Lajme

Alarmante: Në QKUK mbi 20 pacientë në kujdesin e vetëm të një infermiere/i

Autori: Islam Morina 15:56 | 23 June 2021

Qendra Klinike Universitare e Kosovës, kohëve të fundit është duke u përballur me mungesë të stafit infermieror si rezultat i ikjes së tyre jashtë vendit, por edhe për shkak të mos rekrutimit të mjaftueshëm të stafit të ri.

Pacientë që kanë qëndruar nëpër klinikat e QKUK-së, i kanë thënë Gazetës Infokus, se ajo çka vërehet në këto klinika ndër të tjerash është edhe mungesa e infermierëve.

Një pacient që i ka shkruar Gazetës Infokus, ka treguar se ka qëndruar në Klinikën Ortopedike të QKUK-së për disa muaj dhe se ka vërejtur që shumicën e kohës në këtë repart është vetëm një infermiere ose dy.

-Advertisement-

“Gjatë gjithë kohës herë dy, e shumicën e kohës një infermiere kanë qëndruar në repart dhe më besoni se shpesh herë kam ndjerë keqardhje për to, kur i shihja se u duhej të menaxhonin deri në 20 e 30-të pacientë, plus që ballafaqoheshin edhe me probleme që u shkaktonin familjarët e pacientëve, e që në disa raste edhe arsyetohen, por në shumicën e rasteve janë ballafaqime e fyerje banale që infermierët as që kanë gjë në dorë lidhur me adresimet e familjarëve”, i ka thënë Gazetës Infokus, N. E. i cili ka qenë i shtrirë në Klinikën e Ortopedisë.

Se ka mungesa në stafin infermieror në QKUK dhe në tërë sistemin shëndetësor, e ka thënë për Gazetën Infokus edhe njohësi i çështjeve shëndetësore dhe ish kryetari i Sindikatës së Infermierëve, Fitim Havolli.

Ai ka treguar se kanë bërë kërkesa të vazhdueshme për shtim të stafit, duke arsyetuar se i tërë sistemi shëndetësor ka mangët rreth 5 mijë infermierë e infermiere, kurse vetëm QKUK-ja është në mungesë të 2 mijë infermierëve.

“Në vazhdimësi Sindikata e Infermierëve ka kërkuar shtimin e numrit të infermierëve. Sistemi ynë̈ shëndetësor në Kosovë, ai primar, sekondar dhe terciar ka rreth 5 mijë infermierë mangët, ndërsa vetëm QKUK-ja rreth 2 mijë. Kohëve të fundit u bë e ditur për mos vazhdimin e kontratave të kolegëve tanë̈ infermierë, e që ishin të angazhuar në kohë pandemie, kur mungesat janë tejet të mëdha”, ka thënë Havolli.

Havolli ka thënë se edhe pse pas zgjedhjeve të fundit parlamentare, e ka pezulluar funksionin e vet si kryetar sindikate, sindikata vazhdimisht i ka njoftuar institucionet kompetente lidhur me problematikat që shoqërojnë shëndetësinë kosovare.

“Edhe pse tani pas zgjedhjeve të fundit parlamentare e kam pezulluar funksionin tim të kryetarit, si njohës i problemeve shëndetësore dhe si pjesë e sistemit shëndetësor që nga pas lufta, ua kam bërë me dije institucioneve tona që nga ShSKUK-ja, MSH-ja, Kryeministri, Parlamenti e Presidenca, për diskriminin e madh që i është bërë këtij komuniteti, ku shqetësim i madh është edhe ikja e profesionistëve jashtë̈ vendit”, ka thënë Havolli.

Havolli ka treguar edhe se cilat kanë qenë kërkesat e vazhdueshme që sindikata i ka paraqitur tek institucionet kompetente, duke treguar se njëra nga kërkesat ka qenë edhe shtimi i infermierëve, sepse deri më tash një infermier/e, ka menaxhuar me 24 pacientë.

“Kërkesat e Sindekatës janë që Ligji i Pagave sa më shpejt të vihet në miratim me vërejtjet që i ka dhënë Gjykata Kushtetuese, Kujdestaritë e natës, Pagesa e vikendeve dhe orëve shtesë sipas ligjit, Rrezikshmërinë në punë, Shtimi i infermierëve sipas kërkesave dhe normave ndërkombëtare e jo si deri më tani, ku një infermier/e ka kujdestaruar me 24 pacientë!” ka thënë për Gazetën Infokus, Fitim Havolli.

Mungesë të infermierëve ka edhe në Klinikën Pediatrike të QKUK-së.

Madje kjo klinikë ditëve të fundit është detyruar që t’i shtrojë edhe nga dy pacientë në një shtrat, kurse gjatë ndërrimeve ka mungesë të infermiereve në repart, konform nevojave për menaxhim të repartit.

Një realitet të tillë e kanë parë edhe vet gazetarët e Gazetës Infokus, derisa kanë hulumtuar këtë problematikë.

Në kushte anonimiteti, burime brenda menaxhmentit të kësaj klinike i kanë thënë Gazetës Infokus se me mungesë të stafit ballafaqohen tash e dy vite dhe se për këtë është e informuar edhe udhëheqja e QKUK-së, ku menaxhmenti i kësaj klinike ka adresuar me dhjetëra kërkesa për staf të ri.

“Kemi kërkuar staf të ri, sepse kështu nuk përballohet kjo gjendje , madje me dhjetëra herë, por që asnjëherë nuk kemi marrë përgjigje as nga menaxhmenti i QKUK-së, e as nga Ministria e Shëndetësisë. Përkundër kësaj tashmë ju e dini se janë ndërprerë kontratat e mbi 400 infermierëve, në vend se të shtohej numri i tyre”, i kanë thënë në kushte anonimiteti Gazetës Infokus, burime brenda menaxhmentit të Klinikës Pediatrike të QKUK-së.

Nga kjo klinikë shtojnë se kanë frikë që si pasojë e mbingarkesës me punë, mund të ndodhë ndonjë lëshim i rënd profesional, e që në një rast të tillë do të pësonin stafi infermieror, pasi që janë ata që përgjigjen për dhënien e terapisë dhe kujdesin ndaj pacientit, gjë që është tejet e vështirë kur në një shtrat i kanë nga dy pacientë.

“Unë tërë kohën kam frikë se po ndodhë ndonjë lëshim në repart si pasojë e mbingarkesës, se helbete nuk mundet një apo dy infermiere me mbërri tek të gjithë ata pacientë. Klinika është e mbingarkuar, kurse staf infermieror kemi shumë pak”, thanë burimet e Gazetës Infokus nga Klinika Pediatrike e QKUK-së.

Lidhur me këtë problematikë, Gazeta Infokus gjatë ditës së martë ka adresuar pyetje edhe te Ministria e Shëndetësisë, por edhe tek Qendra Klinike Universitare e Kosovës, por që përgjigje nuk ka marrë./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera