Abrashi: PDK-së më nuk mund t`i besohet
Autori: Gazeta inFokus 10:56 | 01 June 2017
Arban Abrashi nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) i cili në mandatin e fundit qeverisës ishte ministër i Ministrisë se Punës dhe Mirëqenës Sociale, dhe aktualisht në listën për deputetë të Kuvendit të Kosovës në një intervistë për gazeta “Bota Sot” ka thënë se në udhëheqjen e tij sa ishte ministër ka pas progres dhe se ngritja e pensioneve ka qenë një punë një nga arritjet e kësaj qeverie.
Sipas Abrashit LDK-ja janë tradhtuar nga PDK-ja, por nuk është se nuk kanë qenë të vetëdijshëm. Arban Abrashi ka thënë se edhe një mandat në MPMS është i domosdoshëm për të çuar deri në fund reformat e ndërprera me dhunë.
A mendoni se gjatë këtij mandati keni arritur të bëni punën më të mirë të mundshme si ministër?
Që me marrjen e mandatit i ngritëm pensionet për pensionistët kontribut-pagues duke i kategorizuar ata dhe duke i ngritur ato nga 140 sa ishin në 158 deri 230 euro. Jemi qeveria e parë që pas 17 vitesh filluam ndarjen e pensioneve për veteranët e UÇK-së, të cilën nuk e ka bërë asnjë qeveri deri sot – as të ashtuquajturat parti të “krahut të luftës”. Themeluam Komisionin qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës në Kosovë dhe shumë shpejt do të fillojmë edhe ndarjen e pensioneve për to. Gjithashtu qysh në start të mandatit e ngrita asistencën sociale për 25% për 25 mijë familje të varfra. Ngritja e asistencës sociale dhe e pensioneve u mundësua nga mjetet që i kursyem dhe pastrimi i listave nga keqpërdoruesit.
Këto janë vetëm disa nga të arriturat. Më lejoni t’jua përkujtoj se të gjitha këto i arritëm vetëm për dy vite e gjysmë, dhe shpesh nën tymin e gazit lotsjellës dhe protestave të dhunshme. Është e qartë se dikujt i kanë penguar këto të arritura të mëdha.
Sa keni mundur që si Ministri t’i përmbushni kërkesat e veteranëve?
Arban Abrashi: Siç e thashë edhe më lartë, jemi qeveria e parë që 17 vite pas luftës filluam ndarjen e pensioneve për veteranë. Planifikimi ynë fillestar në bashkëpunim me OVL-të dhe FMN-në ka qenë për një numër shumë më të ulët të veteranëve, por pas gati katërfishimit të tyre u detyruam ta rinegociojmë marrëveshjen. Pas negociatave të vështira me FMN-në u dakorduam për kategorizimin e veteranëve gjithnjë në bashkëpunim me OVL-të dhe vazhdimin e ndarjes së pensioneve për ta. Për ne ishte esenciale që të ruhet marrëveshja e qeverisë me FMN-në por edhe të ndaheshin pensionet për veteranët. I arritëm të dyjat.
Po sa i përket viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës sa është bërë deri më tash?
Arban Abrashi: Si MPMS, mandati për themelimin e Komisionit për viktimat e dhunës seksuale na u dha në fund të vitit të kaluar. Me ta marrë mandatin, ne menjëherë filluam procedurat, shpallëm konkursin për pranimin e katër anëtarëve të jashtëm, morëm pesë emrat tjerë nga ministritë dhe Zyra e Kryeministrit, shpallëm po ashtu konkursin për licencimin e OJQ-ve që do të ndihmojnë në shqyrtimin e aplikacioneve të personave të dhunuar, dhe gjithçka bëmë në koordinim me këto OJQ që ta kemi gjithmonë parasysh interesin e personave të dhunuar. Tash Komisioni është themeluar më në fund, prillin që lamë pas, dhe shumë shpejt do të fillojnë trajnimet për anëtarët e Komisionit, për Sekretariatin e Komisionit dhe për shërbyesit civil të Departamentit të Dëshmorëve (DFIDL) pranë ministrisë sonë, në bashkëpunim me Institutin e Kosovës për Administratë Publike. Me t’u përfunduar trajnimet, do të fillojë pranimi i aplikacioneve të para gjatë këtij viti nga personat e dhunuar gjatë luftës.
Ndërkohë, unë kam kërkuar nga Komisioni qeveritar dhe OJQ-të e certifikuara që të vijnë me propozime konkrete për shumën e kompensimit për këtë kategori të mohuar shoqërore që 17 vite, në mënyrë që shuma të jetë në përputhje me nevojat e tyre.
Cili ka qenë suksesi më i madh i Ministrisë se Punës dhe mirëqenies sociale?
Arban Abrashi: Sukseset janë disa, siç është krijimi i vendeve të reja të punës për gratë, të rinjtë dhe personat deri 39 vjeçar. Kjo është e konfirmuar nga Raportet e Punës të publikuara nga Departamenti i Punës dhe Punësimit. Pastaj është riorganizimi i Zyrave të Punësimit dhe modernizimi i infrastrukturës së tyre fizike që ka rezultuar me identifikimin e mbi 25 mijë vende të lira të punës, ndërmjetësimin në punësim të gati 13 mijë punëkërkuesve, dhe trajnimin profesional të rreth 11 mijë personave. Ndërmorëm masat aktive të tregut të punës, si: subvencionimi pagave, trajnimi në punë, grantet për vetëpunësim, trajnimet në QAP, etj., ku për dy vite gati 17 mijë persona (16,738) përfituan prej tyre. Me qëllim thellimin e reformave, themeluam edhe Agjensionin e Punësimit të Kosovës.
Sukseset janë të shumta, por nëse më duhet ta veçoj një atëherë suksesi më i madh për të cilin jam shumë krenar është ulja e papunësisë. Vetëm për dy vite punë arritëm ta ulim papunësinë për 8%, nga 35% sa ishte më 2014 në 27% më 2016. Ky ka qenë një trend i cili do të vazhdonte edhe këtë vit po mos t’i pengonte ish-partnerit të koalicionit dhe opozitës. Dhe kjo është një gjë që konfirmohet lehtë nga raportet e Agjensionit të Statistikave të Kosovës të cilat prodhohen në bashkëpunim me Eurostatin, institucionin e BE-së që e mat papunësinë në shtetet e saj anëtare.
Sa jeni i kënaqur më listën për deputetë të LDK-së dhe a mendoni se janë bëre lëshime duke lenë disa emra jashtë liste?
Arban Abrashi: Mendoj se në kushtet në të cilat gjendemi, kjo listë ka qenë më e mira që ka mundur të bëhet. Dinamika e zgjedhjeve të parakohshme, koha e shkurtë për përgatitje dhe lidhja e koalicioneve me disa parti dhe prurjet e reja, e kanë imponuar një renditje e cila në rrethana tjera do bëhej ndryshe.
Po Vjosa Osmani, njeri më i zëshëm brenda LDK-së a mendoni se e ka merituar te jetë në fund të listës?
Po ja, shikoni, edhe unë jam ministër që dy vite dhe në renditje e mbaj numrin 77. Mendoj se renditja nuk është e rëndësishme në krahasim me përgjegjësitë që kemi. Për LDK-në, parësore është mbajtja e premtimeve, dhe këtë besoj e kemi dëshmuar për dy vite qeverisje, dhe krijimi i besimit te qytetarët se ne jemi parti e mirëqenies dhe e zhvillimit, e çuarjes Kosovës përpara, e integrimit të saj në Bashkimin Evropian dhe NATO. Kemi krijuar një listë fituese që do të mund t’i marrë përsipër këto përgjegjësi dhe t’i realizojë ato.
Çka mendoni për koalicionin e Lidhjes Demokratike të Kosovës më AKR-ën dhe Alternativa. A ka qenë i duhuri?
Arban Abrashi: Ka një afërsi natyrale mes LDK-së, AKR-së dhe Alternativës. Dhe kjo afërsi është edhe e karakterit ideologjik e, rrjedhimisht, edhe atij programor. Ne jemi parti të qendrës, qendrës së djathtë, që fokus kemi zhvillimin ekonomik, krijimin e vendeve të reja të punës veçanërisht për gratë, të rinjtë e të rejat e këtij vendi, por pa harruar mbrojtjen sociale për të papunët, pensionistët, personat me nevoja të veçanta. Vetëm ky koalicion mund t’i realizojë këto synime, koalicionet tjera janë joparimore, janë koalicione të interesit dhe korrupsionit.
Po për mocionin për rrëzimin e Qeverisë, i cili Kosovën e dërgoj në zgjedhje të parakohshme, a mendoni se ka qenë koalicion i vështirë më PDK-në dhe a ndiheni të tradhtuar nga kjo parti.
Arban Abrashi: Natyrisht se ndjehemi të tradhtuar, por nuk është se nuk kemi qenë të vetëdijshëm. E kemi pas parasysh se kjo ditë mund të vijë. Por para se të na tradhtojnë ne, ata kanë tradhtuar qytetarin e Kosovës, e kanë tradhtuar elektoratin e tyre sepse kanë marrë obligime para tyre, kanë premtuar mrekullira ashtu siç po premtojnë tani. Nuk e di sesi mund t’i besohet më një partie të tillë.
Në anën tjetër, ne kemi bërë të pamundurën që të realizojmë premtimet tona dhe të jemi të përgjegjshëm para qytetarëve tanë. Mendoj se kemi qenë mjaft të suksesshëm. Do ta dëshmojmë këtë edhe me mandatin e ri.
Lidhja Demokratike e Kosovës ka nominuar për kryeministër Avdullah Hotin, a besoni në fitoren e tij dhe a mendoni se ka qenë zgjedhja e duhur?
Arban Abrashi: Avdullah Hoti është kandidati ideal për kryeministër. Është profesor i ekonomisë me publikime të shumta, me përvojë të bollshme në qeverisje, reformator dhe ministër i zoti. Reformat fiskale që ka ndërmarrë si ministër Avdullah Hoti janë njohur dhe vlerësuar edhe nga FMN dhe institucione tjera ndërkombëtare. Mendoj se Avdullah Hoti ka kombinimin e duhur të cilësive për të udhëhequr me qeverinë e ardhshme, ekonomist i zoti, ministër i aftë, joagresiv por i vendosur karshi disa kandidatëve që me turrë marrje të çuditshme kërkojnë ta marrin pushtetin me çdo kusht. Për dallim, Hoti pushtetin do ta marrë me mandat qytetarë.
Çka mendoni, sa janë mundësitë për një koalicion më Vetëvendosjen pas zgjedhjeve?
Arban Abrashi: Gjithçka varet nga përputhja programore dhe garancitë nga VV se do të sillet në mënyrë të përgjegjshme me pushtet, diçka që ka munguar në Komunën e Prishtinës e cila nuk e ka pas të qartë se a është pushtet apo opozitë.
Në rast se Lidhja Demokratike e Kosovës fiton zgjedhjet e 11 qershorit, cili do të jetë prioriteti i Qeverisë dhe a mendoni që edhe për një mandat do të mund të udhëhiqnin Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale?
Arban Abrashi: Me fitoren e LDK-së prioritet i qeverisë do të jetë zhvillimi ekonomik dhe krijimi i vendeve të reja të punës. Ky do të jetë prioritet i prioriteteve, ku përfshihen pastaj mirëqenia sociale, sundimi i ligjit dhe integrimin i Kosovës në BE dhe NATO.
Edhe një mandat në MPMS është i domosdoshëm për të çuar deri në fund reformat e ndërprera me dhunë. Jam konfident për këtë.
Çka mendoni për koalicionin PDK-AAK-Nisma (Krahu i luftës). Si mund të kemi rezultate nga një koalicion i tillë kur dihet se shumë nga ta kanë afera korruptive dhe janë nen hetime?
Arban Abrashi: Për të gjithë është shumë e qartë se ky koalicion është formuar nga frika dhe interesi personal e grupor. As që bëhet fjalë për zhvillimin e Kosovës apo për interesin e qytetarit të Kosovës. Po të ishte ndryshe, PDK nuk do e shkelte marrëveshjen e koalicionit me LDK-në. Ky koalicion ka synim mbetjen me çdo kusht në pushtet, imunizim nga ligji përmes pushtetit politik dhe vazhdimin e zhvatjes së pasurive të Kosovës. Ne jemi të vendosur ta ndërprejmë këtë, ta bëjmë prerjen e qartë mes korrupsionit dhe interesit personal e grupor në njërën anë, dhe zhvillimit ekonomik, mirëqenies dhe sundimit të ligjit në anën tjetër. Kjo prerje do të bëhet me 11 qershor.
Të tjera
-
Parashikimi i motit për të hënën
Për të hënën parashikohet të mbajë mot i vranët, ku pritet depërtimi i një ci...
-
Donald Trump emëron gjeneralin Keith Kellogg si të dërguarin e tij special për Ukrainën dhe Rusinë
Presidenti i zgjedhur Donald Trump ka zgjedhur Gjeneralin Keith Kellogg si të...
-
Kurti ua lypë mërgimtarëve 74 mijë vota: Paramendojeni çka bojmë me na i dyfishu ju votat
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar nga mërgimtarët më shumë vota...
-
Bedri Hamza takon profesorin e tij: Ato që i thotë, ka me i realizu, se ia njoh karakterin dhe mentalitetin
Kandidati për kryeministër nga radhët e PDK-së, Bedri Hamza, në rrjetet e tij...
-
Kush është fajtori kryesor për moskalimin e marrëveshjeve ndërkombëtare?
Ani pse pas një takimi të Albin Kurtit më kreun e PDK-së, u votuan disa marrë...
-
“Ka qenë i veçantë, një djalë i sjellshëm, i urtë, me të gjitha notat 5-she, ato që i premton edhe i realizon”, profesor Xhaferi vlerëson lart nxënësin e tij Bedri Hamzën
Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, ka takuar profesorin e tij,...
-
Bejta falënderon stafin e Komunës së Prishtinës për punën e palodhshme: Viti tjetër, edhe me më shumë suksese
Kandidatja për deputete nga LDK, Fiknete Bejta, ka publikuar disa fotografi n...
-
Pasaporta e Kosovës në mesin e 10 pasaportave të botës që kanë shënuar përmirësimin më të madh
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur se viti 2024 ka qenë viti...
-
Kërkohet ndihmë për 16-vjeçarin nga Istogu që vuan nga Leukemia, ka nevojë për shërim jashtë vendit!
Familja Dani nga Kërrnina e Istogut kërkon ndihmë për shërimin e djalit ! ...
-
Incidenti në Novi Sad, mijëra njerëz protestọjnë kundër regjimit të Vuçiqit
Studentët, të cilët prej javësh i kanë bllokuar fakultetet në Universitetin e...
-
Elezi: Mbi 58 mijë kërkesa për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka njoftuar...
-
Java nis me reshje bore – Parashikimi i motit për pesë ditët e ardhshme
Moti nga e hëna parashihet të jetë i ftohtë dhe me reshje të herëpashershme b...