Lajme

Abdixhiku: Shkarkim i vonshëm, ishte interes i mafisë energjetike që Blloku A5 i KEK-ut të mos prodhonte rrymë

Autori: Gazeta inFokus 20:12 | 19 April 2023

Pas arrestimit të kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi, nën dyshimin për abuzime, ka reaguar kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Abdixhiku ka thënë se shkarkimi i Krasniqit, është i vonshëm. Ai ka deklaruar se qeveria ka përgjegjësi politike për mbrojtjen dhe lejimin e përfitimeve milionëshe, siç ka shkruar ai, të mafisë energjetike.

“Tani shkarkimi është i vonshëm. Përgjegjësia politike për vendosjen, mbrojtjen dhe lejimin e përfitimeve milionëshe të mafisë energjetike është domosdoshmëri. Kjo përgjegjësi ka adresë vet Qeverinë”, ka shkruar kryetari i LDK-së, transmeton Gazeta Express.

-Advertisement-

Abdixhiku edhe mos-funksionimin e Bllokut A5 të KEK-ut e ka lidhur me interesat e “mafisë energjetike”.

“Blloku A5 i KEK-ut është jashtë funksionit tash e 10 muaj. Mirëmbajtja e thjeshtë e tij s’do të merrte kohë më shumë se dy. Ishte interes i mafisë energjetike që ky Bllok të mos prodhonte rrymë. Sepse, për aq kohë sa ishte jashtë funksionit, Kosova detyrohej të importonte energji. Vetëm gjatë 11 ditëve të para të prillit, Kosova kishte importuar plot 5.4 milion euro rrymë. Nuk ka një biznes tjetër, ku 5.4 milionë euro mund të gjenerohen për vetëm 11 ditë. Mjaftueshëm për të mbuluar 45 mijë pensione, apo ndërtuar 9 çerdhe për fëmijë – të djegura për vetëm 11 ditë!”, ka shkruar ai.

“Kemi kërkuar në vazhdimësi shkarkimin e gjithë udhëheqjes së KEK-ut – militantë partiak të vendosur nga partia në pushtet – pikërisht për shkak të një skandali si ky që kishte nisur nga korriku i vitit 2022. Ata gjetën mbrojtjen vetëm sepse ishin të partisë. Të njëjtit, pas dëmeve milionëshe ndaj vendit, ndodhen sot në pranga të Policisë”, ka shkruar Abdixhiku.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Përsëri në shkollë me Viva Fresh Store!  
-Advertisement-

Të tjera