Lajme

Alarmi i Auditorit për Telekomin e Kosovës

Autori: Gazeta inFokus 23:08 | 24 July 2021

Zyra Kombëtare e Auditmit ka publikuar Raportin për Pasqyrat Financiare të vitit 2020 për Telekomin e Kosovës. Gjetjet e auditorit janë të natyrës që alarmojnë për një zhbërje të ndërmarrjes nëse nuk ndërmerren masa.

Marrë parasysh të gjeturat e ZKA-së për Telekomin, në raport janë renditur një sërë rreziqesh që mund të ndikojnë në ndërprerjen e plotë ose të pjesshme të shërbimeve ndaj konsumatorëve, pamundësinë e neutralizimit të problemit dhe kohëzgjatjen e madhe të zgjidhjes së problemit si rezultat i gjendjes aktuale dhe mungesës së investimeve dhe kontratave të mirëmbajtjes.

Një ndër rreziqet më të mëdha është theksuar rasti me Dardafonin, shkruan lajmi.net.

“Ish-MVNO Dardafon, përmes përmbaruesit privat me 15 korrik 2020 kishte filluar përmbarimin duke bllokuar llogaritë e kompanisë dhe ekzekutuar një pjesë të borxhit, rreth 3.3 milion euro. Pas dy javësh kreditori kishte zhbllokuar përkohësisht llogaritë për t’i bllokuar sërish në tetor 2020 pas dështimit të arritjes së një marrëveshje mes palëve për planin e pagesave të borxhit. Me datë 17 nëntor 2020 palët kanë arritur marrëveshje për pagesën e borxhit në procedurën e përmbarimit. Borxhi i mbetur sipas kësaj marrëveshje është 17,281,142 euro i cili do të paguhet në 24 këste mujore. Kësti mujor do të jetë 720,048 euro, shtuar edhe 7% kamatë vjetore dhe shpenzimet e përmbarimit”, ka theksuar Auditori, duke shtuar se kësti i lartë i këtij borxhi rëndon edhe më tej gjendjen e vështirë financiare të Kompanisë, ku rrjedha neto e parasë vazhdon të jetë negative edhe për vitin 2021.

Aktiviteti kryesor i biznesit të kompanisë është i mbështetur në teknologji informative. Sipas raportit nga Departamenti Teknik, siç thekson ZKA me datë 29 prill 2021, gjendja e platformave dhe sistemeve telekomunikuese vazhdon të jetë e rëndë. Sipas auditorit, kjo gjendje për disa platforma është qysh para vitit 2010 (për sistemet transmetuese telefonia fikse) ndërsa në rrjetin mobil që nga viti 2016 kur janë bërë instalimet e fundit në rrjetë, pastaj kjo gjendje në mënyrë progresive ka ardhur duke u keqësuar si rezultat i daljes nga garancioni i pajisjeve, konsumi i pjesëve rezervë në stok si dhe amortizimi i pajisjeve. Për shumicën e platformave dhe sistemeve të cilat mundësojnë ofrimin e shërbimeve telekomunikuese mirëmbajtja kryhet vetëm nga stafi teknik i Kompanisë. Për shumicën e sistemeve (rrjeti fiks, mobil, IPTV dhe ISP) nuk ka kontrata aktive të mirëmbajtjes/përkrahjes teknike nga prodhuesi.

Në prill 2021, sipas ZKA ka një përkeqësim serioz në serverët e platformës prepaid (ICC). “Sipas vlerësimeve të zyrtarëve të Kompanisë projekte investive të domosdoshme kapin shumën prej 8,800,000 euro”.

ZKA ka theksuar edhe fakton se Telekomi kishte nënshkruar një marrëveshje mirëkuptimi me Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit, për subvencionim të kushtëzuar për investime në operacionet vitale të kompanisë në vlerë prej 19,200,000 euro dhe financimi ishte paraparë të kryhej përgjatë viteve 2020 dhe 2021 mirëpo përveç një shume të ndarë prej 290,258 euro kjo marrëveshje kishte ngecje në zbatim si shkak i ndërrimeve të shpeshta në Qeveri dhe mos plotësimit të të gjitha obligimeve të marra me këtë marrëveshje nga Kompania dhe Ministria.

“Me 30 Korrik 2019, Kompania kishte ripërtërirë të drejtën e shfrytëzimit të resurseve frekuencore në brezin 900 MHz dhe 1800 MHz (Licencën e operimit). Kostoja e kësaj licence do të kushtoj 15,774,128€, mirëpo sipas kërkesë së kompanisë është ndarë në 10 këste për pagesë. Kompania për shkak të vështirësive financiare nuk ka arritur t’i përmbahet pagesave të kësteve dhe borxhi i papaguar deri me 31 dhjetor 2020 ndaj ARKEP ka arritur në 6,899,284€. Kjo situatë mund të kërcënoj Kompaninë me përmbarim ose tërheqje të licencës”, ka evidentuar ZKA.

Në raport theksohet se, kompania ka pësuar humbje për vitin që përfundon me 31 dhjetor 2020 në vlerë prej 16,583,000 eurove. (2019: 26,916,000 euro), dhe se e ka vazhduar trendin e operimit me humbje për 6 vite me radhë dhe humbjet e akumuluara deri me 31 dhjetor 2020 janë në vlerë 78,291,000 euro. “Përveç kësaj me 31 dhjetor 2020 detyrimet rrjedhëse tejkalojnë pasuritë aktuale për shumën prej 64,089,000 euro (2019: 61,708,000 euro). Për më tepër, ende është paguar dividenta e deklaruar në vitin 2015 në vlerë prej 15,000,00 euro”.

Po sipas auditorit, treguesit kyç financiar të përllogaritur në shifrat e pasqyrave financiare të vitit 2020, janë të pa favorshëm/negativ dhe me një përkeqësim në krahasim me vitin paraprak:

– Likuiditeti i rrjedhës ishte 0,13, ndërsa koeficienti i dëshirueshëm/i pranueshëm varion nga 1,5 deri në 2. Likuiditeti i rrjedhës më i vogël se 1 është tregues që Kompania mundë të ketë probleme serioze në përmbushjen e detyrimeve të sajë afatshkurta. Krahasuar me vitin 2019 ku likuiditeti i rrjedhës ishte 0.17, këtë vit ka përkeqësim të këtij treguesi për 34%.

– Likuiditeti i Shpejtë (Testi Acid) është 0,09. Testi acid më i vogël se 1 tregon po ashtu që kompania mund të ketë probleme serioze në përmbushjen e detyrimeve të saja afatshkurta. Ka përkeqësim prej 19% krahasuar me vitin e kaluar për testin acid që ishte 0.11.

– Neto kapitali punues është në vlerë negative -0,96 (apo në vlerë financiare -64,089,000€). Kapitali i punës negativ është kur detyrimet rrjedhëse të kompanisë tejkalojnë pasuritë e saj aktuale. Raporti optimal i pranueshëm është midis 1.2 dhe 2.

-Raporti i Borxhit ishte 1.28, pjesëmarrja e detyrimeve në pasuri është mbi 100%. Raporti më i madh se 0.5 apo 50%, nënkupton që shumica e aseteve të kompanisë financohen përmes borxhit. Sa më i lartë të jetë ky raport aq më i lartë është rreziku i funksionimit/operimit të kompanisë. Përveç kësaj, raporti i borxhit të lartë ndaj aktiveve mund të tregojë një kapacitet të ulët të kompanisë për huamarrje, e cila nga ana tjetër do të ulë fleksibilitetin financiar të kompanisë.

ZKA ka theksuar se 17 raste në vlerë të përgjithshme prej 1,778,729 euro janë pretendime ligjore ndaj palëve të ndryshme, për të cilat procedurat ligjore në gjykatat përkatëse janë në proces dhe ende nuk ka vendime finale.

ZKA ka theksuar edhe disa problematika tjera si: “Regjistrim i gabuar kontabël i grantit qeveritar”, “Prezantimi i pasaktë i pasqyrës së rrjedhës së parasë”, “- Prezantim i pasaktë i pasqyrës së ndryshimeve në ekuitet”, “- Mos dhënia e informacioneve shpjeguese për kontigjencat”, “Ekzekutim më i lartë i pagesës së borxhit sesa ishte obligimi në regjistrat kontabël”, “Humbja në vlerë e pasurive dhe mostrajtimi i duhur i kësaj çështje”, “Mangësi në procesin e rekrutimit për staf të rregullt”, “Planifikim jo i mirë i vendosjes të disa BTS-ave për zgjerimin e rrjetit në territorin e Kosovës”, etj.

Rreth 25 rekomandimeve ka adresuar ZKA-ja në te gjeturat për Telekomin e Kosovës.

Të tjera