Lajme

Agim Veliu: Nëse PDK e prish Qeverinë, LDK s’do të bëjë më koalicion me të!

Autori: Gazeta inFokus 14:51 | 26 April 2017

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu ka thënë për lajmi.net se nëse Partia Demokratike e Kosovës vendos njëanshëm për të shkuar në zgjedhje të parakohshme, atëherë LDK do ta shqyrtoj pozicionin e saj dhe do të jetë e vështirë që në të ardhmen të ulen për të bërë marrëveshje me ata që nuk i respektojnë marrëveshjet.

Veliu ka thënë se deklarimet e zyrtarëve të PDK-së për mundësinë e shkuarjes në zgjedhje të parakohshme ka thënë se janë deklarime individuale dhe se partnerët e koalicionit nuk janë ulur për të diskutuar për këtë çështje. Ai ka thënë se nuk është mirë të deklarohen kështu në opinion dhe të luajnë një lloj “ping pongu”, por ka thënë se partnerët duhet të ulen dhe t’i trajtojnë të gjitha çështjet që janë me marrëveshje.

“Ne kemi takime të rregullta për çështje të ndryshme dhe mendoj se edhe për këtë çështje duhet të ulemi dhe të bisedojmë. Duhet të sqarohemi dhe nuk është mirë të veprohet njëanshëm, sepse koalicioni është lidhë me një marrëveshje, me kushte të caktuara, me afate. Institucionet duhet të funksionojnë normalisht, por këtu ka një paradoks. Qeveria po funksionon, ka rezultate  të mira, ndërsa Kuvendi i Kosovës nuk po e kryen funksionin vet dhe është mirë që ai të mblidhet dhe t’i kryej obligimet e veta për çka edhe janë zgjedhur”, ka deklaruar Veliu në një prononcim për lajmi.net.

-Advertisement-

Më tej, nënkryetari i LDK-së duke folur për deklarimet e zyrtarëve të PDK-së për nevojën e vendimmarrjes së shpejt për demarkacionin, ka thënë se kjo nuk është përgjegjësi vetëm e LDK-së.

“Nuk është e vërtetë se fajtor për demarkacionin është vetëm një palë, për demarkacionin mund të jenë fajtorë të gjithë apo mund ta kenë mirë të gjithë. Kjo është çështje e rëndësisë vitale për Kosovën, kështu që vendimi nuk i takon vetëm një subjekti. Përgjegjësia është sa e LDK-së, aq e PDK-së apo e opozitës”, është shprehur Veliu.

Kurse, i pyetur se a mund të ketë zgjedhje të parakohshme në qershor, Veliu ka thënë se nuk është i prirur të jap afate kohore për zgjedhje, por ka thënë se ai mendon se duhet të respektohen afatet ligjore, pra që zgjedhjet të mbahen vitin e ardhshëm.

Madje Veliu ka thënë se nuk e beson që zgjedhjet në këtë moment do të ofronin zgjidhje.

“Opozita është kundër  vendimeve të mëdha dhe nëse mbahen zgjedhjet prapë opozita  do të jetë kundër, prandaj duhet të ulen dhe të diskutojnë, duhet që subjektet të marrin përgjegjësi për vendin dhe nuk e di çka do të ndryshoj me zgjedhje.  Por mund të them që me nguti e me zgjedhje do të ndërlikohet situata në Kosovë edhe më tepër, sepse mund të vijmë në situata të padëshirueshme”, ka shtuar Veliu.

Në fund, Veliu ka thënë se nëse partneri i madh i koalicionit, PDK vendos për zgjedhje të parakohshme, atëherë LDK vështirë se do të bëjë koalicion në të ardhmen me këtë subjekt.

Mund të vijmë në situatë ku do të jetë e vështirë të ndërtojmë institucione sepse nëse në këtë mënyrë veprohet si me këto deklarimet individuale nga partnerët e koalicionit, nëse ndodhë një gjë e tillë njëanshëm, atëherë LDK do ta shqyrtoj pozicionin e saj dhe do ta shqyrtoj edhe këtë periudhë të koalicionit dhe do të jetë vështirë më të ulemi me lidhë marrëveshje me partnerët të cilët nuk i mbajnë fjalët. Pra ka rrezik që të bëhemi të pabesueshëm dhe mund të vijmë në situatë ku do ta kemi vështirë të ndërtojmë institucione të reja”, ka deklaruar Veliu.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
UNI – Universum International College sërish pjesë e Panairit të Edukimit, vazhdon të ofroj studime me standarde amerikane
-Advertisement-

Të tjera