Lajme

Abdullahu: VV e LDK nuk i besojnë njëra tjetrës

Autori: Gazeta inFokus 19:48 | 15 January 2020

Faton Abdullahu, analisti politik, ka kritikuar LDK-në dhe VV-në për stërzgjatjen e procesit të arritjes së koalicionit qeverisës.

Ai tha se këto dy parti nuk i besojnë njëra tjetrës, shkruan gazeta inFokus.

E sipas tij e gjithë kjo po ndikon që e gjithë energjia e tyre të harxhohet në këto procedura, e jo në çështjet jetike për Kosovën.

“Prirja jonë për të akuzuar herë njërën palë e herë tjetrën sikur po e shtyn LDK-në dhe VV-në që të vazhdojnë me këtë gjendje, ngase duket se e kanë përkrahjen e anëtarësisë së tyre që të vazhdojnë kështu. Kësaj po ia shohim sherrin të gjithë”.

“Ka shumë gjëra për të cilat tani mund të themi se Kosova është para zhvillimeve të ndryshme, prej të cilëve varet kualiteti i jetës së qytetarit dhe shumë gjëra të tjera, por si duket këto kanë mbetur si jo të rëndësishme tani dhe po harxhojmë shumë energji për atë se kush do ta merr presidentin dhe ministritë e postet tjera, e kjo na jep të drejtën të konstatojmë se këto dy palë nuk i besojnë njëra tjetrës”.

“Të gjitha këto elemente së bashku bëjnë që LDK –ja të mos i besojë VV-së, ndërsa VV-ja të mos i besojë as vetes kur ka të bëjë me dialogun me Serbinë”.

“Ka mosbesim ndërmjet partive fituese. Dhe tani sikur shpërfaqet më mirë edhe mund ta komentojmë më mirë, e kjo ka të bëjë me deklaratat që i bëjnë. Tash na dalin deklaratat e tyre që na japin të drejtë të vijmë te konstatimi se edhe përbrenda LDK-së ka hezitim dhe mospajtime”.

E sipas tij edhe mospajtimi ndërmjet këtyre dy partive është poashtu i madh.

“Mospajtimi nuk është i vogël. Mendoj se as Vjosa Osmani dhe as Agim Veliu nuk i kanë kontribuar kësaj çështjeje me deklarimet e tyre”.

“Këto gjakra duhet t’i qetësojë reagimi më i shpejtë brenda LDK-së. Përbrenda kësaj partie ka dy koncepte: njëri e vë në dyshim konceptin politik pro-amerikan të VV-së, ndërsa tjetri, ai i Vjosa Osmanit, thotë: ‘Jo, neve na ka ndihmuar VV-ja në rreshtimin me LDK-në’, gjë që e vë në pikëpyetje Agim Veliu”.

Avdullahu thotë se VV e LDK po humbin edhe votat e qytetarëve sepse këto të fundit ata i kanë marrë për ndryshim e për këtë duhej të bënin jo vetëm lëshime por gjithçka.

“Ata po humbasin kredibilitet dhe vota para qytetarëve. Ata i kanë marrë votat për të bërë ndryshim dhe do të duhej të bënin çmos, por edhe lëshime. Fakti që po del e kundërta të shtyn të mendosh se kanë diçka tjetër që nuk po pajtohen. Është shumë jofer ndaj qytetarit të Kosovës që po ndodh kjo”.

“Këto dy forca politike nuk po i besojnë njëra tjetrës, kanë paragjykime deri në paranojë”, ka thënë Abdullahu në emisionin Info Magazine./Gazeta inFokus/

Të tjera