Lajme

Akuzohen për marrje ryshfeti, ish-polici thotë se kolegu i tij i prezantoi dëshmitarët si zyrtarë të AKI-së

Autori: Gazeta inFokus 20:55 | 10 October 2024

Akuzohen për marrje ryshfeti, ish-polici thotë se kolegu i tij i prezantoi dëshmitarët si zyrtarë të AKI-së

Ish-polici Lavdim Osmani ka thënë i akuzuari tjetër, Lutfi Menxhiqi, ka qenë zëvendës i drejtorit dhe se nga ai ka marrë detyra që të hetojë raste.

Këtë deklaratë Osmani e ka dhënë të enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku bashkë me Menxhiqin po akuzohen se fillim të muajit nëntor 2019, në Prishtinë, afër Gjykatës Kushtetuese, në cilësinë e hetuesve në Drejtorinë e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë, kishin pranuar ryshfet.

-Advertisement-

Osmani tha se me dëshmitarët dhe të dëmtuarin Mentor Maqani, është njoftuar nga i akuzuari Menxhiqi, ku sipas tij, dëshmitarët i janë prezantuar si zyrtarë të AKI-së.

Ai ka thënë se kishte shkuar të merrte “diçka” nga dëshmitarët pa e ditur se po bënte veprime ilegale.

“Lutfia më është lutur, që shko merr diçka, nuk e kam ditë që është diçka ilegale dhe ditën tjetër kom pas me ja dërgu paret, pasi që i njëjti e kishte vajzën të sëmurë”, shtoi tutje Osmani.

Ish-polici ka thënë se atij nuk i janë dhënë asnjë shumë por i janë dhënë të bashkëakuzuarit Menxhiqi.

Sipas tij, në bazë të një bisede që ka pasur me Menxhiqin, në një moment i është thënë se kjo shumë e parave ka burim nga një biznes i lojërave të fatit, ku pronarë janë vëllezërit Osmanit.

Sipas Osmanit, kjo bisedë për lojërat e fatit është bërë edhe në një takim në kafenen “Central”, ku të pranishëm ishin i akuzuari, dëshmitarët dhe i dëmtuari.

“Fakti tjetër, kur kolegu im më prezanton dikë si agjent të AKI-s, unë nuk kom pasur ndonjë dyshim. Po të kisha ndonjë informatë do ta raportoja”, tha Osmani.

Në pyetjen e gjyqtarit Syla, se pse ishte prezent në kohën kur, sipas të cilët Menxhiqi ka pranuar shumën tek parkingu i Gjykatës, Osmani tha se i bashkëakuzuari i kishte thënë që të mos merrte autobusin për në shtëpi pasi që ai do ta dërgonte në shtëpi me veturë.

Në anën tjetër, ish-polici Menxhiqi ka deklaruar se qenë mbikëqyrës i njësisë, dhe se nuk ka qenë zëvendës i togerit, ashtu siç ka deklaruar i akuzuari Osmani.

Po ashtu, Menxhiqi deklaroi se ai asnjëherë nuk i ka dhënë detyra për hetime, ashtu siç kishte pretenduar Osmani.

Sipas Menxhiqit, Osmani i kishte ofruar që të marrë pjesë në një rast, ku i njëjti do të bënte identifikimin e disa personave në kuadër të departamentit për krim të organizuar, i cili deklaroi që për hir të pozitës kishte pranuar dhe më pas kishin vazhduar në një kafiteri ku edhe janë takuar me dëshmitarin Huruglica dhe një person tjetër. Menxhiqi tha se kishin vazhduar për te parkingu i Gjykatës Kushtetuese, në të cilin Osmani dhe Huruglica janë takuar me disa persona, por sipas tij, nuk ka mundur që të afrohet pasi që Osmani nuk e kishte lejuar.

Gjithashtu, i akuzuari Menxhiqi kundërshton se i kishte thënë ndonjëherë Osmanit që të dilte dhe të merrte para në emër të tij, pasi që ai nuk e vlerëson se kishte raporte aq të afërta shoqërore dhe se nuk i kishte thënë asnjëherë që e kishte vajzën të sëmurë.

Ndryshe, Gjykata Themelore e Prishtinës, më 14 shkurt të vitit 2022, kishte shpallur fajtorë Osmanin dhe Menxhiqin duke i dënuar në total me 12 vite burgim dhe me 8 mijë euro gjobë.

Mirëpo, Gjykata e Apelit, më 3 maj 2023, ka marrë vendim, përmes të cilit ka anuluar aktgjykimin e Themelores dhe ka kthyer në rigjykim çështjen penale ndaj Menxhiqit dhe Osmanit.

Vendimi i Apelit për këtë çështje erdhi pas mbajtjes së seancës në këtë gjykatë më 5 prill 2023, ku edhe ishin shqyrtuar ankesat e mbrojtësve të të akuzuarve, për Lavdim Osmanin, avokati Muhamet Mujaj dhe për Lutfi Menxhiqin, avokati SkenderMusa.

Ndryshe, sipas aktakuzës së përpiluar më 30 qershor 2020, Osmani dhe Menxhiqi, po akuzohen se në fillim të muajit nëntor 2019, në cilësinë e hetuesve në Drejtorinë e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë, kishin pranuar ryshfet nga Driton Berisha dhe D.H, në mënyrë që mos të ndërmarrin veprime për luftimin e lojërave të fatit./betimiperdrejtesi

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Edhe një storie suksesi – PRINCE CAFFE lidh marrëveshje bashkëpunimi me kompaninë më të madhe në Kroaci të shitjes me…
-Advertisement-

Të tjera