Opinione

Albert Rohani – Korrupsioni sfidë edhe për Austrinë

Autori: Gazeta inFokus 10:35 | 17 February 2018

Shkruan: Agron Hoti

Zotëriu Alberti Rohan, ish- zëvendës ndërmjetësi i OKB-së për bisedimet për statusin e Kosovës, tha në emisionin Interaktiv të KTV-së se “Kosova, ashtu sikurse të gjitha shtetet, ka probleme me korrupsionin”.

Austria paska themeluar prokurori speciale kundër korrupsionit, sepse prokurorët e rregullt nuk paskan kapacitete të mjaftueshme profesionale për t’u marrë me këtë problematikë komplekse. Më pas z. Rohani tha afërsisht kështu: “nuk dua të përmend shtete tjera që kanë korrupsion të theksuar”. Pra, si diplomat karriere la të kuptojë që Shtete Anëtare të BE-së dhe shtete aspiruese të rajonit të Ballkanit kanë probleme me korrupsionin po aq sa Kosova.

-Advertisement-

Shikuar raportet ndërkombëtare – përfshirë ato të Gjykatës së Auditorëve të BE-së që flasin për korrupsion multi-miliardësh të buxhetit të BE-së dhe Shteteve Anëtare të BE-së – korrupsionin e shohin si dukuri negative globale jo vetëm kosovare. Sigurisht që korrupsioni në vende me zhvillim të ultë ekonomik, siç është Kosova, është pengesë për prosperitetin e gjithëmbarshëm të vendit, por kjo për momentin është kështu dhe fatkeqësisht askush nuk mund të bëjë mrekullira.

Kosova fatkeqësisht u trajnua se si duhet korruptuar dhe tash duhet ç’trajnuar për të braktisur korrupsionin. Për habi edhe misionet ndërkombëtare në Kosovë u korruptuan në shkallë të gjerë, sa që humbën fillin se për çfarë në të vërtetë kishin zbarkuar në Kosovë. Nuk duhet harruar faktin se korrupsioni është pjesë integrale e pothuaj të të gjitha misioneve të ngjashme në botë.

Ç’trajnimi i Kosovës nga korrupsioni merr kohë dhe varet tepër shumë nga niveli i zhvillimit ekonomik që kemi dhe do kemi. Gjendja ekonomike dhe trendet negative lokale e rajonale nuk japin shpresë se kësaj dukurie do i këputen rrënjët së paku jo në plan afat-shkurtër dhe afat-mesëm.

Nuk ka as edhe një mundësi të vetme, nuk ka ndodhur në as edhe një shtet të vetëm në botë, ku sektori i drejtësisë është zhvilluar në asimetri me sektorët tjerë. Shteti zhvillohet pak a shumë paralelisht në të gjithë sektorët, nuk ka asnjë mundësi që të kemi nivel drejtësie p.sh. suedeze, e ekonomi kosovare, është e kotë, pa marrë parasysh se cila kombinatorikë politike do qeverisë vendin.

Pra, parandalimi dhe luftimi i korrupsionit mbetet sfidë për të ardhmen e Kosovës ashtu sikurse që do gërryejë nga brenda institucionet e BE-së dhe Shtetet Anëtare të saj, disa më shumë e disa më pak, por pa përjashtuar asnjë.

Shihni shtetet e rajonit, përfshirë Shqipërinë, që janë larg të qenurit shtete ku mbretëron rendi dhe ligji. Shqipëria po mundohet ta shtyjë bjeshkën me gjoks dhe mbetet të shihet se sa do ketë sukses në këtë drejtim edhe pse gjasat janë minimale, sepse është gjendja ekonomike e mjerë ajo që nuk jep shumë shpresë për reformë të drejtësisë. Fundja, ti mund të kesh ligje e struktura perfekte institucionale, por mentaliteti është ai që merr shumë kohë të ndryshojë dhe këtë njerëzia nuk e kanë krejtësisht të qartë ose së paku nuk duan ta kenë të qartë.

Sigurisht që ne si shoqëri duhet të rrisim masën kritike ndaj kësaj dukurie dhe kjo duhet përkthyer në veprime konkrete institucionale, duke dhënë shembullin e mirë që shoqëria jonë ka filluar të lëvizë në drejtimin e duhur. Duke u bërë të tillë do marrim vlerësime pozitive nga mekanizma të ndryshëm vendorë e ndërkombëtarë, përfshirë rrugëtimin tonë drejtë BE-së.

Sa më shumë që zhvillohet shteti, sa më shumë që anëtarësohemi në mekanizma dhe struktura ndërkombëtare, aq më shumë do të marrim obligime ndërkombëtare dhe si rrjedhojë mundësitë korruptive do të jenë gjithnjë më të vogla. Nëse dikush mendon që do ta ç’rrënjosë korrupsionin, atëherë ai apo ajo ka humbur tërësisht orientimin në kohë dhe hapësirë.

Pra, nëse pritet që Kosova të tregojë sukses në parandalimin dhe luftimin e korrupsionit me këtë nivel të zhvillimit ekonomik që ka, atëherë i bie që liberalizimi i vizave mos të ndodhë për së paku edhe 15 apo 20 vite. Nëse kjo nuk shihet si proces që ecën krahas zhvillimit të shtetit, atëherë dalja e Kosovës nga kjo lëvozhgë do të merr tepër shumë kohë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera