Lajme

Abdixhiku: Zgjidhje dhamë, s’kemi kohë për të humbur – LDK do të merret me zgjedhjet lokale

Autori: Gazeta inFokus 11:13 | 08 May 2025

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka njoftuar se partia ka nisur zyrtarisht përgatitjet për Zgjedhjet Lokale 2025, që pritet të mbahen këtë vjeshtë. Përmes një postimi në rrjete sociale, Abdixhiku tha se LDK ka vendosur të ecë përpara me proceset e veta, përtej bllokadave politike dhe mbledhjeve të kota.

“Nuk kemi më kohë për të humbur. Zgjidhjen e kemi dhënë, ajo mbetet aty – kurdo që të tjerët janë të gatshëm. Deri atëherë, LDK do të merret me proceset që nuk mund të na kurthojnë,” shkroi Abdixhiku.

Ai bëri të ditur se sot ka mbledhur të gjithë kryetarët e degëve të LDK-së për të nisur procesin konsultativ dhe përgatitor lidhur me zgjedhjet lokale. Sipas tij, LDK po hyn në këtë garë me përgatitje të plotë, vullnet të madh dhe bindje në fitore.

-Advertisement-

“Si fituese e zgjedhjeve të fundit lokale, me 9 komuna në qeverisje dhe me 206 këshilltarë lokalë, po hymë në këtë proces me plot përgatitje – plot 6 muaj kohë.”

Ai shtoi se LDK nga sot nis konsultimet e brendshme për përzgjedhjen e kandidatëve për kryetarë komunash dhe këshilltarë lokalë – duke ftuar të gjithë ata që ndajnë vlerat dhe vizionin e LDK-së të bëhen pjesë e këtij procesi.

“LDK i ka dyert e hapura për secilin. LDK mbetet e juaja. LDK mbetet dashni!” përfundoi Abdixhiku./GazetaInfokus

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Spektakli i Vitit, Ekskluzivisht në Artmotion – BBVK3!
-Advertisement-

Të tjera