Afati joreal për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit për drejtësi
Autori: Gazeta inFokus 18:45 | 03 September 2017
Marrëveshja e Brukselit për drejtësinë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, gjegjësisht për integrimin në sistemin e Kosovës të gjykatësve dhe prokurorëve serbë nga veriu i vendit, marrëveshje kjo e cila është arritur në shkurt të vitit 2015, do të fillojë të zbatohet më 17 tetor, është konfirmuar të enjten në Bruksel. Në veri të Kosovës, konsiderojnë se ky është një lajm i mirë, por joreal se mund të realizohet më 17 tetor.
“Nuk mund të pritet që drejtësia e integruar do të mund të nisë me gjykimet, më 17 tetor. Por, deri atëherë mund të kryhen disa çështje, disa punë organizative, të cilat janë të domosdoshme”, thotë Krivokapiq.
Ajo shton se në këtë kuptim bëhet fjalë për rregullimin e të drejtave lidhur me çështjen e marrëdhënieve të punës së gjykatësve dhe prokurorëve në Republikën e Serbisë dhe se 17 tetori është caktuar pikërisht si datë deri kur duhet të zgjidhen problemet paraprake.
Dushan Radakoviq, drejtor ekzekutiv i organizatës joqeveritare “Qendra për përfaqësim të kulturës demokratike”, thotë se me siguri që çështja e pensioneve të gjykatësve dhe prokurorëve, në Serbi do të zgjidhet me rregullore.
“Për të pasur ata pensione të garantuara, duhet të ndryshohet Ligji për pensionet i Serbisë dhe duhet të ndryshojë Kushtetuta e Serbisë. Kjo është e pamundur të bëhet në disa vitet e ardhshme e lëre më për një muaj e gjysmë. Kjo do të jetë një rregullore. Se si do ta pranojnë atë gjykatësit dhe prokurorët, këtë nuk e di, sepse rregullorja mund të ndërpritet në qeverinë e ardhshme. Por, me siguri që tash për tash, kështu do të bëhet”, thotë Radakoviq.
Ndonëse e konsideron lajm të mirë fillimin e zbatimit të marrëveshjes për drejtësinë, megjithatë, Radakoviq shpreh dyshimet e tij se mund të ndodhë me datën 17 tetor, për shkak të mungesës së infrastrukturës, por edhe për shkak se gjykatësit dhe prokurorët serbë, të cilët duhet të integrohen në sistemin e drejtësisë së Kosovës, nuk e kanë kaluar përgatitjen në Këshillin Gjyqësor të Kosovës.
“Mendoj se është mjaft e vështirë që të arrihet kjo. Informacion i mirë është fakti se po punohet për këtë dhe se po fillohet rrëfimi për këtë dhe se ka lëvizje në këtë drejtim, por unë jam skeptik për realizimin”, shprehet Radakoviq.
Megjithatë, ajo konsideron që me fillimin e punës së Gjyqësorit, nuk do të përmirësohet menjëherë sundimi i ligjit në veri të Kosovës.
“Kjo nuk do të ndodhë për shkak do të krijohet një situatë e re, ku përsëri qytetarët, por as gjykatësit dhe prokurorët nuk do të arrijnë të adaptohen. Por, më vonë, kjo do të bëhet me siguri”, thekson Krivokapiq.
Qytetarët e Mitrovicës veriore konsiderojnë se është lajm i mirë që marrëveshja për drejtësi do të nisë të zbatohet, ashtu siç është paralajmëruar, më 17 tetor.
Petar Zhivkoviq thotë se një gjë e tillë është dashur të ndodhë që moti.
“Kjo është dashur të bëhet moti, sepse këtu kemi vjedhje, vrasje, maltretime. Në një fshat të afërm këtu, një njeriu të varfër ia vodhën bagëtinë. Nuk ka me çfarë të jetojë tash”, thotë Zhivkoviq.
Por, Dushan Jovanoviq nuk pret ndonjë përmirësim në fushën e sundimit të ligjit në veri të Kosovës:
“Mendoj se nuk do të ketë përmirësim as tash e as pas 10 vjetësh”.
Ndryshe mendon Sandra Milovanoviq: “Pres që më 17 tetor të fillohet me punën dhe të fillohet me shqyrtimin e lëndëve, të cilat për një kohë të gjatë janë në pritje”.
Me zbatimin e Marrëveshjes për drejtësinë, është paraparë që të shuhen gjykatat dhe prokuroritë serbe në Kosovë dhe në Serbi, të cilat deri më tash janë marrë me lëndët nga territori i Kosovës.
Për rajonin e Mitrovicës është paraparë një Gjykatë Themelore, e cila do të funksionojë në dy objekte. Prokuroria do të funksionojë në një objekt në veri. Gjykatësit dhe prokurorët do të punojnë së bashku dhe nuk do të ndahen mbi baza etnike. Në veri do të vendoset edhe reparti i Gjykatës së Apelit.
Në krye të Prokurorisë në Mitrovicë do të jetë një shqiptar, ndërkaq në krye të Gjykatës së Apelit do të jetë një serb. Aktualisht, Gjykata Themelore e Mitrovicës është duke funksionuar në Vushtrri, ndërkohë që në Mitrovicën veriore është duke funksionuar gjykata në kuadër të sistemit të drejtësisë së Serbisë. /REL/
Të tjera
-
Parashikimi i motit për të hënën
Për të hënën parashikohet të mbajë mot i vranët, ku pritet depërtimi i një ci...
-
Donald Trump emëron gjeneralin Keith Kellogg si të dërguarin e tij special për Ukrainën dhe Rusinë
Presidenti i zgjedhur Donald Trump ka zgjedhur Gjeneralin Keith Kellogg si të...
-
Kurti ua lypë mërgimtarëve 74 mijë vota: Paramendojeni çka bojmë me na i dyfishu ju votat
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar nga mërgimtarët më shumë vota...
-
Bedri Hamza takon profesorin e tij: Ato që i thotë, ka me i realizu, se ia njoh karakterin dhe mentalitetin
Kandidati për kryeministër nga radhët e PDK-së, Bedri Hamza, në rrjetet e tij...
-
Kush është fajtori kryesor për moskalimin e marrëveshjeve ndërkombëtare?
Ani pse pas një takimi të Albin Kurtit më kreun e PDK-së, u votuan disa marrë...
-
“Ka qenë i veçantë, një djalë i sjellshëm, i urtë, me të gjitha notat 5-she, ato që i premton edhe i realizon”, profesor Xhaferi vlerëson lart nxënësin e tij Bedri Hamzën
Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, ka takuar profesorin e tij,...
-
Bejta falënderon stafin e Komunës së Prishtinës për punën e palodhshme: Viti tjetër, edhe me më shumë suksese
Kandidatja për deputete nga LDK, Fiknete Bejta, ka publikuar disa fotografi n...
-
Pasaporta e Kosovës në mesin e 10 pasaportave të botës që kanë shënuar përmirësimin më të madh
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur se viti 2024 ka qenë viti...
-
Kërkohet ndihmë për 16-vjeçarin nga Istogu që vuan nga Leukemia, ka nevojë për shërim jashtë vendit!
Familja Dani nga Kërrnina e Istogut kërkon ndihmë për shërimin e djalit ! ...
-
Incidenti në Novi Sad, mijëra njerëz protestọjnë kundër regjimit të Vuçiqit
Studentët, të cilët prej javësh i kanë bllokuar fakultetet në Universitetin e...
-
Elezi: Mbi 58 mijë kërkesa për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka njoftuar...
-
Java nis me reshje bore – Parashikimi i motit për pesë ditët e ardhshme
Moti nga e hëna parashihet të jetë i ftohtë dhe me reshje të herëpashershme b...