Lajme

AKF shënon 15-vjetorin e themelimit

Autori: Gazeta inFokus 15:10 | 06 December 2018

Agjencia e Kosovës për Forenzikë e Ministrisë së Punëve të Brendshme ka mbajtur ceremoninë e 15-vjetorit të themelimit.

Ministri i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa, tha se fusha forenzike të cilën e mbulon ky institucion është shumë e rëndësishme dhe përcaktuese në identifikimin, zbulimin, vërtetimin, parandalimin e kriminalitetit në vendin tonë.

Ai shtoi se Agjencia e Kosovës për Forenzikë do të ketë përkrahjen e tij dhe drejtimin e duhur të përcaktuar me Ligjin për AKF-në dhe legjislacionin përcjellës të aprovuar.

“Falë angazhimit të të gjithë personelit të AKF-së dhe më mbështetjen time të pa rezervë në të gjitha drejtimet, sukseset nuk do të mungojnë edhe në vitet vijuese”, shtoi ministri Mustafa.

Kryeshefi i AKF-së, Blerim Olluri, tha se AKF gjatë këtyre viteve ka luajtur një rol të rëndësishëm në zbardhjen e veprave penale ku të gjitha ekspertizat janë kryer sipas standardeve më të larta ndërkombëtare.

Me këtë rast para të pranishmëve u paraqit edhe një film dokumentar i shkurtër lidhur me historikun e themelimit të AKF-së. Ndryshe, disa nga të arriturat kryesore që janë realizuar gjatë këtyre viteve nga AKF janë kryerja në mënyrë profesionale dhe me standarde ndërkombëtare e rreth 4000 ekspertimeve me mbi 40.000 dëshmi përcjellëse çdo vit, akreditimi i pesë laboratorëve me standarde ndërkombëtare të cilësisë ISO 17025 dhe rezultatet pozitive të të gjithë eksperteve në testet ndërkombëtare të zotësisë.

Të tjera