Lajme

A u gjobitën bizneset në Prishtinë për mos-respektim të vendimeve në kohë pandemie?

Autori: Gazeta inFokus 19:31 | 26 May 2020

Janë bërë gati tre muaj që nga koha kur në Kosovë u shfaqen rastet e para me COVID-19. Përhapja e këtij virusi preku edhe vendin tonë.

Me paraqitjen e rastit të parë të infektuar me virus, institucionet e Kosovës ndërmorën veprime konkrete në mënyrë që përhapja të jetë sa më e vogël.

Kësisoj u vendos orar qarkullimi si dhe shumica e bizneseve nuk patën të drejtë funksionimi, gjë që ka ndryshuar tani me fazat lehtësuese.

-Advertisement-

I kontaktuar nga IndeksOnline, Drejtori i Inspeksionit në Prishtinë, Adonis Tahiri ka bërë të ditur se gjatë kësaj kohe, ekipet e kësaj drejtorie kanë punuar me orar të zgjatur në mënyrë që të mbulohet i gjithë territori i Prishtinës.

Madje ai theksoi se puna ishte e fokusuar në teren e asnjëherë në zyre.

“Si rezultat, nuk kemi shqiptuar gjoba për këtë çështje përveç gjobave për shkelje të tjera të cilat i shqiptojmë pavarësisht pandemisë”, tha ai.

Tahiri tha se përveç kontrollit të bizneseve që kanë qenë të mbyllura, fokusi ishte më i madh në lokalet që kanë pasur të drejtë pune e ku janë grumbulluar më shumë njerëz, si marketet, furrat, barnatoret, hapësirat përreth tregjeve e të tjera.

“Meqë inspektimi ka qenë i përditshëm, mundësia e shkeljes së vendimeve ka qenë fare e vogël. Në anën tjetër, edhe pronarët e bizneseve kanë qenë bashkëpunues dhe të kujdesshëm”, shtoi ai.

Ndryshe Prishtina ishte një nga qytetet që për disa javë radhazi qëndroi në karantinë, pasi numri i të infektuarve ishte rritur mjaftë shumë. Tani që situata në përgjithësi është stabilizuar, pritet që edhe kryeqyteti t’i kthehet normalitetit.

Kosova vazhdon të përballet me situatën pandemike, ku numri i të infektuarve është 1 mijë e 38, numri i të shëruarve 791 dhe 30 viktima.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera