Fokus

A po vjen era zgjedhje? Haradinaj premton shtesa për fëmijë, Hamza rritje pensioneve të pleqërisë

Autori: Sylejman Sylejmani 11:33 | 17 October 2018

Në një kohë kur stabiliteti i qeverisë po konsiderohet se është i dobët, kryeministri Ramush Haradinaj ka propozuar që të gjithë fëmijëve deri në moshën 16 vjeçare t’u jepen për çdo muaj nga 10 euro si shtesa, shkruan Gazeta inFokus.

Disa javë më herët, para Haradinajt, ministri i tij Bedri Hamza në një intervistë për inFokus dha lajmin se nga viti i ardhshëm do të rriten pensionet e pleqërisë.

E kjo po konsiderohet si fillim i një fushate të parakohshme për zgjedhjet, të cilat nga partitë politike po përmenden shumë kohëve të fundit.

-Advertisement-

Analisti Jeton Zulfaj thotë se në përgjithësi ka rreth një muaj që ka një frymë elektorale mes partive që udhëheqin me vendin.

“Në përgjithësi ka një frymë elektrolate qe nja një muaj ndërmjet subjekteve. Kjo është edhe për shkak të jo stabilitetit të qeverisë i cili është duke i mbajtë nën presion të gjitha partitë që nëse bjen qeveria të jenë gati. Çdo herë është luftë mes subjekteve që me e josh elektoratin me propozime dhe që ky e prek direkt elektoratin. Është e kuptueshme pse insiston njëra parti, por duhet shiku racionalitetin e përgjigjeve që i ka dhënë në këtë drejtim kryeministri”, thotë ai për Gazetën inFokus.

Megjithatë, Zulfaj nuk e fut në këtë mes edhe presidentin Hashim Thaçi, i cili kohët e fundit publikisht është përplasur në disa raste me kryeministrin.

“Ka diçka elektorale, por asesi nuk e kisha lidhë me presidentin, edhe pse ndikimi i tij në ish-partinë mund të jetë i dukshëm, nuk mund të themi se presidenti është duke bërë fushatë elektorale, sepse i njëjti nuk garon në zgjedhje”, thekson Zulfaj.

Në Kosovë konsiderohet se janë 500 mijë fëmijë nga mosha 0 e deri në 16 vjeç. Pagesa për secilin prej tyre do t’i kushtonte arkës së shtetit 5 milionë euro. Për një vit kjo shifër shkon në rreth 60 milionë euro. /Gazeta inFokus

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera