Fokus

Alarm për prindërit: Teknologjia po shkatërron fëmijët tuaj

Autori: Ermirë Berisha 16:53 | 11 January 2023

Përdorimi i rrjeteve sociale ka filluar të bëhet një varësi në ditët e sotme, kështu duke u normalizuar si diçka e zakonshme në të gjithë boten.

Ky ndikim i pavëmendshëm ka bërë që edhe fëmijët të jenë përdorues të rregullt pa ditur pasojat të cilat mund të kenë në të ardhmen e tyre.

Ajo që rezulton më së shumti të ndikojë tek fëmijët është rrjeti “Tik-Tok”, duke u ofruar video të shkurtra me tematika të ndryshme.

-Advertisement-

Sociologu, Rehjan Fejza, ka treguar ekskluzivisht për Gazetën inFokus, se rrjetet sociale tek fëmijët po ndikojë në rritjen dhe zhvillimin e tyre të parakohshëm duke mos përkuar me moshën e tyre reale.

“Pasojat jemi duke i vërejtur qysh tani, kemi shumë raste ku shohim qasje në ‘live video’ të të miturve vajza dhe djem që manifestojnë sjellje të të rriturish apo sjellje që nuk përkojnë fare as me moshën e tyre e qe besa as me kulturën sociale dhe traditën siç zakonshëm sjelljen e fëmijët brenda shoqërive të caktuara”, është shprehur Fejza.

Për kundër gjithë aspekteve negative, Fejza thotë se ka edhe aspekte pozitive të përdorimit të teknologjisë, por që gjithçka duhet të zhvillohet me mbikëqyrjen e prindërve.

“Zhvillimi teknologjik pothuajse ka mbërri në kulminacion dhe është pothuajse e pamundur që të ndalohet rreptësishtë qasja e fëmijëve në telefon. Ndalimi i tërësishëm i fëmijëve nga qasja në telefon dhe teknologji mund të lë fëmijët prapa në aftësimin e tyre në raport me teknologjinë. Çfarë unë rekomandoj është që fëmijët të mbikëqyren vazhdimisht nga prindi ose kujdestari se çfarë manifestojnë ata kur janë para teknologjisë”, ka deklaruar Fejza.

Ndërsa psikologia, Antigona Qenaj Sejdiu, është shprehur për Gazetën Infokus se “Varësia nga përdorimi i telefonave lidhet direkt me përdorimin e rrjeteve sociale, e tek fëmijët kryesisht përdorimi i Tik Tok. Pasojat janë të shumta duke filluar nga: problemet në të folur, ndikimi në zhvillimin e trurit tek fëmijët, çrregullimet e gjumit, asocializimi dhe mbyllja në vete, ankthi, depresioni, çrregullimet e sjelljes si sjellje te dhunshme dhe agresive, vështirësi në mësim, probleme me vëmendje dhe koncentrimin, etj. Madje këto probleme shpesh lidhen edhe me probleme të shëndetit fizik si lodhje, rraskapitje, rënje e imunitetit dhe sëmundje të tjera si probleme me boshtin kurrizor, qafën etj”.

Madje sipas saj përdorimi me intensitet të lartë i “Tik-Tok”, mund t’i rrezikojë fëmijët të preken nga stresi dhe ankthi, sepse varësia ndaj rrjeteve sociale mund të shndërrohet një obsesion dhe të ketë pasoja të shumta.

“Tik-Toku është njëri prej aplikacioneve që fëmijët përdorin më së shumti dhe videot që shikohen aty në formën se si janë të shfaqura, ndikojnë që fëmija të ndjejë një kënaqësi e cila shfaqet përmes humoreve të ndryshme dhe e cila zgjat pak sekonda. Kjo rrit serotoninën në organizmin e fëmijës dhe bën që fëmija të ketë dëshirë të qëndrojë më shumë aty. Por, përveç varësisë që krijohet gjithashtu ndikimi negativ vërehet edhe tek vështirësi që shfaqen me fëmijën në mbajtjen e vëmendjes afatgjatë, dhe nevojën që të përjetojë gjërat shkurt dhe shpejt. Kjo qon në mungesë durimi dhe qetësie, hiperaktivitet, stres dhe ankth.

Si përfundim ekspertët e fushës sugjerojnë se duhet që të:

Rehjan Fejza:

1.Për fëmijët aplikacionet e vetme duhet të jenë ato edukativo arsimore dhe programi ‘Youtube Kids’. Me aq sa kam analizuar janë të vetmit aplikacione që nuk përmbajnë grumbull informacionesh e ngjarjesh që e dëmtojnë procesin e trurit!

2.Sa më pak qasje në teknologji për fëmijët nën 14 vjeç. Dhe gjithashtu sa më shumë mbikëqyrje për fëmijët që kanë qasje në internet e që janë mbi 14 vjeç sepse siç e dimë kjo është mosha kur fillon që njeriu të jetë më kurioz për pothuajse gjithçka që nuk është e moshës së tij.

Antigona Qenaj Sejdiu:

1.Angazhimi i fëmijëve në aktivitete të ndryshme fizike dhe artistike, si dhe angazhimi i fëmijëve në aktivitete sociale e inkurajimi i tyre që të kalojnë më shumë kohë në ambiente të hapura, natyre dhe angazhim në lojëra të ndryshme me fëmijë të tjerë. Këto janë këshillat më të rëndësishme, sepse duke mos patur kohë për monotoni, mërzitje dhe kohë të lirë ne mundësojmë indirekt largimin nga telefoni dhe rrjetet sociale. Gjithashtu menagjimi i orarit të gjumit dhe respektimi i këtij orari duke pasur një kontroll të rreptë prindëror sepse koha më e madhe e qëndrimit të fëmijëve në rrjete sociale sidomos adoleshentëve është gjatë natë kur ata do të duhej të përjetonin të mirat që sjellë gjumi në shëndetin e tyre fizik dhe mendor.

2.Në fund organizimi i një orari varësisht prej moshës së fëmijës të lejohet edhe qëndrimi në telefon karshi normave të paracaktuara bashkë prindër-fëmijë në përputhje me moshën e fëmijës.

3.Dhe rregulli numër një për prindërit të jenë ata vetë model për fëmijën!/Gazeta inFokus/

 

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera