Lajme

“Al Jazeera” nën sulm, hakerat godasin rrjetin satelitor të Katarit

Autori: Gazeta inFokus 16:11 | 09 June 2017

Rrjeti satelitor i Katarit, Al Jazeera është përballur me një sulm të fortë kibernetik, por mbetet sërish funksional thane burime pranë kompanisë mediatike për gazetën britanike “The Guardian”.

“Po ndeshemi me një ndërhyrje të hakerave, por jemi duke u kundërpërgjigjur”, citohet të ketë thënë një drejtues i lartë i saj, emri i të cilit nuk bëhet publik.

Disa orë më vonë, televizioni shtetëror i Katarit njoftoi se do të mbyllte përkohësisht faqen e tij online për arsye sigurie.

-Advertisement-

Incidenti vjen në kohën kur Katari përballet me fushatën e paprecedentë të kryesuar nga Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Egjipti dhe Bahreini për shkëputjen e lidhjeve diplomatike dhe ekonomike me të nën argumentin se shteti i Gjirit ka lidhje me Vëllazërinë Myslimane, Hamasin dhe Iranin.

Që të katër këto vende tërhoqën ambasadorët e tyre nga Doha e kulmi i krizës mbërriti të enjten, kur emiratët e çuan ngërçin një hap më tej duke refuzuar të dërgonin postën në Katar.

Ky i fundit ka reaguar ashpër ndaj bllokadës së fqinjëve e thotë se izolimi i tij do të destabilizojë të gjithë rajonin. Gjermania bën thirrje që kriza e Katarit të zgjidhet në rrugë diplomatike.

“Jemi të bindur se tani është momenti i diplomacisë, se duhet të flasim me njëri-tjetrin. Bashkë me kolegët tanë amerikanë, por mbi të gjitha ata në rajon, ne duhet të gjejmë një zgjidhje në mënyrë që të hiqen bllokadat ajrore e detare e kjo situatë të marrë fund”, tha Sigmar Gabriel , ministër i Jashtëm gjerman.

Nismës së Arabisë Saudite iu bashkuan edhe Jemeni e Maldivet, ndërsa Katari pretendon se komentet online që nxitën këtë armiqësi, ishin rrjedhojë e një sulmi kibernetik.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
-Advertisement-

Të tjera