Fokus

Albin Kurti injoroi Skenderajn pas vërshimeve, reagon Fadil Nura dhe ka një mesazh për kryeministrin 

Autori: Gazeta inFokus 15:48 | 20 January 2023

Kryetari i Skenderajt, Fadil Nura, në një intervistë ekskluzive për Gazetën Infokus, pas dëmeve të mëdha nga vërshimet në këtë komunë, ka thënë se gjendja po vazhdon të jetë e rëndë dhe se vërshime të tilla nuk mbahen mend në këtë qytet. Ai ka thënë se banoret e komunës së Skenderajt edhe sot po ballafaqohen me pasojat dhe pjesët e përmbytura nga shiu.

Gjatë bisedës për Infokusin, kryetari i Skenderajt ka kritikuar kryeministrin e vendit, Albin Kurtin i cili sot vizitoi Istogun, por jo edhe Skenderajn e Mitrovicën si dy nga komunat më të prekura nga vërshimet.

I pari i Skenderajt ka thënë se kryeministri Kurti para se të shkonte në Istog e ka pasur rrugën për në Skenderaj dhe se vizita e tij në këto raste është edhe obligim kushtetues.

-Advertisement-

“Mirë qe ka shkuar në Istog sepse duhet të jetë pran secilit qytetarë në raste të tilla. Mirëpo ka qenë e rrugës të vjen edhe në Skenderaj sepse këndej është rruga qe qon për në Istog dhe do të duhej pa shpenzime shtesë të viziton të gjitha vendet të cilat po përballën me situatën e vërshimeve”, ka thënë kreu i komunës së Skenderaj, Fadil Nura.

Në vazhdim, Nura ka thënë se Kurti duhet të lërë inatet personale e politikat ditore në raste të tilla kur më i rëndësishëm është aspekti human.

LEXO EDHE: E TURPSHME: Kurti injoron dy qytetet me dëmet më të mëdha nga vërshimet, Skenderajn e Mitrovicën, viziton Istogun

“Kryeministri do të duhej të vinte të merrej me këtë çështje sepse e ka obligim kushtetues, është institucion që duhet t’i lë inatet politike dhe në këto raste duhet lënë politikat ditore sepse mbi të gjitha dhe para së gjithash të gjithë janë qytetarë të këtij vendi dhe nëse nuk shtrihet dora në raste të tilla nuk e di se çka më tutje”, ka thënë i pari i kësaj komune.

Derisa ai ka shtuar se Kosova është një vend shumë i vogël që institucionet e krerët e shtetit të bëjnë dallime të tilla.

“Gjendja në përgjithësi është e rëndë ka dëme të mëdha. Por jemi në terren dhe po mundohemi ti dalim në ndihmë familjeve që kanë pësuar nga këto vërshime. Në fakt Kurti është dashtë ta vizitojë Skenderajn për shkak se e ka pasur rrugës kur ka qenë në Istog, jemi një vend shumë i vogël që kryeministri të bëjë dallime të tilla dhe në raste të fatkeqësive të tilla, duk duhet të kenë vend inatet politike, ajo çfarë duhet të jetë primare në raste të tilla është aspekti njerëzor”, ka thënë Nura.

Ai po ashtu ka dhënë edhe detaje të tjera se a u është ofruar ndihmë nga institucionet qendrore në vend.

Nura tregoi ekskluzivisht për Infokus se ka biseduar me ministrin e punëve të Brendshme, Xhelal Sveçlën, i cili i ka thënë që të bëjë kërkesën që trupat e FSK-së të ndihmojnë me gjendjen e krijuar në Skenderaj.

Mirëpo edhe pse, Nura, bëri këtë kërkesë me kohë, trupat adekuate të ushtrisë së Kosovës që dërgohen në emergjenca të tilla nuk kanë qenë fare në Skenderaj.

“Ndërsa sa i përket ekipeve të FSK-së, realisht unë kam komunikuar me ministrin e brendshëm, më ka thirrë më ka thënë bëje një kërkesë, çështje procedurash, unë e kam bërë kërkesën me kohë, kanë qenë një ekip i FSK-së ekip i veçantë i zhytjes, mirëpo përndryshe trupat që do të duhej të ishin me një rast emergjent, faktikisht nuk i janë përgjigjur thirrjes, nuk e di arsyen pse. Por edhe një është e sigurt, vërshime të tilla nuk mbahen në mend komunën e Skenderajt. Edhe të moshuar në Skenderaj që kanë më shumë se 80 vite kanë deklaruar se vërshime të tilla në Skenderaj nuk ka pasur asnjëherë”, ka thënë ai.

Kujtojmë se në gjendje të rëndë pas vërshimeve ishin dje por që kjo gjendje po vazhdon edhe sot, në Skenderaj e në Mitrovicë.

Vërshime pati edhe në qytete të tjera ani pse me dëme më të vogla. Megjithatë kryeministri Kurti, vizitoi sot në mëngjes Istogun, duke injoruar kështu dy komunat më të prekura nga vërshimet./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera