Lajme

AGK: Dënojmë sulmin brutal ndaj gazetarëve në Leposaviq

Autori: Gazeta inFokus 15:53 | 16 June 2023

sociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), ka njoftuar se ekipet e gazetarëve nga Prishtina “kanë qenë cak i një sulmit brutal” nga protestuesit në Leposaviq, derisa ata po kryenin punën e tyre.

Sipas AGK-së, kameramani i shërbyesit publik, Radio Televizionit të Kosovës, Bardh Bekteshi është sulmuar fizikisht dhe ka marrë lëndime të rënda në kokë e trup.

“Përveç sulmit fizik, Bekteshit i është thyer edhe kamera e xhirimit”, thuhet në njoftimin e AGK-së.

-Advertisement-

Ky asociacion ka publikuar dhe një video ku shihet sulmi ndaj gazetarëve në Leposaviq.

Sipas një deklarate për AGK-në, gazetarja Venera Xhoxhaj, ka treguar se protestuesit i kanë gjuajtur me gurë ekipet e mediave, Tëvë1, RTV Dukagjini, RTK, Klan Kosova dhe KTV.

“Na kanë gjuajtur me gurë, disa kolegë derisa kanë qenë duke u larguar, janë rrëzuar, dhe kameramanit tonë, Bardh Bekteshi, e kanë shtyrë duke e rrëzuar pastaj edhe sulmuar fizikisht duke i shkaktuar lëndime në kokë dhe trup””, ka thënë Xhoxhaj për AGK-në.

“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, i bënë thirrje urgjente Policisë së Kosovës, dhe prezencës ndërkombëtare në këtë komunë, që t’u ofrojnë siguri gazetarëve dhe kameramanëve të cilët janë duke qëndruar në atë komunë”, thuhet në reagimin e AGK-së, e cila e ka dënuar ashpër sulmin.

AGK-ka ka thënë se për të gjitha sulmet ndaj gazetarëve, të cilat kanë ndodhur gjatë raportimeve të tyre nga veriu i vendit, do t’i informohen organizatat ndërkombëtare që merren me sigurinë e gazetarëve dhe lirinë e medias.

Më herët, është raportuar se një grup protestuesish serbë në Leposaviq – komunë në veri të Kosovës – tentoi të hyjë në objektin komunal, duke besuar se aty është duke u mbajtur një takim mes ministrit të Pushtetit Lokal të Kosovës, Elbert Krasniqi, dhe kryetarit të komunës, Lulzim Hetemi.

Protestuesit u tërhoqën më vonë pas gardhit që ushtarët e misionit të NATO-s, KFOR, kishin vendosur paraprakisht para ndërtesës së komunës.

Në ndërtesën komunale në Leposaviq, sikurse edhe në dy komunat tjera me shumicë serbe në veri të Kosovës – Zveçan dhe Zubin Potok – vetëqeverisja lokale e Kosovës dhe ajo serbe janë të vendosura në të njëjtin objekt.

Kjo është edhe arsyeja përse pjesëtarët e komunitetit serb protestojnë që nga fundi i majit – ata nuk duan të lejojnë që kryetarët shqiptarë të komunave të punojnë nga ndërtesat komunale.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Prince Caffe zgjeron shtrirjen në rajon, arrin marrëveshje bashkëpunimi me zinxhirin kroat Plodine
-Advertisement-

Të tjera