Lajme

Abazi mbron Sveçlën e VV-së, nuk ishin duke pirë kafe por ishte darka për hapjen e konferencës

Autori: Gazeta inFokus 23:50 | 10 December 2019

Boiken Abazi, anëtar i VV-së, ka mbrojtur Xhelal Sveçlën pas publikimit të fotografisë ku shihej ai në një tavolinë me Marko Gjuriq.

Abazi tha se Vetëvendosje merr pjesë në Konferencat e “Council for Inclusive Governance” që nga viti 2015.

Sipas tij Xhelal Sveçla është përfaqësuesi më i rregullt i VV-së në këto konferenca, shkruan gazeta inFokus.

-Advertisement-

“Bashkëpunimi i Lëvizjes VETËVENDOSJE! me organizatën “Council for Inclusive Governance” (CIG) është i hershëm, së paku prej vitit 2015. Përfaqësues të ndryshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE! kanë marrë pjesë në aktivitetet dhe tryezat e ndryshme të organizuara nga CIG, siç kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të subjekteve të tjera politike në Kosovë. Në kuadër të pozicionit tim të mëhershëm si Sekretar për Marrëdhënie me Jashtë i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, prej shkurtit të vitit 2015 deri në maj të vitit 2019, më është dashur të marrë pjesë në disa takime me përfaqësues të CIG, si dhe të koordinoj pjesëmarrjen e përfaqësueseve të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në aktivitetet e CIG. Xhelal Sveçla, ka qenë një prej përfaqësueseve më të rregullt të Lëvizjes VETËVENDOSJE”, shkruan Abazi.

Ai gjithashtu tha se Sveçla çdo herë në këto konferenca ka mbrojtur qëndrimet që përputhen me qëndrimet publike të Vetëvendosjes.

“Ai përherë është koordinuar me Sekretariatin për Marrëdhënie me Jashtë dhe Kryesinë e Lëvizjes në lidhje me qëndrimet zyrtare që Lëvizja VETËVENDOSJE! ka mbrojtur dhe mbron në këto aktivitete, qëndrime këto që përputhen me qëndrimet publike të Lëvizjes. Xhelal Sveçla i njeh mirë këto qëndrime, sepse ka dhënë edhe kontributin e tij në hartimin e tyre”, shkruan Abazi.

Sipas tij ai e përfaqëson Vetëvendosjen në këto konferenca sepse e ka dëshmuar veten në vazhdimësi.

Ai thotë se në fotografinë e publikuar Xhelal Sveçla nuk ka qenë duke pirë kafe me Gjuriqin por ka qenë darka hapëse e konferencës.

E sipas tij kjo është një tentativë për të njësuar VV-në me subjektet e tjera politike.

“Lëvizja ka çuar Xhelal Sveçlën në këto aktivitete sepse ai e ka dëshmuar veten në vazhdimësi prej themelimit të Lëvizjes dhe ka fituar besimin e anëtarëve të organeve vendimmarrëse. Në fotografinë e bërë publike, Xhelal Sveçla nuk ka qenë për kafe me pjesëmarrësit, por në darkën hapëse të aktivitetit të organizuar nga CIG, dhe në agjendën e tyre është e shënuar se pjesëmarrja në darkën hapëse është e detyrueshme. Personalisht, do ndihesha i qetë të më përfaqësonte Xhelal Sveçla në të gjitha këto takime, ku pjesëmarrësit nuk i zgjedhim ne por organizatori. Tentativa për ta njësuar Lëvizjen me subjektet e tjera politike nuk mund të qëndrojë sa kohë Lëvizja ka mbajtur të njëjtin qëndrim publik në institucione, në media, e në tryeza kombëtare e ndërkombëtare, përherë në mbrojtje të pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës” shkruan ai./Gazeta inFokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera