Sport

Agim Ademi flet për VAR-in dhe kalkulimet e ndeshjeve të Superligës së Kosovës

Autori: Gazeta inFokus 21:02 | 26 May 2021

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, në një intervistë për lajmi.net ka folur për disa tema, si Superliga e Kosovës, manipulimet, VAR-in, situatën e Andi Zeqirit, objektivat e Bernard Challandes dhe Kombëtaren e Kosovës.

FC Prishtina u shpall kampione në Superligë, derisa Drita dhe Llapi siguruan daljen në Evropë përmes pozitës së dytë, respektivisht Kupës së Kosovës.

I pari i FFK-së tha se ky edicion ka qenë shumë i vështirë duke marrë parasysh pandeminë e COVID-19 dhe mungesën e tifozëve.

“Edicioni ka qenë besoj jashtëzakonisht i vështirë në masat e pandemisë pa shikues, por gjithsesi, falënderimi kryesor e kanë kryesitë e klubit që janë organizuar aq mirë, po ashtu organet tona, siç janë delegatët tonë dhe organizuesit e ndeshjes, që e kanë organizuar mjaftë mirë këtë garë. Ky kampionat ka pasur edhe vështirësi tjera ekonomike, si sponsorët që i financojnë klubet nuk kanë mundur ta shfrytëzojnë mundësinë e tyre që ka ndikuar në futboll, edhe pse klubet mendoj që janë mbajtur mirë, me një nivel të lartë të cilësisë dhe përkushtimit të klubeve”, tha ai.

Ademi i ka uruar suksese FC Prishtinës, Dritës dhe Llapit në garat evropiane, derisa tregoi se nëse klubet arrijnë të kualifikohen një xhiro më lartë se vitin e kaluar, atëherë nga Superliga do kualifikoheshin katër skuadra vitin tjetër.

“Unë i uroj këto tri ekipe, shpresoj që do jenë në nivel të kampionatit tanë dhe të shkojnë ndonjë xhiro më shumë, ngase kjo jo vetëm që do këtë impaktin nga ana financiare për klubin, por shkuarja një xhiro me lartë na jep mundësi që të pranohet edhe një tjetër ekip në garat ndërkombëtare, që do thotë këtë e synojmë dhe jemi në kontakt dhe biseda që ta rrisim numrin e ekipeve, që ta bëjmë tri plus një e kupës të shkojnë në garat ndërkombëtare, që do ishte mrekulli sepse do ishte 40 për qind e ligës që shkon në Evropë dhe do kishte impakt jo vetëm ekonomik por edhe në cilësi”.

Gjatë tërë edicionit, sidomos në stinorin e dytë ka pasur shumë spekulime që janë bërë kalkulime mes skuadrave, mirëpo presidenti i FFK-së tha se ende askush nuk ka dhënë asnjë fakt.

“Flitet dhe shihet në sytë e analistëve, por gjithsesi s’kemi pas fakte, kemi parë ndonjë ndeshje që ka qenë me e dobët, jo me lojtarë standardë, por për dijeninë tuaj, 15 anëtarë janë të Federatës që e shohin një ndeshje duke përfshirë edhe policinë, pra gjashtë policë dedikohen për çdo ndeshje. Secili e jep mendimin e vet, por nuk kanë pruar fakte, nëse kemi ndonjë ndeshje që flasin lojtarët, trajnerët ose anëtarët e kryesisë dhe kemi një fakt që kjo ka ndodh, atëherë ne veprojmë. Mund t’iu them se pesë xhirot e fundit kanë qenë të monitoruara, po ashtu edhe nga kompania e UEFA-së, të cilët kanë mbledhur informata, por mendoj që ndonjëherë parashikohet, shumë tabu janë thy për mu sepse ka qenë shumë ndeshje kur është menduar një ekip favorit, por ajo që nuk është favorit e ka fituar ndeshjen”.

Kryetari gjithashtu zbuloi se nëse shteti e lejon rikthimin e tifozëve, atëherë çdo gjë është në rregull ngase UEFA mund të jap ‘dritën e gjelbër’.

“Ka aspekti sportiv nga UEFA e kemi thuajse të lejuar, pra mund të fillojmë, por janë ligjet e shtetit që e lejojnë atë. Kah aspekti sportiv ish dashtë që në shtator të fillojë lëshimi i shikuesve, por gjithsesi varet si është gjendja në shtet nga pandemia. Shpresoj që të bëhet në shtator, ngase ka filluar të bie intensiteti i këtij virusi, ka shumë pak njerëz të infektuar dhe shpresoj të mos këtë hiq”.

Vitin e kaluar, Ademi kishte paralajmëruar se VAR-i do ishte i pranishëm në edicionin 2021/22, ndërsa sipas tij çdo gjë është duke vazhduar me hapa të shpejtë dhe në rast që kalojnë testin e bërë nga organet e FIFA-së dhe UEFA-së, atëherë VAR-i do jetë i pranishëm edicionin e radhës.

“VAR është në procedurë e sipër, është në fazën testuese dhe në licencimin në organet që kanë punuar në VAR, gjatë muajt e ardhshëm të verës do vijnë organet e UEFA-së dhe FIFA-së që do bëhet në kampet tona, ku duhet të monitorohen 76 ndeshje, ku aty do jetë licencimi i gjithë organeve që do punojnë me VAR, shpresoj që do e kalojmë atë test dhe të fillojmë në edicionin e radhës, por është në fazë duke ecur shumë shpejtë dhe këto faza kanë kaluar me insitet shumë të mirë, kemi lëvdata edhe nga instruktorët e FIFA-së. Shpresoj që VAR-i të jetë ajo pjesa që do sigurojë edhe ekipet edhe referat, për një mirëvajtje të garave”.

Pos kësaj, Ademi shpjegoi gjithë situatën e futbollistit Andi Zeqiri, që i kishte thënë po Kosovës, por pastaj emri i tij doli në listën e Zvicrës për “Euro 2020”.

“Andi Zeqiri dhe familjarët e tij e kanë thënë edhe publikisht po për Kosovën dhe ne e kemi pritur siç jemi marrë vesh, pra marrëveshja ka qenë që t’i zhvillojë edhe ato tri ndeshje për shkak se ka qenë në kampionatin evropian me Zvicrën dhe pasi që të përfundojë kjo të jetë me Kosovën. Tani ai është në një listë të gjerë, ne do presim si do ecë kjo listë e tij, do jetë apo jo në ekipin bazë, gjithsesi unë mendoj se njerëzit duhet të jeni të sinqertë, Andi dhe gjithë të tjerët në vendimin e tyre, sepse nuk është kurrfarë zori, dhunë, me vetë dëshirë e ka pranuar, ka veshur edhe fanellën dhe normalisht të paktën me qenë të sinqertë me Kosovën edhe ata që nuk vinë, të mos vijnë sepse ne nuk kemi bërë kurrfarë presioni, por atu ku t’rreh zemra, aty rri”.

I pyetur nëse është kontaktuar nga prindi ose vetë lojtari, i pari i FFK-së bëri të ditur se nuk ka pasur asnjë kontakt, mirëpo vazhdojnë t’i qëndrojnë pas marrëveshjes së nënshkruar.

“Nuk kam pasur kontakt, nuk kemi zhvilluar kontakte të tjera, as ata nuk kanë thirr. Ne qëndrojmë pranë marrëveshjes që kemi bërë, nëse ata nuk e respektojnë marrëveshje, atëherë është çështje e tyre nëse kërkojnë falje ose shpjegojnë situatën, por duhet njeri të këtë dinjitet dhe shpirt për rrënjat e veta kah vjen. Asnjëherë vendi i dikujt nuk bëhet i joti”.

Ndeshjet miqësore të qershorit kanë qenë vërtetë befasi, ngase nuk ka pasur ndonjë shtet me të fortë se Kosova, e për këtë, Ademi u shpreh se ishte zgjedhja e përzgjedhësit Bernard Challandes.

“Këto i zgjedhë trajneri, i përcakton kundërshtarët çfarë i duhen për arsyet e tij, ose ka ndonjë kundërshtar që i përngjan ndonjë ekipi, ose ka ekipin me të dobët i duhet për moral, ose më i fortë për me i ulë pak në tokë futbollistët ose mesatarë. Këtu është përzgjedhja e trajnerit, ose në këtë fazë nuk kemi mundur të kemi zgjedhje të dëshirueshme, por këto kanë ndodhur me përzgjedhje të trajnerit. Dy ndeshjet në Turqi janë kontrolluese për futbollistë të rinj, të shohim sa është kapaciteti i tyre”.

Në fund, Ademi foli edhe për objektivat e Bernard Challandes. Ai deklaroi se e dinë kapacitetin e Kosovës, andaj duhen rezultate.

“Objektivat janë të përcaktuar sepse ne kemi thënë se një trajner ta mban rezultati, nëse është kështu atëherë kërkojmë rezultat. Ne e dimë çfarë grupi jem, por e dimë edhe kualitetin. Dihet kapaciteti i Kosovës nëse shohim individualisht ose edhe grupor, pra e dimë kapacitetin sa e kemi dhe kundërshtarët çfarë fuqie kanë, prandaj nuk e kërkojmë të pamundurën sepse të pamundur në futboll nuk ka, nuk duam të biem më poshtë se niveli ynë”.

Kujtojmë, se me 1 qershor, Kosova e pret San Marinon në “Fadil Vokrri”.

Të tjera