Lajme

Afër dekretimit si gjyqtar në Kushtetuese ish-anëtari i PDK’së

Autori: Gazeta inFokus 13:08 | 08 August 2018

Safet Hoxha, i cili dikur ishte pjesë e PDK’së, është një nga tre të votuarit e Kuvendit për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese.

Por edhe pse, kishte pasur reagime të shumta ndaj votimit të Hoxhajt për gjyqtar të Kushtetueses, duke e ditur të kaluarën e tij politike. Mirëpo, sot në një konferencë për media, ai ka lënë të kuptohet se do ta bëjë dekretimin e tij.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka mbetur pa kuorum që nga data 15 qershor e këtij viti, pasi tre gjykatësve u kishte kaluar mandati. Kuvendi i Kosovës ka votuar tre gjyqtarët e rinj, në mesin e tyre edhe Safet Hoxhën, i cili ka të kaluar politike si ish-militant i PDK-së, ndërsa ai në vitin 2013 kishte kandiduar për anëtar të Këshillit Drejtues të PDK’së, në komunën e Suharekës.

-Advertisement-

Organizata për Demokraci, Anti-korrupsion dhe Dinjitet, Çohu, kishte shprehur pakënaqësi dhe ishte drejtuar me një letër të hapur, duke i kërkuar Thaçit të mos e dekretojë Safet Hoxhën, për shkak të kaluarës së tij politike, mirëpo nuk kishin marrë ndonjë përgjigje nga ai.

Ndërsa sot në një komunikatë për media, Thaçi këtë ngjarje e ka komentuar si normale, duke thënë se nuk është hera e parë që një gjyqtar ka të kaluar politike.

“Zakonisht presidentët e Kosovës nuk kanë kthyer vendimet e Kuvendit. Ka pasur debate të ndryshme edhe në të kaluarën sa i përket kësaj çështje, por ende nuk më kanë ardhur në zyrën time të gjithë emrat për t’i nënshkruar. Në momentin që ata do t’i kalojnë të gjitha procedurat përmes zyrës ligjore dhe mekanizmave tjerë përkatës, unë do të marr vendimin përfundimtar”, ka thënë Thaçi, duke lënë të kuptohet se ai do ta dekretojë Safet Hoxhën, pasi Kuvendi e ka votuar.

Ndërsa për të kaluarën politike të Hoxhajt, ai ka thënë se është krejt normale, duke thënë po ashtu se secili qytetar i Kosovës ka të drejtë të votojë për kë të dojë.

“Secili e ka bindjen e vet dhe është personale, edhe ata janë qytetarë të Kosovës, edhe ata për dikë duhet të votojnë. Ka shumë raste të tjera që nga partitë apo shoqëritë civile, janë bërë gjyqtarë, ndërsa nga gjyqtarë kanë kaluar në parti politike. Vetëm lëvizin pozicionet, krejt kjo është shumë normale në botën demokratike” është shprehur Thaçi./GazetaExpress

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera