Fokus

ALARAMANTE: Shtohen rastet e dhunës në familje, 6 gra të vrara për një vit

Autori: Eriola Cacaj 10:26 | 05 November 2020

Rastet e dhunës në familje u shtuan këtë vit në Kosovë. Shifrat janë alarmante. Nga dhuna e ushtruar u raportua se humbën jetën gjashtë gra. E rastet që përfunduan me lëndime janë shumë më të mëdha.

Vetëm në nëntë mujorin e parë të këtij viti në Polici janë raportuar 1568 raste të dhunës familjare. Kjo shifër është dukshëm më e madhe krahasuar me nëntëmujorin e vitit 2019 ku ishin raportuar 1234 raste.

Konfliktet e raportuara brenda familjeve janë të llojllojshme, dhe ato ndodhin gjithandej Kosovës, shkruan Gazeta Infokus.

-Advertisement-

Angazhimi institucional nuk po mungon por dhuna nuk po ndalet.

Trajtimi i rasteve me prioritet nga ana e Policisë së Kosovës, bashkëpunimi i qytetarëve me policinë dhe senzibilizimi i qytetarëve, ka ndikuar në ngritjen e raportimit të rasteve.

“Referuar rasteve të ngritura si dhe në veçanti referuar situatës dhe rrethanave që gjendemi në këtë kohë pandemie, Policia e Kosovës kërkon nga të gjithë qytetarët që të mos shfaqin dhunë ndaj askujt. Përkundër angazhimeve shtesë këto raste i trajton me prioritet dhe bënë apel për të gjithë personat nëse janë pre e dhunës në familje ose çfarëdo lloj dhune tjetër,  t`i raportojnë  këto raste përmes numrave të telefonit 192 dhe 080019999 apo në stacionin më të afërt policor”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës.

Erza Kurti, Koordinatore Kundër Dhunës me Bazë Gjinore, nga shoqata Rrjeti i Grave të Kosovës, ka bërë të ditur se 6 femra janë vrarë si pasojë e dhunës.

Edhe në këtë organizatë janë alarmuar për shtimin e rastetve të dhunës në familje.

“Me përhapjen e pandemisë si dhe me izolimin e qytetarëve, kanë filluar të shtohen këto raste. Mirëpo, ekziston mundësia që është rritur edhe vetëdija e qytetarëve që ta raportojnë dhunën në familje. Në të njëjtën kohë gratë janë rrezikuar jashtë nga virusi kurse brenda nga abuzuesi, kjo ka vështirësuar edhe raportimin e dhunës. Si pasojë e izolimit mund te kemi edhe shumë raste të paraportuara”, ka thënë Kurti./Gazeta InFokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Kryetari Përparim Rama pjesë e ‘Mayor’s Talk’

Të tjera