Lajme

A rrezikohet Kosova nga varianti Delta i koronavirusit?

Autori: Gazeta inFokus 08:23 | 11 July 2021

Megjithëse numri i të infektuarve me COVID-19 ka rënë, në bazë të përvojës së shteteve të tjera, mjekët parashohin se në fund të gushtit ose në fillim të shtatorit, në Kosovë do të dominojë varianti Delta i coronavirusit.

Vaksinimi po shihet si e vetmja mënyrë për parandalimin e një vale të re të vështirë të këtij virusi.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Klinikës Infektive, Arben Vishaj ka thënë se edhe Kosova mund të preket nga vala e re e infektimit me COVID-19.

-Advertisement-

“Edhe Kosova sikur edhe tërë rruzulli tokësor është afektuar nga mundësitë e paraqitjes së valëve të reja me infeksion me COVID-19. Mirëpo mjeti më i suksesshëm, më i saktë dhe i domosdoshëm është vaksinimi”, u shpreh Vishaj.

Vishaj shtoi se, “Ndonëse fillimi i korrikut është duke shkuar në mënyrë të qetë, kjo nuk guxon assesi neve të na jep komoditetin dhe të mendojmë se është larguar rreziku”, theksoi Vishaj.

U.d i Drejtorit të Klinikës Infektive tha se “ne duhet të përgatitemi sikurse vala po vjen tash menjëherë”.

Në anën tjetër, internisti Driton Vela ka thënë se vala e re mund të parandalohet me vaksinim më masiv se që është duke u bërë tani.

“Diku rreth 19 për qind e popullatës së rritur është e vaksinuar me një dozë, që është solide por e pamjaftueshme për tu mbrojtur nga varianti Delta, prandaj qytetarët duhet të vaksinohen sa më shumë”, u shpreh Vela për RTV 21.

Vela shtoi se, “qytetarët duhet ta shfrytëzojnë rastin për tu vaksinuar, sa më shpejt që është e mundur në mënyrë që ta krijojmë të ashtuquajturin mur kundër variantit Delta”.

Ai tha se nëse merren për bazë përvoja nga shtetet tjera, në Kosovë mund të presim që në fund të gushtit ose fillim të shtatorit të dominojë varianti Delta i COVID-19.

“Ndryshimet gjenetike është e ditur dhe e njohur që ndodhin, dhe duke u bërë këto mutacione ndonjë aftësi e virusit rritet, qoftë në përhapjen, por kisha me thanë edhe aftësinë e mos-përhapjen. Ky virus si duket e ka aftësinë e përhapjes, por sido që të jetë ne nuk duhet të jem në mëshirën e mutacioneve. Duhet të fokusohemi të vaksinimi, i vetmi mjet i sigurt, i fuqishëm që na siguron vjeshtë më të mbarë”, tha Vishaj.

Ndërkaq, Vela shtoi se varianti Delta e ka aftësinë që të përhapet shumë më shumë dhe kjo sipas tij është më e keqja e këtij virusi.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera