Lajme

I akuzuari për vrasje në tentativë bëhet fqinj me të dëmtuarin!

Autori: Gazeta inFokus 10:27 | 05 September 2017

Nazmi Bega që sipas aktakuzës tentoi ta vrasë Edison Bytyqin ka blerë një objekt në mezhdë me të dëmtuarin.

Edison Bytyqi, të cilin sipas aktakuzës tentoi ta vrasë Nazmi Bega, u ankua në gjykatë se i akuzuari ka blerë një objekt ngjitur me pronën e tij.

“Po ndihem i rrezikuar sepse në mezhde me mua e ka blerë një objekt dhe moralisht kur je në bela me dikë i qëndron sa më larg dhe ai ka ardhur në një objekt ngjit me mua “, tha Bytyqi.

-Advertisement-

Bytyqi këtë informatë e tregoi gjatë shqyrtimit të ankesës së tij në Gjykatën e Apelit, ndaj dënimit që më parë iu shqiptua Begës.

Bytyqi kërkon dënim më të lartë për Begën, ndërsa gjithashtu edhe Bega është ankuar në Apel duke kërkuar lirimin e tij.

Isuf Bytyqi, avokati i Edison Bytyqit, tha se Bega e ka kryer me dashje vrasjen në tentativë- veprën për të cilën akuzohet.

“Nazmi Bega e deshti veprën dhe tentoi që ta çojë deri në fund  ndaj klientit tim”, tha avokati Bytyqi.

Avokati i të akuzuarit Bega, Bajram Tmava, tha që ankesa e palës së dëmtuar është e palejuar, sepse ata mund të ankohen vetëm mbi lartësinë e dënimit, por jo edhe ndaj gjendjes faktike apo dashjes.

Tmava në ankesën e tij tha se atij do t’i mbesin disa dilema profesionale lidhur me këtë rast.

“Pse policia nuk e ka sjellë asnjëherë briskun  në gjykatë? Dokumentacioni mjekësor nuk është në dosje, ndërsa nuk është qartësuar se cili ka qenë motivi i të mbrojturit tim që ka qenë atë natë aty”, tha Tmava.

I akuzuari Bega mbështeti avokatin e tij teksa deklaroi pafajësinë duke e quajtur të dëmtuarin si dëshmitar.

Gjykata Themelore ne Ferizaj në mars të këtij viti e kishte gjetur fajtor dhe dënuar me 3 vjet burg Nazmi Begën nën akuzën e veprës vrasja në tentativë.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Bega më datën 25 gusht 2015 rreth orës 23 e 15 në Ferizaj ka tentuar ta privojë nga jeta të dëmtuarin Edison Bytyqi, ndërsa sipas prokurorisë motivi i kësaj ngjarje ishte një borxh prej 5 mijë eurove.

Lidhur me këtë rast Gjykata e Apelit do të vendosë jashtë shqyrtimit gjyqësor./Kallxo.com

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Marsi sjell Magji në ETC
-Advertisement-

Të tjera