Lajme

Agim Çeku dhe të tjerët deklarohen të pafajshëm për rastin “Veteranët”

Autori: Gazeta inFokus 10:16 | 31 October 2023

Në seancën e së hënës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin e njohur si “Veteranët”, ish-kryeministri Agim Çeku, ish-ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, ish-deputeti Shkumbin Demalijaj, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari, janë deklaruar të pafajshëm për veprat që iu vihen në barrë.

Deklarimin rreth fajësisë, të akuzuarit e bënë pasi aktakuza u konsideruar e lexuar, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Në këtë rast për keqpërdorim të detyrës zyrtare akuzohen ish-kryeministri Agim Çeku, ish-ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, ish-deputeti Shkumbin Demalijaj, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.

Seanca është duke vazhduar me fjalën hyrëse të palëve në procedurë.

-Advertisement-

Ndryshe, seanca e 16 dhjetorit 2022 kishte dështuar në mungesë të të akuzuarve Fazliu dhe Elezaj, ndërsa ajo e 15 marsit 2023, ishte anuluar me kërkesë të prokurorit Valdet Gashi.

Seanca e 15 qershorit 2023, kishte dështuar për shkak se të akuzuarit Sadik Halitjaha, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Xhavit Jashari, nuk kishin angazhuar avokatë. Kurse, seanca e 18 shtatorit 2023 është anuluar për shkak se prokurori Valdet Gashi ishte në udhëtim zyrtar. Ndërsa, ajo e 28 shtatorit 2023 dështoi në mungesë të të akuzuarit Shukri Buja.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 16 prill 2021 të akuzuarit i kishte liruar nga akuza. Por, Gjykata e Apelit më 26 prill 2022 e ka kthyer në rigjykim këtë rast.

Sipas Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), të akuzuarit duke keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare, për kohën sa ishin pjesë e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së UÇK-së, i kanë shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës në vlerë prej 88.769.217.04 euro.

Për këto akuza, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte marrë aktgjykim lirues edhe më 19 janar 2021.

Aktgjykimi në këtë rast ishte përpiluar tre muaj më vonë, ku PSRK brenda 15 ditësh kishte pasur mundësi të ushtrojë ankesë ndaj këtij aktgjykimi.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 19 qershor 2019, e kishte konfirmuar aktakuzën për këtë rast, ndërsa këtë vendim e kishte konfirmuar edhe Gjykata e Apelit në gusht të vitit 2019.

Me aktakuzën e PSRK-së, po ashtu ishte kërkuar që Gjykata Themelore në Prishtinë, të urdhërojë Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), që të pezullonte pagesën e pensioneve për 19 mijë e 500 veteranë, deri në përfundimin e procesit gjyqësor.

Por, më 1 prill 2019, gjykata e kishte refuzuar këtë kërkesë me arsyetimin se propozimi për masën e përkohshme nuk është ndaj të akuzuarve, por ndaj MPMS-së, si palë e tretë.

Kurse pas seancave të mbajtura, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 19 janar 2021, ka shpallur aktgjykim lirues ndaj të akuzuarve në këtë rast.

Sipas aktakuzës së përgatitur nga ish-prokurori special, Elez Blakaj, personat e përfshirë thuhet se prej vitit 2011 deri në vitin 2017, duke vepruar si anëtarë të Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, duke tejkaluar kompetencat me dashje dhe duke mos i përmbushur detyrat zyrtare, me qëllim që të përfitojnë personat e tjerë në mënyrë të kundërligjshme, në vazhdimësi, në dëm të Buxhetit të Republikës së Kosovës.

Në këtë aktakuzë, janë përfshirë 12 persona, të cilët ngarkohen me veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Siç kishte raportuar “Betimi për Drejtësi”, listës së personave të akuzuar i prin Agim Çeku, i pasuar nga Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.

PSRK-ja, po ashtu i kishte propozuar gjykatës, që ta lëshonte masën për ndalimin e pagesës së pensioneve të fituara në mënyrë të kundërligjshme si veteranë luftëtarë të UÇK-së, deri në përfundimin e procedurës penale.

Tutje, sipas PSRK-së, nga provat e siguruara ishte vërtetuar se nga pagesat e kundërligjshme për veteranët luftëtarë të UÇK-së, buxheti i Republikës së Kosovës ishte dëmtuar në shumë prej 68.153.533.14 euro.

Ndërsa, me aktakuzën e dorëzuar në gjykatë më 7 dhjetor 2018, pretendohet se buxheti i Republikës së Kosovës ishte dëmtuar në shumë prej 88.769.217.04 euro.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova hap degën më te re në qytetin e Suharekës
-Advertisement-

Të tjera