Fokus

Alarmojnë hakerët, institucionet e Kosovës në rrezik

Autori: Sylejman Sylejmani 13:42 | 24 December 2018

Tre vjet më parë hakerët legal kosovarë kishin informuar Radio Televizionin e Kosovës, se është i ekspozuar karshi rreziqeve për sulm kibernetik.

Por, drejtuesit e RTK-së nuk e kishin marrë parasysh këtë vërejtje të tyre, shkruan Gazeta inFokus.

E tre vjet pas, në dhjetor të këtij viti ueb-faqja e RTK-së u hakua.

-Advertisement-

“Ne i kemi parapri këtij procesi, por thjeshtë nuk varet vetëm nga ne. E jona është që t’i vetëdijësojmë institucionet, e pjesa tjetër mbetet në përgjegjësinë e të tjerëve”, thotë për Gazetën inFokus Tanzer Abazi, i cili është organizator i konferencës “The Day When Hacking is Legal”.

Në këtë konferencë e cila u organizua katër herë nga Abazi marrin pjesë hakerë nga Kosova, Shqipëria e Maqedonia, të cilët në marrëveshje me institucionet kosovare tentojnë të gjejnë zbrazëtira në ueb-faqet e tyre.

Në konferencën e fundit të organizuar para disa muajsh, për vetëm 8 orë pune, këta hakerë patën gjetur 24 zbrzëtira nëpër ueb-faqet e nëntë institucioneve shtetërore, si dhe të disa prej portaleve të tjera në Kosovë.

Megjithatë, gjithë këto zbrazëtira nuk u morën asnjëherë parasysh nga institucionet shtetërore.

Abazi thotë se këto u raportuan edhe një vit pas organizimit të konferencës, por sërish nuk u morën parasysh nga askush.

“Këto zbrazëtira i kemi raportuar tek institucionet shtetërore me të cilat kemi punuar, si dhe tek sektori privat. Ka qenë interesante që të njëjta zbrazëtira janë raportuar edhe vitin e ardhshëm tek instituconet shtetërore, por nuk është marrë me prioritet kjo punë. Kjo është shqetësuese”, thekson ai për inFokus.

Abazi tregon se me një përkushtim të tillë për sigurinë kibernetike, Kosova nuk mund t’u bëjë ballë atyre, kur janë pak më të avancuara.

“Kjo na bënë neve të ndihemi pak a shumë të kërcënuar prej sulmeve të tilla kibernetike, për arsye se teknologjia po avancon, gjithashtu puna e hakerëve është gjithmonë një hap përpara teknologjisë dhe të rejave. Me këtë nivel, me këtë përkushtim, me këtë interesim për siguri kibernetike, Kosova nuk është e aftë t’u bëjë ballë sulmeve më të avancuara kibernetike”, thotë ai.

E eksperti tjetër i sigurisë kibernetike, Mentor Hoxha tregon njërin prej rasteve, kur me një hulumtim të thjeshtë, patën vërejtur nivel të ulët të sigurisë në ueb-faqet e disa prej ministrive të rëndësishme kosovare.

“Më datën 7 dhjetor nga një shikim i shpejt kemi parë që faqja e ministrisë së Infrastrukturës, Zhvillimit Ekonomik e disa të tjera janë potencialisht të rrezikuara, për shkak se nuk e kanë nivelin e duhur të sigurisë. Nuk janë të pajisura me SSL Certifikatë, që do të thotë se në momentin kur ne kyqemi në këto ueb-faqe, të dhënat të cilat me mund t’i shkëmbejmë me to, çdo kompjuter që ndodhet në mes të faqes (serverit) mund të shikojë numrat e kartës së kreditit, emrat e përdoruesve, fjalëkalimet dhe informacione të tjera të ndjeshme, pasi nuk është i koduar me një certifikatë SSL”, tregon Hoxha.

Ai thotë se si masë e vazhdueshme e përmirësimit të sigurisë kibernetike, do të duhej të ishin konferencat sikur “The DAY When hacking is Legal”, ku do të punohej me “hakerë të bardhë”, të cilët do të raportonin në vazhdimësi zbrazëtirat e sigurisë. /Gazeta inFokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera