumë Izraelit dhe vendeve të tjera mike. Por, Kosova nuk ofron pak. Ajo ofron zemrën e vet të hapur, angazhim e përkushtim për përparim të miqësisë, në çdo sferë. Nga ekonomia deri te siguria, nga kultura deri te teknologjia”, ka thënë Kurti./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera