Ekonomi

Abrashi: Finalizohet marrëveshja Kosovë – Zvicër në fushën e pensioneve

Autori: Gazeta inFokus 10:35 | 30 April 2017

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, ka bërë me dije se është finalizuar marrëveshja për pensionet mes Kosovës dhe Zvicrës.

Përmes një postimi në Facebook, Abrashi ka treguar se gjatë javës që po lëmë pas në Prishtinë është zhvilluar raundi i dytë i negociatave për marrëveshje bilaterale në fushën e sigurimeve sociale në mes të Kosovës dhe Zvicrës.

“Me këtë rast, arritëm të finalizojmë marrëveshjen bazë për sigurimet sociale, marrëveshjen administrative për implementimin e marrëveshjes bazë, si dhe formularët e nevojshëm për implementimin e kësaj marrëveshje”, ka deklaruar Abrashi

-Advertisement-

Sipas tij, gjatë muajit maj, dokumentet do të përkthehen në gjuhët përkatëse, do të kalojnë nëpër procedurat e nevojshme shtetërore dhe të përgatiten për procedim.

Ministri Abrashi ka sqaruar se marrëveshja mundëson që qytetarët tanë të shumtë që kanë punuar në Konfederatën Zvicerane, të realizojnë të drejtat e tyre siç janë pensionet e moshës, pensionet familjare dhe pensionet invalidore të punës, të bashkojnë periudhat e kontributeve dhe të drejtat tjera nga fusha e sigurimit social, me rastin e arritjes së moshës së pensionit ose raste tjera siç parasheh legjislacioni.

“Urime bashkatdhetarëve tanë në Zvicër”, ka përfunduar Abrashi.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Një vit i suksesshëm përtej pritshmërive
-Advertisement-

Të tjera