Fokus

Alarmohet VV-ja: Devollët përsëri po tentojnë ta zhvasin Telekomin

Autori: Hateme Smajli 18:17 | 27 August 2020

Padia e Blerim Devollit në arbitrazh është përpjekja e radhës e Devollëve për ta zhvatur Telekomin e Kosovës. Kështu vlerësojnë zyrtarët e Lëvizjes Vetëvendosje pas publikimit të lajmit nga Gazeta Infokus se “Dardafon Net LLC” po i kërkon edhe 50.7 milionë euro nga Telekomi i Kosovës.

Në një përgjigje për gazetën inFokus, Zyra për Media dhe Komunikim e ka rikujtuar qëndrimin e kësaj partie se kontrata mes Telekomit e Z Mobile e vitit 2009 është kontratë e dëmshme dhe e paligjshme, sepse sic thonë në Vetëvendosje cenon rendin publik e kushtetues, industrinë e telekomunikacionit dhe sigurinë shtetërore.

“Gjithsesi, kontrata ka përfunduar në korrik 2019, dhe padia e Z- Mobile për shkëputjen dhe mos vazhdimin e kontratës është krejtësisht e pabazë. Vetë Z-Mobile ka pranuar në dokument të noterizuar se kontrata përfundon në korrik 2019. Tani përmes padisë, Devollët mundohen ta shtrëngojnë Telekomin t’u nënshtrohet në negociata të pabarabarta e të pandërgjegjshme”, thuhet në përgjigjen e VV-së.

-Advertisement-

Siç edhe ka raportuar Gazeta Infokus një ditë më parë kompania e Blerim Devollit po i kërkon 50.7 milionë euro për shkak të shkëputjes së njëanshme të kontratës së Z-Mobile nga bordi i Telekomit në korrik të vitit të kaluar.

Krejt kjo po ndodh në kohën kur Telekomi i Kosovës po përballet me vështirësi për të paguar obligimet pikërisht ndaj Devollëve, të cilët në vitin 2016 kanë fituar rastin në Gjykatën e Arbitrazhi, e cila e obligoi Telekomin që t’i paguante rreth 26 milionë euro gjobë.

Për këtë, në Vetëvendosje thonë se kanë ngritur shqetësimin edhe në Kuvendin e Kosovës dhe kanë propozuar rezolutën me masa konkrete për ta shpëtuar Telekomin, “por asnjë grup tjetër parlamentar nuk e ka përkrahur atë”.

Ndërkaq, sipas VV-së, kontrata e Telekomit me Z mobile është vetëm një nga elementet që tregon për shtetin e kapur.

“Ndërmarrjet tona publike janë në gjendje të rëndë për shkak të hajnisë dhe dallavereve të porositura nga mujsharët shtet kapës. Pushtetarët kriminelë, si këta të klanit Pronto, kanë kontrolluar vendimmarrjen në ndërmarrje publike me qëllim që të punësojnë klientët e vet politikë, por ç’është më e rëndësishmja, për të kontrolluar mediat e shpërblyer veten e përkrahësit me kontrata të majme. Kontrata me Z-Mobile është produkt i shtetit të kapur”, thuhet në përgjigjen e VV-së për inFokus.

Gazeta Infokus ka raportuar se Devollët kanë deponuar padinë në  gjykatën e arbitrazhit menjëherë pasi bordi i Telekomit kishte ndërprerë përfundimisht kontratën me Z-Mobile.

Deri te ky vendim, sipas kryesuese së atëhershme të bordit, Besa Shatri – Berisha kishte ardhur pas një periudhe gjashtë mujore të negociatave në mes Telekomit dhe kompanisë Z-Mobile në lidhje me kushtet e reja kontratës, por në fund palët nuk kishin arritur ndonjë marrëveshje.

Këtë, në atë kohë e pati konfirmuar edhe ish-kryeshefi ekzekutiv i Telekomit të Kosovës, Bedri Istrefi, sipas të cilit kontrata me Z-Mobile shpallej e përfunduar dhe pa asnjë obligim kontraktual.

Megjithatë, një vit pas del se shkëputja e kontratës ka rrezik të mos kaloi pa pasoja për Telekomin, ngjashëm sikur në sikur në rastin e parë.

Zyrtarët e Telekomit të Kosovës, kanë refuzuar të japin detaje për këtë padi, derisa gazeta Infokus është në pritje të përgjigjeve nga kompania “Dardafon Net LLC” lidhur me këtë rast.

Kjo është hera e dytë që e njëjta e paditë Telekomin në gjykatën e Arbitrazhit për telashet me kontratën me operatorin virtual Z-Mobile për shërbime te telefonistë mobile.

Krejt kjo histori nisë më 16 janar të vitit 2009 “Telekomi i Kosovës” i mundëson kompanisë “Z-Mobile”, që të funksiononte si operator virtual i telefonisë mobile “Vala”.

Kështu, Z-Mobile bëhet ortak në biznes të Telekomit me 0 euro investim. /Gazeta inFokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera