Lajme

Abrashi: Në vend të ‘çështjeve globale’, unë kam 320 projekte për Prishtinën

Autori: Gazeta inFokus 22:39 | 11 October 2017

Arban Abrashi, kandidat i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Prishtinës, aktivitetin elektoral e ka vazhduar në lagjen “Matin I”, ku ka prezantuar 320 projekte të cilat do të realizohen në Prishtinë në katër vitet e ardhshme.

“U bënë disa javë që po e shpalosim programin tonë. Programi ynë është i kapshëm për qytetarët, i bazuar në problemet e tyre, me të cilat fatkeqësisht nuk është marrë askush në këto katër vjet. Mbeturinat, zgjerimi i ujësjellësit e trotuarit, ndriçimi, qentë endacakë janë çështje elementare, por kryetari i tashëm i ka harruar, sepse është marrë me punë ‘më madhore’ që ai i konsideron”, ka thënë Abrashi.

“Ne e kemi vëmendjen tek qytetari dhe janë mbi 320 projekte që kanë buruar pas konsultimeve me banorë të secilës pjesë të Prishtinës. Kemi nevojë për shtatë shkolla, ndërsa nuk është ndërtuar asnjë, nuk është ndërtuar asnjë çerdhe, nuk është shtuar asnjë metër gyp i ujësjellësit. Kjo është e pafalshme, sepse Prishtina nuk e ka luksin me humb kohë dhe mjete, diçka që i ka ndodhur në katër vjetët e fundit, ashtu siç janë humbur edhe mbi 80 milionë euro investime kapitale”, ka shtuar kandidati i LDK-së për kryetar të Prishtinës.

-Advertisement-

Ai e ka përsëritur faktin që, qytetarëve të Prishtinës u është bërë e padrejtë edhe në punësim, pasi kuadrot prishtinase janë diskriminuar.

”Janë humbur numër i madh i orëve të mësimit, sepse mësimdhënësit udhëtojnë nga Klina, Dragashi e komuna tjera dhe nuk mund të arrijnë me kohë“, ka shtuar Abrashi, duke ritheksuar idenë e tij për krijimin e Fondi të Punësimit dhe përkrahjes së çdo ideje të mirë për biznese.

Degradimet në industri, kulturë, sport e fusha të tjera po ashtu kanë qenë probleme për të cilat Abrashi ka thënë se do të punojë me qasje krejtësisht tjetër, pasi Prishtina nuk e meriton këtë trajtim.

“Vazhdimi i ‘Rrugës B’, asaj ‘Ndue Përlleshi’, zgjerimi i sistemit të ngrohjes, fillimi i ‘Rrugës A’, dhe çdo problem që i mundon qytetarët do të jenë në programin tonë qeverisës, sepse derisa të tjerët të vetmin sukses e kanë ‘Facebook-un’, ne do të kryejmë punë“, ka theksuar Abrashi.

Para të pranishmëve janë prezantuar edhe kandidatët për asamblesitë nga kjo pjesë.

Hajrush Bajraliu ka theksuar se program i LDK-së është i zbatueshëm, ndërsa Abrashi është njeriu i duhur për ta realizuar këtë program.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera