Lajme

Abdixhiku e quan bandë PAN-in, paralajmëron rikthimin e LDK-së

Autori: Gazeta inFokus 12:05 | 22 July 2017

Deputeti i zgjedhur i LDK-së, Lumir Abdixhiku e ka kopjuar gjuhën fyese e denigruese të Isa Mustafës, kur ka folur PDK-në, AAK-në e NISMA-n.

Kështu, Abdixhiku ka thënë se kontrabandistët janë bërë bashkë dhe po tregojnë se si bëhet pazare me deputetë.

“Oportunistë, kontrabandistë, kapës e shërbëtorë të tyre, janë bërë bashkë për të ndërtuar “shpresën” e Republikës. Me kontrabandë, kjo bandë, provon të nisë rrugëtimin politik, shpëtimin e vetes – theqafjen e shtetit. Në këtë rrugëtim ata asistohen nga Presidenti i vendit. Herë me takime të kafehaneve me ndërmjetësues mercenarizmi, herë me tryeza të kota e jokushtetuese për blerje kohe”, ka shkruar Abdixhiku, në një reagim në Fb.

-Advertisement-

Ky reagimi i deputetit të ri vjen pas sigurimit të votës së Teuta Rugovës për Ramush Haradinajn Kryeministër.

Isa Mustafa, sot, në një reagim i quajti kontrabandistë e matrapazë Dardan Gashin e Astrit Haraqine, por nuk ua përmendi emrat.

Sikurse Mustafa, edhe Abdixhiku ka shfaqur nervozë për numrat e PAN’it për ndërtimin e Qeverisë.

“Në vend të skuqjes e kokëuljes, këta, gjithë bashkë, na dalin pa fije marre me thirrje e mburrje për kontrabandime. E bëjnë shitblerjen krejt të zakonshme; tradhtinë vlerë e mercenarizmin “interes shteti”. Shihni çfarë modeli u japin qytetarëve tanë. Këtë model, LDK nuk e pranon. E refuzon. Sot të mbeteni të sigurtë me qëndrimin tonë politik. I pandryshueshëm dhe pikë. S’ulemi, s’bisedojmë, s’bashkëpunojmë me PAN. Mbi të gjitha, sot të mbeteni të sigurtë se ju po e rifitoni Lidhjen. Atë kredibilen, të qytetarit, të Republikës. Mësohuni me një LDK kështu. Rikthimi ynë ka nisë tashmë. E s’ka propagandë, s’ka mercenarë, s’ka tradhti e s’ka as bandë që mund të na ndalë nga ky rikthim!”, ka shkruar Abdixhiku.

Deri më tash, zyrtarët e LDK-së deklaroheshin se PAN-i s’i ka numërat. Tash, kur numrat janë siguruar po lëshojnë akuza se dikush është bërë matrapaz e kontrabandist.

Sidoqoftë, LDK prej pasluftës ka qeverisur me PDK’në, AAK’në e NISMA’n. Madje, Partia e Isa Mustafës pas zgjedhjeve të parafundit, njëherë ishte bërë me opozitën, pastaj, kishte shkuar te PDK’ja, duke e bërë Hashim Thaçin President e Kadri Veselin Kryetar të Parlamentit në këmbim të pozitës së Kryeministrit për Isa Mustafën.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Intervistë: Dr. Gorazd Konjanovski – Klinika Zhan Mitrev ka luajtur një rol kyç në vendosjen e themeleve në kardiokirurgji dhe…
-Advertisement-

Të tjera