Fokus

Agim Bahtiri ia jep qendrën tregtare të afërmit të partisë (Foto/Dokument)

Autori: Sylejman Sylejmani 16:51 | 29 November 2018

Pas dështimit të dy tenderëve, Komuna e Mitrovicës më në fund ia ka gjetur pronarin e ri, qendrës tregtare të ndërtuar me para të Bashkimit Evropian.

Konzerciumi “Urban” që ofroi qera mujore prej 24.102 euro është fitues i këtij tenderi, ku konkurruan edhe tri kompani të tjera, shkruan Gazeta inFokus.

Më shumë se ky konzorcium ofroi “Reteam” Group, por e cila nuk u përzgjodh pasi oferta e saj u konsiderua si e papërgjegjshme nga komuna.

-Advertisement-

Kryesuesi i komisionit vlerësues për dhënien në shfrytëzim të kësaj prone të paluajtshme të komunës, Egzon Jashari tregoi për Gazetën inFokus se “Reteam” Group kishte ofruar 25 mijë euro, por kishte mangësi të mëdha në dokumente.

Kompani të tjera në garë ishin edhe “Alliance Kosovo” e cila ofroi diçka më shumë se 23 mijë euro dhe “Interplast” Group që ofroi rreth 20 mijë euro.

Por, kush është udhëheqës i  konzerciumit “Urban” që e fitoi tenderin?

Në fotografitë e publikuara nga komuna, shihet se kryetari i saj, Agim Bahtiri me gëzim të madh e nënshkroi kontratën e bashkëpunimit me drejtorin e konzerciumit “Urban”, Blerant Lila.

Kjo mbase edhe pasi që Lila ishte më herët pjesë e AKR-së.

Ai ka qenë pjesë e qeverisjes së Mimoza Kusari – Lilës në Gjakovë, sa ajo mbante postin e kryetares atje.

Në shumë video-promovuese e fotografi të AKR-së, Blerant Lila shihet afër ish-kryetares Kusari – Lila.

Për këtë çështje, Gazeta inFokus ka kontaktuar me kryetarin e Mitrovicës Agim Bahtiri, por ai me një arrogancë është përgjigjur se kjo nuk ka ndikuar që ai ta fitojë tenderin, si dhe porosit gazetarët të mos merren me tema të tilla.

“Mos bo hajgare, mos bo hajgare pash Zotin, mos u merr me këtë temë. Çka ka lidhje ajo punë, nuk ka lidhje absolut”, ka thënë kryetari Bahtiri.

Gazeta inFokus ka më shumë se një javë që është duke pritur për një përgjigje të Blerant Lilës për këtë temë, por ai edhe përkundër premtimeve të dhëna përmes telefonit, akoma nuk ka kthyer përgjigje në email.

Si u zgjodh fituese kompania e të afërmit të AKR-së?

Megjithatë, Egzon Jashari i cili udhëhoqi komisionin për dhënien në shfrytëzim të kësaj qendre, thotë se i gjithë procesi ishte në rregull, pasi nga dy ofertat e zgjedhura si të përgjegjshme nga komisioni, fitoi Konzorciumi “Urban”.

“Komisioni Vlerësues pas shqyrtimit të katër ofertave ka konstatuar unanimisht që dy ofertat e paraqitura në Ankand Publik: Oferta nga “RETEAM” Group, dhe Oferta nga “Interplast” Group SH.P.K.., nuk i kanë ofruar dokumentacionet e nevojshme të kërkuara me Ankand Publik, respektivisht nuk i kanë plotësuar të gjitha kushtet për pjesëmarrje në Ankand Publik dhe si të tilla janë shpallur si të papërgjegjshme. Nga dy ofertat e tjera për të cilat Komisioni Vlerësues i ka shpall të përgjegjshme, oferta nga Konzorciumi “URBAN” ka ofruar çmimin e qirasë mujore më të lartë mbi çmimin fillestar të caktuar në Ankand Publik”, ka thënë Jashari në një përgjigje për inFokus.

Komuna nuk ka dhënë më shumë detaje rreth kontratës së nënshkruar me konzerciumin “Urban”.

Akoma nuk ka treguar se si do t’ia bëjnë me dëmtimet e shumta materiale që i ka pësuar objekti i kësaj qendre tregtare, në kohën e tenderëve të dështuar, e as se cili është plani i konzerciumit “Urban” me këtë qedër.

Më parë komunarët e Mitrovicës patën deklaruar se shumë prej dëmeve do t’i faturohen kompanisë “Emona City”, e cila e pat fituar tenderin e parë, por që më pas i kishte rënë pishman dhe ishte tërhequr. /Gazeta inFokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera