Lajme

Alarmante: Mungesa e furnizimit me insulinë rrezikon diabetikët

Autori: Islam Morina 10:50 | 09 June 2021

QKMF-të janë duke vuajtur nga mos furnizimi me insulinë nga Ministria e Shëndetësisë, ku për pasojë diabetikët janë të rrezikuar dhe të detyruar që t’i blejnë vet ato edhe përkundër vështirësive për t’i gjetur ato në farmacitë private, raporton Gazeta Infokus.

Në një prononcim për Gazetën Infokus, drejtori i Drejtorisë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në Klinë, Shemsedin Berisha, ka konfirmuar se muajt e fundit nuk janë furnizuar me insulinë.
“Jo muajt e fundit nuk jemi furnizuar me insulinë, madje edhe me ilaçe nga Lista Esenciale në muajin e fundit jemi furnizuar vetëm 7%”, ka thënë Berisha.

Edhe Drejtoria për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në Gjilan, e ka konfirmuar se tash e sa muaj kanë mungesë të furnizimit me insulinë nga niveli qendror.

-Advertisement-

“Jo nuk kemi furnizim me insulinë tash e disa muaj dhe këtë e kemi ngritur si shqetësim edhe në takimet me Ministrinë e Shëndetësisë, sepse ka mungesë në të gjitha komunat, kurse edhe me ilaçe nga lista esenciale nuk kemi furnizim, por që jemi në proces së lidhjes së kontratës, në mënyrë që me mjete vetanake të furnizohemi me ilaçe nga lista esenciale”, ka thënë për Gazetën Infokus Selami Xhemaili, drejtor i Shëndetësisë në Komunën e Gjilanit.

Ndërkaq mungesa e insulinës nëpër QKMF-të e Kosovës më së shumti problem po u shkakton qytetarëve, të cilët përveç ngarkesës financiare që po u shkakton blerja e tyre, problem madhor mbetet edhe sigurimi i tyre, ngase ka mungesë të këtij medikamenti edhe në farmacitë private.

Njëra nga farmacitë e kryeqytetit i ka thënë Gazetës Infokus se me faktin që insulinat janë medikamente që ofrohen falas nga ministria për diabetikët, farmacitë nuk furnizohen dhe nuk i mbajnë në stoqe ato, ngase u skadojnë pa u shitur.

Gazeta Infokus që nga dita e djeshme është në pritje të përgjigjeve nga Ministria e Shëndetësisë lidhur me këtë problematikë, por që edhe përkundër premtimeve se do të kthejnë përgjigje gjatë ditës së djeshme, edhe në momentin kur po raportojmë , nga MSH-ja nuk janë përgjigjur./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera